Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës (PACE)

Asambleja Parlamentare e Këshilllit të Europës është organi legjislativ i Këshillit të Europës, një organizatë ndërkombëtare e përbërë nga 47 shtete anëtare, që përkushtohet në ruajtjen dhe bashkëndarjen e vlerave për të drejtat e njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës të cilat janë “trashëgimia e përbashkët” e popujve europianë. Asambleja monitoron vendet anëtare për zbatimin e të drejtave të njeriut, nxit shtetet në arritjen dhe ruajtjen e standarteve demokratike dhe shërben si një nga instrumentat për respektimin e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Si një forum ku zhvillohen debate mbi çështjet kryesore politike dhe sociale me të cilat përballet kontinenti, Asambleja ndihmon për të shmangur konfliktet dhe për të inkurajuar pajtimet mes shteteve. Asambleja sipas statutit, në zbatim të kompetencave të saj mund të: Zhvillojë misione fakt – mbledhëse lidhur me shkeljet e të drejtave të njeriut; Marrë në pyetje presidentë dhe kryeministra në lidhje me çështje të ndryshme që ajo konsideron të rëndësishme; Vëzhgojë zgjedhjet dhe të dërgojë delegacione për të ndërmjetësuar në vendet ku ka kriza; Propozojë dhe japë mendime mbi traktatet duke nxitur njëkohësisht hartimin e ligjeve të reja kombëtare të vendeve anëtare; Shqyrtojë kërkesën për anëtarësim të një shteti; Sanksionojë një shtet anëtar duke rekomanduar përjashtimin ose pezullimin e tij. Shqipëria është anëtare e Këshillit të Europës që në vitin 1995 dhe përfaqësohet në APKiE nga katër anëtarë dhe katër zëvendësues. Delegacioni i Kuvendit të Shqipërisë merr pjesë në punimet e sesioneve, mbledhjet e komisioneve dhe në aktivitete të tjera të organizatës. APKiE mblidhet katër herë në vit në një seancë plenare javore në Palais de l’Europe në Strasburg. Parlamentet kombëtare të vendeve anëtare delegojne 324 përfaqësues dhe 324 zëvendësues të tyre në Asamble. Secili vend, në varësi të popullsisë ka edhe numrin e anëtarëve të delegacionit, përfaqësuesit e të cilit janë reflektimi i ekuilibruar i forcave politike në parlamentin kombëtar. Përveç gjuhës angleze dhe frënge, të cilat janë gjuhë zyrtare të Këshillit të Europës, APKiE përdor si gjuhë pune edhe gjuhët gjermane, italiane, ruse dhe turke. Përfaqësimi Parlamentar Puna e Asamblesë përgatitet nga tetë komisione dhe nga Byroja që përbëhet prej: Kryetarit të Asamblesë, 20 Nënkryetarëve, Kryetarëve të pesë grupeve politike dhe Kryetarëve të Komisioneve. Kryesuesi i secilit delegacion zgjidhet mes anëtarëve të vet çdo vit, për një periudhë jo më shumë se dy sesione. Ndërkohë që në komisionin e ministrave çdo shtet anëtar ka një votë, në Asamblenë Parlamentare secili anëtar i delegacioneve të parlamenteve kombëtare ka të drejtën e votës. Statusi i të ftuarit të veçantë Për të lehtësuar procesin e anëtarësimit të vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, Asambleja që në vitin 1989 krijoi statusin e të ftuarit të veçantë, për të gjithë parlamentet kombëtare të vendeve europiane jo-anëtare, të cilat nënshkruanin Aktin Final të Helsinkit dhe Kartën e Parisit. Tani statusi është i hapur për parlamentet e shteteve që kanë aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Europës. Vendimi për dhënien e statusit të të ftuarit të veçantë merret nga Byroja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Vëzhguesit Asambleja, me propozim të Byrosë mund të pranojë parlamentet kombëtare të vendeve jo – anëtare në Këshillin e Europës, me statusin e vëzhguesit dhe specifikon numrin e anëtarëve të