Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi ndryshimet në ligjin për “Kodin e Proçedurës Penale”

  • Postuar më, 09/03/2020

Në drejtimin e kryetares znj. Ermonela Felaj, komisioni për Sigurinë Kombëtare mori në shqyrtim projektligjin  “Për disa ndryshime në ligjin “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”



Znj.Felaj sqaroi se ndryshimet që propozohen në Kodin e Proçedurës Penale janë ato që pasojnë ndryshimet që u bënë në Ligjin për Administrimin e Pronave të Sekuestruara . “Sipas atij ligji Agjencia do të marrë në administrim edhe sendet që janë provë materiale por që normalisht për Gjykatën, Prokurorinë dhe Policinë jo pak herë, sekuestrimi I tyre, ka rezultuar problematike përsa i takon administrimit “ vijoi znj.Felaj.


Për të prezantuar ndryshimet e propozuara në komision ishte  I pranishëm Drejtori i Përgjithshëm I Kodifikimit dhe Harmonizimit të Legjislacionit në  Ministrinë  e Drejtësisë,  z. Besmir Beja, i cili vuri ne dukje se ndryshimet që propozohen, vijnë në kuadrin e paketës anti KÇK. “Qëllimi I këtij projektligji është  të bëhet i mundur sanksionimi si vepër penale e posedimit të pasurive për të cilat është vendosur konfiskimi.  Nëpërmjet këtij projektligji synohet sigurimi i administrimit nga një organ I posaçëm dhe njohja e të drejtës së organit administrativ për t’I paraqitur kërkesën organit proçedues për tjetërsimin ose asgjësimin e provave materiale” theksoi  z.Beja.


Pas pyetjeve dhe diskutimeve nga anëtarët, komisioni miratoi në parim nen për nen dhe në tërësi  projektligjin në fjalë.