Struktura Kryetari Zëvendëskryetarët Byroja e kuvendit Grupet parlamentare

Projekti "Për mbështetjen e Kuvendit dhe edukimin qytetar" (PACEP)

Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) ka filluar një projekt mbi Parlamentin dhe Edukimin Qytetar (PACEP). Projekti i ri është pjesë e Strategjisë së Bashkëpunimit Zviceran për vitet 2018-2021 dhe është hera e parë që mbështetja e shteti të Zvicrës shtrihet tek organi më i lartë ligjvënës në vend. Projekti ka për qëllim të forcojë Kuvendin e Shqipërisë, në kryerjen e funksioneve legjislative, mbikëqyrëse dhe përfaqësuese në mënyrë sa më efikase. Ky projekt gjithashtu, synon fuqizimin e qytetarëve, për të marrë pjesë në procesin e vendimmarrjes.

Në 18 qershor të 2019, Këshilli i Ministrave i përfaqësuar nga Ministria e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Konfederata Zvicerane, përfaqësuar nga Agjencia Zviceriane për Zhvillim dhe Bashkëpunim e Ministrisë së Jashtme të Zvicrës, që vepron nëpërmjet Ambasadës së Zvicrës dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, nëpërmjet Prezencës së saj në Shqipëri nënshkruan Marrëveshjen për “Mbështetjen ndaj Kuvendit dhe Projektit për Edukimin Qytetar (PACEP)”.

Për më shumë informacion për marrëveshjen Kliko këtu (Marrëveshja)

Qëllimi i projektit:
Qytetarë më të ndërgjegjshëm e më të edukuar fuqizohen, që të marrin pjesë aktive në procesin e vendimmarrjes në vend dhe të përfitojnë nga një Kuvend funksional dhe përfaqësues që funksionon më së miri.

Është tejet e rëndësishme për demokracinë në Shqipëri që të ketë një Kuvend që përfaqëson qytetarët, që përgatit ligje cilësore dhe që mbikëqyr ekzekutivin.

Objektivat e Projektit:
- Administrata e Kuvendit të përmbushë funksionet e saj, në mënyrë efiçente dhe efektive.
- Kuvendit të përmirësojë funksionin mbikëqyrës dhe përfaqësues, nëpërmjet llogaridhënies së Qeverisë dhe përmirësimit të përfaqësimit të zgjedhësve.
- Qytetarët të bëhen pjesë në zhvillimet demokratik të vendit, të jenë të përgatitur të kërkojnë llogari nga deputetët dhe të jenë aktivë në reforma.

Kuvendi është një nga komponentët e PACEP. Përtej Kuvendit, projekti do të mbulojë aktivitete, që synojnë asistencë për qytetarët, institucionet e pavarura, organizatat e shoqërisë civile dhe median.
Projekti PACEP ka përfunduar fazën e parë të vlerësimit dhe konceptimit dhe ka nisur fazën e zbatimit të aktiviteteve.
1. Donatori:
PACEP është një projekt me finacim zviceran. Konfederata Zvicerane përfaqësohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC). SDC është autoriteti ekzekutiv për aplikimin e marrëveshjes dhe zbatimin e plotë të projektit. SDC ka deleguar përgjegjësinë tek Ambasada Zvicerane në Shqipëri.

2. Partnerë zbatues të PACEP do të jenë:

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE)

Fokusi kryesor i ndërhyrjes së OSBE-së do të jetë në lehtësimin e hartimit të planit strategjik për Kuvendin, në fuqizimin e punës së komisioneve dhe në ngritjen e sistemit e-legjislacion.

Instituti Demokratik Amerikan (NDI)

Ndërsa fokusi i ndërhyrjes së NDI do të jetë fuqizimi i kapaciteteve të kërkimit për administratën e Kuvendit dhe promovimi i edukimit qytetar.

3. Parlament partner:

Shërbimet Parlamentare Zvicerane (ShPZ)

PACEP parashikon dhe përfshirjen e Shërbimeve Parlamentare Zvicerane, të cilët do të ndajnë ekspertizën e tyre me Shërbimet e Kuvendit, në fushën e mbikëqyrjes dhe kontrollit si dhe në fushën e edukimit të publikut.
Me qëllim që të sigurohet mbështetje e përgjithshme e projektit, si dhe të trajtohen çështjet e politikave, sipas përcaktimeve të marrëveshjes është themeluar Bordi Këshillimor i projektit (BKP). Bordi përbëhet nga anëtarët e mëposhtëm:

o Znj. Vasilika Hysi, zëvendëskryetare Kuvendi (bashkëkryesuese) - përfaqësuese e Kryetarit të Kuvendit;
o Znj. Elisa Spiropali, ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin (bashkëkryesuese);
o Z. Andrian Maître, Kreu i Misionit Ambasada e Zvicrës (bashkëkryesues);
o Z. Genci Gjonçaj, Sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit;
o Z. Bernd Borshardt, Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri (bashkëkryesues);
o Znj. Ana Kovacevic Kadovic, Drejtore ekzekutive e Institutit Kombëtar Demokratik;
o Znj. Vilma Bello, deputete, përfaqësuese e grupit parlamentar të partisë Socialiste;
o Z. Enver Roshi, deputet, përfaqësuesi i grupit parlamentar të pavarur;
o Znj. Rudina Hajdari, deputete, kryetare e grupit parlamentar demokrat.