delegacioneve vëzhguese (SHBA, Kanada, Izrael, Meksikë). Anëtarët e këtyre delegacioneve marrin pjesë si në mbledhjet e Asamblesë, ashtu edhe në ato të komisioneve. Ata kanë të drejtën të flasin në mbledhje me autorizim të Kryetarit të Asamblesë, por nuk gëzojnë të drejtë vote. Grupet Politike Asambleja ka pesë grupe politike: Grupi i Partisë Popullore Europiane (EPP/CD); Grupi Socialist (SOC); Grupi i Konservatorëve Europian (EC); Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve për Europën (ALDE); Grupi i të Majtës së Unifikuar Europiane (UEL). Grupet politike duhet të angazhohen për të respektuar promovimin e vlerave të Këshillit të Europës, e në veçanti pluralizmin politik, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Për të krijuar një grup politik është e nevojshme që të bien dakord njëzet anëtarë të Asamblesë së Këshillit nga të pakten gjashtë delegacione nga vende të ndryshme. Anëtarët e Asamblesë janë të lirë të zgjedhin grupin në të cilin duan të jenë pjesë dhe përpara se të vendosin ata mund të ndjekin mbledhjet e një ose më shumë grupeve. Byroja Byroja e Asamblesë përbëhet nga Kryetari i Asamblesë, njëzet nën – kryetarët, kryetarët e grupeve politike, ashtu si edhe kryetarët e komisioneve të APKiE-së ose zëvendësit e tyre. Shtetet e mëdha kanë përfaqësim të përhershëm në Byro ndërsa vendet më të vogla përfaqësohen sipas rradhës. Detyrat e shumfishta të byrosë janë: përgatitja e axhendës së Asamblesë, i përcjellja dokumenteave për shqyrtim në komisione, menaxhimi i punëve të përditshme, menaxhimi i marrëdhënieve me organizmat e tjera ndërkombëtare, etj. Komisioni i Përhershëm Ky komision përbëhet nga Byroja dhe Kryetarët e delegacioneve të shteteve anëtare. Me rotacion, ky komision mblidhet dy herë në vit në një nga shtetet anëtare të Këshillit të Europës dhe detyra kryesore është të veprojë për llogari të APKiEs kur nuk ka sesion. Komisioni i Përbashkët Është një forum i ngritur për të koordinuar aktivitetet dhe për të mbajtur marrëdhënie të mira midis Komisionit të Ministrave dhe Asamblesë. Përbëhet nga përfaqësues të qeverisë së secilit shtet anëtar dhe nga përfaqësues të këtyre shteteve në Asamble. Komisionet e Asamblesë Sipas rregullores APKiE ka nëntë komisione: Komisioni për Çështjet Politike dhe të Demokracisë; Komisioni për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut; Komisioni për Çështjet Sociale, Shëndetsore dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm; Komisioni për Çështjet e Emigracionit, Refugjatëve dhe Personave të Zhvendosur; Komisioni për Çështjet e Kulturës, Shkencës, Arsimit dhe Medias; Komisioni për Çështjet e Barazisë dhe mos – Diskriminimit; Komisioni i Mbikëqyrjes; Komisioni i Rregullores, Imunitetit dhe Çështjeve Institucionale; Komisioni për Zgjedhjen e Gjyqtarëve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Byroja dhe Komisioni i Përhershëm nuk futen në këtë listë dhe po ashtu as Komisionet e Posaçme që i përgjigjen direkt Byrosë. Në interes të punës së tij, një komision mund ngrejë një ose më shumë nën – komisione të posaçme, të cilëve u përcakton saktë përbërjen, kompetencat dhe kohëzgjatjen e punës së tyre. Anëtarët nuk mund të jenë më shumë se një e treta e totalit të anëtarëve të komisionit “mëmë”. Nën – komisionet nuk miratojnë raporte dhe vendimet e tyre parashtrohen në mbledhjet e komisioneve që e ka ngritur atë. Dokumentat e Punës Asambleja mund të miratojë tre lloje dokumentash: rekomandime, rezoluta dhe opinione. Rekomandimet përmbajnë propozime që i adresohen Komisionit të Ministrave të vendeve anëtare, zbatimi i të