Struktura Kryetari Zëvendëskryetarët Byroja e kuvendit Grupet parlamentare

Nënkomisioni për zhvillim të qëndrueshëm

Në përbërje të komisioneve të përhershme, me propozimin e Konferencës së Kryetarëve, mund të ngrihen edhe nënkomisione për probleme të veçanta. Anëtarët e nënkomisioneve, së bashku me kryesitë e tyre, zgjidhen me votim të hapur nga Kuvendi me propozimin e Konferencës së Kryetarëve, duke u mbështetur në listat e kandidatëve të hartuara në marrëveshjen e Kryetarit të Kuvendit me kryetarin e çdo grupi parlamentar. Kuvendi mund të ndryshojë përbërjen e nënkomisioneve, duke ruajtur përpjesëtimin që zënë grupet parlamentare në Kuvend. Për ndryshimin e numrit dhe të përbërjes së nënkomisioneve synohet arritja e mirëkuptimit mes grupeve parlamentare. Kryesia e nënkomisionit përbëhet nga kryetari dhe zëvendëskryetari. Në rast se kryetari mungon ose është në pamundësi të kryejë detyrat e tij, mbledhja drejtohet nga zëvendëskryetari që i përket shumicës parlamentare. Në mungesë të këtij të fundit, mbledhja drejtohet nga zëvendëskryetari që i përket grupit më të madh të pakicës parlamentare. Përcaktimi i përbërjes së kryesive të nënkomisioneve bëhet duke mbajtur parasysh përfaqësimin në to të grupeve parlamentare, sipas përpjestimit që zënë në Kuvend.

Kuvendi me vendimin nr. 11/2020 ka ngritur nënkomisionin “Për zhvillim të qëndrueshëm” në përbërje të komisionit për Ekonominë dhe Financat. Objekti dhe fusha e përgjegjësisë së këtij nënkomisioni është zhvillimi ekonomik dhe social, rritja ekonomike e qëndrueshme, realizimi i objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm dhe Agjenda 2030 e OKB-së.

Përbërja aktuale është si vijon: Senida Mesi – kryetare (grupi parlamentar PS), Edlira Hyseni – zëvendëskryetare (grupi i Pavarur), Milva Ekonomi – anëtare (grupi parlamentar PS), Almira Xhembulla – anëtare (grupi parlamentar PS), Besnik Bare – anëtar (grupi parlamentar PS), Vasil Sterjovski – anëtar (jashtë grupeve parlamentare), Halil Jakimi – anëtar (grupi Demokrat).