Bordi Këshillimor kryen detyrat e mëposhtme:
Ø mbështet Projektin dhe jep zgjidhje për problemet e rëndësishme të zbatimit;
Ø lehtëson gjetjen e zgjidhjeve miqësore të dallimeve të mundshme, në rast se ato dalin gjatë zbatimit të projektit;
Ø diskuton e shkëmben informacione për politikën e projektit dhe çështjet që lidhen me të;
Ø rishikon rregullisht arritjet e projektit dhe jep komente në lidhje me zhvillimin e tij;
Ø rishikon dhe komenton në lidhje me termat e referencës së vlerësimit të jashtëm të projektit apo misioneve rishikuese.


Bordi


Për të mbështetur dhe shoqëruar planifikimin dhe zbatimin e projektit, sipas përcaktimeve të marrëveshjes është ngritur Komisioni Teknik i Kuvendit. Ky Komision përbëhet nga përfaqësuesit teknikë të mëposhtëm:
o Znj. Kledia Nelaj përfaqësuese nga Kabineti i Kryetarit të Kuvendit;
o Znj. Marsila Osmani përfaqësuese nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit;
o Znj. Suela Jahaj përfaqësuese nga ministri i Shtetit për marrëdhëniet me Parlamentin;
o Znj. Erisa Lame përfaqësuese nga Ambasada Zvicerane në Shqipëri;
o Znj. Miranda Veliaj Ostrosi përfaqësuese nga OSBE;
o Z. Gasper Gjeluci përfaqësues nga Instituti Kombëtar Demokratik.

Komisioni Teknik garanton ndjekjen e projektit dhe kryen detyrat e mëposhtme:
Ø mbështet në çdo hap procesin e zbatimit dhe planifikimit të projektit;
Ø udhëheq diskutimet teknike për të gjitha çështjet e rëndësishme;
Ø miraton rezultatet kryesore të projektit;
Ø drejton zbatimin e projektit sipas prioriteteve të Kuvendit të Shqipërisë dhe koordinon të gjitha aktivitetet e planifikuara.

Komisioni




Ka filluar puna mbi aktivitetet si më poshtë vijon:

Plani Strategjik – Administrata e Kuvendit asistuar nga Projekti, po harton një Plan Strategjik institucional, i cili do të detajojë punën e institucionit në 5 vitet e ardhshme.

e-legislation – Ka filluar puna mbi krijimin e sistemit legjislativ të integruar dhe transparent që do të përmirësojë dhe lehtësojë aksesin në ligjet e konsoliduara dhe në të dhënat parlamentare. Kjo do të realizohet nëpërmjet sistemit të integruar e-legjislacion, që do të sigurojë mbështetje për konsolidimin e legjislacionit si dhe do të sigurojë digjitalizimin e të dhënave të shkuara parlamentare si dhe integrimin i tyre në këtë system.

Kërkimi Parlamentar - Kuvendi po asistohet në përmirësimin e cilësisë dhe llojet e produkteve kërkimore, që u vihen në dispozicion deputetëve. Ka përfunduar me sukses faza e parë e mentorimit të Shërbimit të Kërkimit Parlamentar.

Mbikëqyrja dhe Kontrolli – Shërbimet Parlamentare Zvicerane kanë ofruar ekspertizën e tyre në hartimin e një udhëzuesi për të përmbledhur dhe detajuar procedurat e kontrollit parlamentar, si dhe të krijojë formate standarte për raportimin e tij.

Çështjet gjinore – Në përputhje me objektivat e Kuvendit dhe të PACE, është hartuar plani i veprimit për një parlament me ndjeshmëri gjinore. Ky plan veprimi do të bëhet pjesë integrale e Planit Strategjik të Kuvendit.

Praktika parlamentare – Të rinj, që duan të mësojnë dhe punojnë në Kuvendin, kanë mundësinë të zhvillojnë një praktikë pranë shërbimeve të administratës së Kuvendit.

Edukimi Qytetar – Shërbimet Parlamentare Zvicerane kanë ofruar ekspertizën e tyre në hartimin e skenarëve dhe diversifikimin e tureve parlamentare. Qytetarët mund të ndjekin këto ture për të mësuar më shumë mbi Kuvendin.

Edukimi qytetar – Është organizuar Akademia e Voskopojës për nxënës të shkollave të mesme, ku një ditë I është fokusuar Kuvendit dhe veprimtarisë së tij.