cilave është kompetencë e qeverive të tyre; Rezolutat janë vendimet dhe shprehja e këndvështimeve të Asamblesë mbi çështje për të cilat është përgjegjëse; Opinionet shprehen nga Asambleja për aplikimet për anëtarësim në Këshillin e Europës, për draft konventat dhe për tekste të tjera që përcillen nga Komisioni i Ministrave. Për propozimin e një rekomandimi apo rezolute duhet marrëveshja e njëzet apo më shumë anëtarëve të Asamblesë dhe që janë pjesë e së paku pesë delegacioneve të vendeve anëtare. Më pas propozimet i përcillen komisioneve për të marrë një opinion apo një raport. Përmes Deklaratave të shkruara anëtarët e Asamblesë shprehin këndvështrimin e tyre formal mbi çështje brenda kompetencave të Këshillit të Europës. Këto deklarata firmosen nga të paktën njëzet përfaqësues të shteteve anëtare ose zëvendësuesit e tyre nga katër shtete të ndryshme dhe dy parti politike. Një anëtar i Asamblesë mund t’i adresojë me shkrim një çështje Komisionit të Ministrave apo Kryetarit të Komisionit të Ministrave lidhur me detyrat brenda kompetencave të Asamblesë. Ky dokument qarkullohet, i kthehet përgjigje nga Komisioni i Ministrave dhe publikohet njëlloj si çdo dokument tjetër i Asamblesë. Përveç këtyre dokumentave Asambleja shqyrton edhe Raportet e Komisioneve të cilat pergatiten nga raporterët, miratohen në komision dhe paraqiten për diskutim në Asamble gjatë zhvillimeve të një sesioni ose në mbledhjen e radhës të Komisionit të Përhershëm. Një raport zakonisht përmban një ose më shumë drafte (një rekomandim ose opinion drejtuar Komisionit të Ministrave dhe me raste edhe një rezolutë). Këto tekste janë e vetmja pjesë e raportit e cila votohet në komision dhe më pas amendohet nga Asambleja gjatë seancës plenare. Memorandumi Shpjegues përgatitur nga raporteri, përcakton arsyet e komisionit për propozime në tekstin përkatës. Bashkëpunimi Ndërparlamentar dhe Marrëdhënet me Jashtë Programi pan europian për bashkëpunimin mes parlamenteve me asistencën e Asamblesë Parlamentare (DEMOPARL) është i hapur si për shtetet anëtare ashtu edhe për ato shtete që kanë statusin e të ftuarit të veçantë. Programi mbulon veçanërisht tre fusha: (1) informimin dhe trajnimin për parlamentarët dhe stafin e parlamenteve; (2) bashkëpunimin dypalësh dhe shumëpalësh në fushën e legjislacionit; (3) ndihmon për dokumentacionin dhe organizimin e mbledhjeve. Marrëdhëniet me jashtë të Asamblesë drejtohen nga Byroja dhe përfshijnë parlamentet kombëtare të shteteve anëtare, parlamentet e shteteve jo – anëtare, asambletë parlamentare ndërkombëtare dhe organizatat ndërkombëtare ndërqeveritare. Marrëdhëniet me parlamentet kombëtare mbulohen nga dispozitat e anëtarësimit, statusit të të ftuarit të veçantë ose atë të vëzhguesit, APKiE ka zhvilluar marrëdhëniet e saj me të tjera asamble parlamentare ndërkombëtare, siç janë: Parlamenti Europian, Asambleja Parlamentare e OSBE-së, Unioni Ndërparlamentar, Benelux-i, Këshilli i Veriut, PABSEC, CIS etj. Për shumë vite APKiE ka funksionuar si forum parlamentar edhe për një numër të caktuar organizatash ndërqeveritare, në veçanti OECD, dhe ka krijuar marrëdhënie të ngushta me organizata të veçanta si BERZH e shumë agjenci të specializuara të Kombeve të Bashkuara. Vëzhgimi i zgjedhjeve Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës është organi që institucionalizoi për herë të parë vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare në Europë. Nisma e parë e procesit të vëzhgimit të zgjedhjeve u zhvillua në vitin 1974 në Greqi. Që nga themelimi i saj e deri para viteve ’90, organizata arriti të