Delegacioni nga Komisioni për Politikën e Jashtme nën kryesimin e znj. Kodheli vizitë dyditore në Mal të Zi
- Postuar më, 24/02/2020

24 shkurt 2020
Me ftesë të
Kryetarit të Komisionit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Disporën z. Andrija
Nikolic në Parlamentin e Malit të Zi, nën kryesimin e znj. Mimi Kodheli, një
delegacion nga Komisioni për Politikën e Jashtme është duke zhvilluar një vizitë
zyrtare në Podgoricë.
Gjatë ditës së
parë së vizitës delegacioni shqiptar u prit nga Kryetari i Parlamentit z. Ivan
Brajovic. Kryetari Brajovic ndërsa theksoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy
vendeve nënvizoi rëndësinë e rritjes së shkëmbimeve tregtare. Ai shprehu ngushëllimet
e vendit të tij lidhur më tërmetin e 26 nëntorit të kaluar në Shqipëri e
shprehu solidaritetin e popullit malazez me ngjarjen e ndodhur.
Sa i përket
integrimit në BE, zoti Brajovic tha se përgjigjia negative e vitit të shkuar është
një gabim katastrofik, por shtoi se pret zhvillime pozitive nga Presidenca
kroate sa i përket çështjes së zgjerimit.
Delegacioni
parlamentar nga Shqipëria zhvilloi takimin me komisionin homolog, pritës në këtë
vizitë. Z. Nikolic shprehu kënaqësinë e tij për pranimin e ftesës dhe mundësinë
që edhe delegacioni shqiptar të ndiejë të njëjtën mikpritje që ju ofrua gjatë
vizitës së shkuar në Kuvendin e Shqipërisë. Duke vijuar ai u shpreh se marrëdhëniet
bilaterale i shërbejnë klimës së mirë të rajonit, por ndërkohë janë një shembull
për të gjithë Ballkanin. Diskutimet u ndalën mbi ligjin për përdorimin e
simboleve zyrtare miratuar në Malin e Zi, por edhe atë të minoriteteve, të
votuar përpara dy vitesh në Kuvendin e Shqipërisë.
Po ashtu
parlamentarët patën mundësi të takojnë grupin e miqësisë Mal i Zi - Shqipëri
udhëhequr nga z. Genci Nimanbegu, njëherazi Nënkryetar i Kuvendit të Malit të
Zi. Theksi u vu mbi projektet e përbashkëta, sidomos atij në lumin e Bunës, që
do ti vinte në ndihmë të gjithë rajonit.
Nga ana e saj
znj. Kodheli falenderoi për mikëpritjen palën malazeze, si dhe ndihmën e menjëhershme
pas tërmetit. Ajo tha se ndërtimi i urave të bashkëpunimit i shërben vetëm të
mirës së dy popujve tanë, ndërsa kërkoi bashkëpunimin e faktorit shqiptar në
Mal të Zi për të arritur rezultate edhe më të mira. Gjithashtu znj. Kodheli
falenderoi për mbështetjen gjatë kërkesës për Presidencës së OSBE ashtu siç kërkoi
votën për kandidaturën e Shqipërisë për një vend jo të përhershëm në Këshillin
e Sigurimit të Kombëve të Bashkuara.
Ditën e dytë të
vizitës në Podgoricë delegacioni do të pritet në takim nga Zëvendëskryeministri
dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi.