Komisioni për Integrimin Europian, seancë dëgjimore me z. Sandër Lleshaj, Ministër i Brendshëm

  • Postuar më, 09/03/2020

Komisioni për Integrimin Europian, në drejtimin e znj. Rudina Hajdari zhvilloi seancën dëgjimore parlamentare, me z. Sandër Lleshaj, Ministër i Brendshëm, për temën “Lufta Kundër krimit të organizuar”. 
Në fjalën e tij Z. Lleshaj, raportoi mbi punën e bërë në përmbushje të rekomandimeve të raportit të Komisioni Evropian për vitin 2019. Ai theksoi se “Shqipëria ka kryer reforma të thella ligjore e institucionale dhe ka bërë progres të dukshëm në konsolidimin e rendit e të sigurisë, dhe në luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit. Një ndër prioritetet kryesore të Ministrisë së Brendshme ka qenë goditja e krimit të organizuar dhe korrupsionit, e cila reflektohet në masat e marra në këtë drejtim dhe nivelet e ulëta të treguesve të kriminalitetit. Në këtë luftë pa kompromis janë angazhuar të gjitha strukturat e Ministrisë së Brendshme në bashkëpunim me ato ligjzbatuese. Raporti reflekton punën e bërë në kuadër të përmbushjes së rekomandimeve të progres-raportit të KE për vitin 2019, dhe bazohet në të dhënat e Ministrisë së Brendshme, statistikat zyrtare të Policisë së Shtetit, citimet e Progres Raportit të Komisionit Evropian të vitit 2019 në luftën kundër krimit të organizuar, drogës, financimit të terrorizmit dhe luftën kundër korrupsionit”. 
Gjatë diskutimit kryetarja e komisionit, Hajdari i mëshoi tri pikave kryesore sipas saj, që kishin të bënin, me raportin nga Komisioni Evropian lidhur me kriminalitetin, korrupsionin, si dhe numrin në rritje e azilkërkuesve shqiptarë, drejt vendeve të BE-së. 
Z. Lleshaj pohoi se numri i azilkërkuesve ka ardhur gjithnjë e në ulje duke e krahasuar atë me vitet e mëparshme, kjo krahas iniciativës së marrë nga vendet e BE-së për të vendosur kritere të ashpra por dhe vendit tonë.
 
Një temë e rëndësishme është dhe “lufta” që Policia e Shtetit i ka shpallur krimit të organizuar dhe pasurive të tij përmes Operacionit Forca e Ligjit,  si akti normativ, i njohur ndryshe si paketa anti-KÇK do të sjellë risi në luftën kundër krimit dhe shumë shpejt do të krijohen dhe struktura të reja kundër krimit ekonomik, ku ministri theksoi:
“Lufta me krimin e organizuar vijon të mbetet prioritet i Ministrisë. Akti i fundit normativ është një risi në këtë luftë. Rezultatet e këtij ligji do të sjellin qasje të re.
Rezultatet e para janë të prekshme. Brenda javës krijohet dhe struktura kundër krimit ekonomik. Deri tani nga Operacioni Forca e Ligjit janë kryer rreth 360 aksione, OFL mbulon vetëm një segment, për logjistikën ekonomike kriminale. Kjo luftë është vlerësuar dhe nga ndërkombëtarët. Për të 4-in vit policia vlerësohet me çmim të parë”, u shpreh z. Lleshaj.
Nga ana e saj nënkryetarja e komisionit znj. Senida Mesi, vlerësoi punën e Ministrisë së Brendshme në luftën kundër krimit të organizuar. 
Gjithashtu gjatë diskutimit u prekën dhe tema të tjera si dhuna në familje apo dyndja e refugjatëve sirianë në Shqipëri.