Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut zhvillon konsultim publik për “Paketën penitenciare”
- Postuar më, 10/02/2020
10 shkurt 2020
Komisioni për Çështjet Ligjore,
Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në cilësinë e komisionit përgjegjës,
zhvilloi një tryezë të gjerë konsultimi publik për “Paketën penitenciare”. Pjesë
e paketës janë projektligjet: “Për të drejtat dhe trajtimin e të
dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”; “Për Policinë e Burgjeve”; “Për
organizimin dhe funksionimin e shërbimit të provës”, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin
nr.8331, datë 21.4.1998, “Për ekzekutimin e vendimeve penale”, të ndryshuar.
Relatorë të projektligjeve janë deputetët Vasilika Hysi dhe Adnor Shameti. Të ftuar
në mbledhje ishin përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme, Shkolla e Magjistraturës,
Avokati i Popullit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Komiteti Shqiptar
i Helsinkit, Fakulteti i Drejtësisë Tiranë, Fakulteti i Drejtësisë Durrës,
Fakulteti i Drejtësisë Vlorë, Shoqata e Avokatëve Penalistë, Unioni i Gjyqtarëve/Shoqata
e Gjyqtarëve, Unioni i Prokurorëve, OPDAT,
Misioni Euralius, Prezenca e OSBE, Delegacioni BE, Zyra e Këshillit të Europës,
UNICEF, CRCA, Qendra Shqiptare e Rehabilitimit të Traumës dhe Torturës, etj.
Në nisje të mbledhjes, kryetari i komisionit,
Ulsi Manja e cilësoi paketën me ndryshimet ligjore si tepër të rëndësishme, e
cila në kuadër të transparencës parlamentare, po i nënshtrohet dëgjesës publike
përpara diskutimit dhe shqyrtimit nen për nen të projektligjeve.
“Është një paketë e plotë ligjore që synon të
rregullojë menaxhimin në sistemin peritenciar në Shqipëri, nën frymën e
konventave evropiane dhe ndërkombëtare më të mira që rregullojnë këtë fushë,
por pse jo edhe për të reflektuar dinamikën e zhvillimit të legjislacionit në
Shqipëri në kuadrin e proceseve të integrimit”, u shpreh z.Manja.
Bashkë-relatorja e
projektligjeve, Vasilika Hysi, sqaroi se paketa e projektligjeve që lidhet me
sistemin e paraburgimit dhe të burgjeve është në diskutim në një grup pune, të
ngritur nga dy relatorët së bashku me përfaqësuesit e institucioneve zbatuese të
këtyre projektligjeve. Puna ka nisur që në fillim të muajit janar dhe po punohet
paralelisht duke marrë në konsideratë të gjithë opinionet, mendimet dhe sugjerimet
e të gjithë aktorëve për projektligjet apo për dispozita të veçanta të tyre.
Pjesëmarrësit në këtë
tryezë ndanë shqetësimet, opinionet, komentet dhe sugjerimet lidhur me këtë
paketë ligjore.