kishte në përbërjen e saj 23 shtete anëtare. Pas vitit 1989 në Këshillin e Europës u anëtarësuan edhe 24 shtete të tjera nga Europa Qëndrore dhe Lindore. Kjo nxiti Asamblenë të zhvillojë sistematikisht misionin e vëzhgimit të zgjedhjeve në vendet anëtare. Byroja vendos nëse është i nevojshëm misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve apo edhe nëse është e dobishme për të vizituar vendin e interesuar para ose pas zgjedhjeve. Në vijim të misionit, kryetari i delegacionit që është angazhuar për të vëzhguar zgjedhjet në një shtet të caktuar, përgatit një projekt raport të cilin e përcjell tek Byroja dhe kjo e fundit ia kalon më pas Asamblesë. Asambleja në përmbushjen e misionit të saj të vëzhgimit të zhgjedhjeve bashkëpunon me: Asamblenë Parlamentare të OSCEsë, ODHIR, Parlamentin Europian dhe Asamblenë Parlamentare të NATOs. Zgjedhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës zgjedh gjyqtarët e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut bazuar mbi rregulla demokratike. Sipas Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, gjyqtarët duhet “të kenë integritet të lartë moral dhe të zotërojnë kualifikimet e kërkuara për funksione të larta gjyqësore ose të jenë juristë me kopetenca të mirënjohura.” Për sigurimin e këtyre standarteve ka dy faza për procesin e zgjedhjes. Së pari, një proces zgjedhjeje që realizohet brënda shtetit anëtar, në të cilin çdo parlament zgjedh një listë me tre kandidatë të kualifikuar; së dyti, një proces zgjedhjeje që realizohet nga Asambleja ku parlamentarët vlerësojnë kualifikimet e tre kandidatëve para se ato të kalojnë në fazën e votimit për t’u bërë gjyqtar. Për zgjedhjen e tre kandidatëve, shteti anëtar duhet të sigurojë që procedura e përzgjedhjes të jetë e drejtë dhe transparente, duke bërë thirrje të hapur publike për kandidatët. Për të siguruar barazinë gjinore në Gjykatë, shteteve u kërkohet që në listën e kandidatëve të jetë edhe një kandidat i “seksit më pak të përfaqësuar”, përveç disa rasteve përjashtuese. Sot, si rezultat i këtij standarti, rreth një e treta e gjyqtarëve në gjykatë janë gra. Ndërsa për të siguruar kandidatë të kualifikuar, një panel ekspertësh ndërkombëtarë të Këshillit të Europës asistojnë qeveritë përmes këshillimit për kandidatët potencialë përpara se t’i dërgojnë listën me tre emra Asamblesë. Pasi Asambleja merr listën e kandidatëve, një komision i veçantë parlamentarësh me eksperiencë ligjore interviston secilin nga tre kandidatët dhe shqyrtojnë jetëshkrimin e tyre përpara rekomandimit për pranimin apo mospranimin e listës. Pas vlerësimit komisioni në rast pranimi të kandidaturave jep rekomandimet. Në rast mos pranimi u kërkohet shteteve të sjellin një listë të re. Asambleja e përbërë nga 324 parlamentarë bazuar nga rekomandimet e komisioneve voton gjatë seancës plenare kandidatët përmes një votimi të fshehtë. Në raundin e parë kërkohet shumica absolute e votave. Nëse kjo nuk arrihet, mbahet një raund i dytë ku sipas rregullave kandidati që ka më shumë vota është ai që zgjidhet për të shërbyer në gjykatë për një mandat të vetëm nëntë vjeçar. Ky informacion u mor dhe u përpunua nga faqja zyrtare e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe arkiva e Kuvendit të Shqiperisë. Perditesimi i fundit: 21.04.2017 Autore: Jerina Luka http://www.assembly.coe Kryetar: Ervin Bushati Anëtar/e: Klotilda Bushka Anëtar/e: Eglantina Gjermeni   Zëvendësues/e: Almira Xhambulla Zëvendësues/e: Klodiana Spahiu  Kontakt Drejtoria e Marrëdhënieve me Jashtë Tel: +355 42 232 578 Fax: +355 42 227 949 irma.pashkja@parlament.al