Dy nënkomisione parlamentare zhvillojnë seancë dëgjimore për funksionimin e Mekanizmit të koordinuar të referimit të rasteve të dhunës në familje
- Postuar më, 11/02/2020

Nënkomisioni
Parlamentar për Barazinë Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës ndaj Grave, Nënkomisioni
për Çështjet Vendore, si dhe Aleanca e Grave Deputete, organizuan një seancë
dëgjimore me përfaqësues nga institucionet shtetërore, shoqëria civile, shoqatat
vendore, lidhur me funksionimin e Mekanizmit të koordinuar të referimit të
rasteve të dhunës në familje në nivel vendor.
Tryeza e drejtuar
nga kryetarja e Nënkomisionit Parlamentar për Barazinë Gjinore dhe Parandalimin
e Dhunës ndaj Grave, znj. Eglantina Gjermeni, pati si agjendë diskutimi evidentimin e problematikave
që shfaqen në praktikë, si dhe në dhënien e rekomandimeve për mënyrën e funksionimit
të këtyre mekanizmave për të parandaluar dhe trajtuar rastet e dhunës ndaj gruas
dhe dhunës në familje.
E para që referoi
rreth problematikave ishte zëvendësministrja e Brendshme znj. Romina Kuko, e cila
renditi si shqetësim mosrakordimin e numrit të rasteve të referuara nga punonjësit
në nivelin vendor me denoncimet e
ardhura në polici, por dhe mungesën e një institucioni menaxher të rasteve të
dhunës në familje. “Ajo që na duhet të bëjmë
në këtë moment, është që të konfigurojmë një menaxher rasti, i cili ka përgjegjësitë
ligjore, i cili merr ecurinë e vetë disiplinore, i cili mban të gjithë peshën e ndjekjes së këtij
rasti, i cili koordinon institucionet në nivelin vendor”, propozoi znj.Kuko.
Më tej diskutimet
u vijuan nga znj.Merita Xhafaj, drejtore e Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë
dhe Mbrojtjes Sociale, e cila pasi bëri një ekspoze të hapave që janë ndërmarrë
deri më tani, ka theksuar se po punohet
për ngritjen e Mekanizmit të Koordinuar të Referimit në të 61 bashkitë e vendit,
por dhe rritjes së efektivitetit të të gjitha mekanizmave të koordinuar të
referimit. Ajo konstatoi më tej se Komiteti Drejtues, i cili mblidhet nga drejtuesit
vendorë të bashkive, mbetet hallka më e dobët në arkitekturën e MKR-së.
Përfaqësuesja e
Ministrisë së Drejtësisë, znj.Iris Aliaj sqaroi kontributin që institucionet e
drejtësisë japin në mekanizmat e referimit kundër dhunës, duke u fokusuar në
ligjin “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti”, i cili mundëson dhënien e
ndihmës juridike falas për gratë e dhunuara. Znj.Aliaj bëri të ditur se brenda muajit mars,
parashikohet të përfundojnë të gjitha
aktet nënligjore, ndërkohë që Ministria e Drejtësisë ka filluar të hapë zyrat e
para të ndihmës juridike parësore.
Të ftuar për të
diskutuar rreth problematikave ishin edhe përfaqësuesit e shoqatave të
pushtetit vendor. Znj. Adelina Farrici nga Shoqata për Autonominë Vendore,
ngriti si shqetësim mungesën e burimeve njerëzore të trajnuara dhe të kualifikuara
në pushtetin vendor, për ofrimin e ndihmës ndaj grave të dhunuara; por dhe mosfunksionimit
të të gjitha Komiteteve drejtuese të MKR nëpër bashkitë e vendit. Ndërsa z. Agron
Haxhimali nga Shoqata e Bashkive, propozoi rajonalizimin e këtyre mekanizmave
dhe shërbimeve në disa qendra të mëdha.
Pjesë e
diskutimeve ishin përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët ndanë eksperiencat e tyre lidhur me trajtimin rasteve të dhunës në familje, si dhe ndanë
propozime konkrete për të adresuar problematikat e hasura në praktikë.