Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi dy projektligje, nisma të deputetëve

  • Postuar më, 06/02/2020

6 shkurt 2020


Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në cilësinë e komisionit përgjegjës, shqyrtoi dhe miratoi në seancën e sotme dy projektligjet e propozuara si nisma të deputetëve të grupit parlamentar të Partisë Socialiste: z. Alken Hyseni, z. Adnor Shameti dhe z. Edmond Leka.

Për të dy projektligjet, përkatësisht “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”” dhe “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar””, relatoi për komisionin znj. Klotilda Bushka.

Të pranishëm në mbledhjen e sotme ishin ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, z. Artur Metani, përfaqësues të lartë nga KLGJ-ja, KLP-ja, Prokuroria e Përgjithshme dhe EURALIUS.

Njeri ndër tre nismëtarët e projektligjit, z. Alket Hyseni, u shpreh se përmes ndryshimeve të paraqitura në të dy nismat synohet mbushja e boshllëqeve të vërejtura nga praktika e zbatimit të reformës në drejtësi. Z. Hyseni bëri me dije se njeri prej ndryshimeve lidhej me përfshirjen e një mekanizmi zhbllokues, i pakonsideruar më parë, sa i takonte institucionit të betimit. Përmes ndryshimeve të paraqitura nga z. Hyseni, bëhet i pamundur bllokimi i funksioneve dhe fillimit të punës së një gjyqtari edhe në rast të moskryerjes së betimit. Në rastin konkret, sipas prezantimit në komision të z. Hyseni, mund të prezantohet edhe forma me shkrim e betimit, si një formë e njohur në shume praktika kushtetuese në vende të ndryshme demokratike. Gjithashtu, deputeti Alket Hyseni, në emër edhe të nismëtarëve të tjerë, shtoi lidhur me ndërhyrjen e dytë ligjore se Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, për çështje të caktuara që sjellin ndjeshmëri të lartë të publikut, duhet të ketë mundësinë e masave të menjëhershme për masa provizore për ngrirjen e veprimtarisë së zyrtarëve të caktuar sa herë ka dyshime të arsyeshme, përmes provave publike dhe shkresore, që magjistrati abuzon me detyrën, s’është në lartësinë e duhur apo ka probleme me figurën dhe pasurinë.

Znj. Bushka, relatore e projektligjeve, u shpreh se nisma e deputetëve është në frymë të rritjes së besimit të publikut te drejtësia e re dhe ka lindur nga nevoja e kapërcimit të ngërçeve të krijuara nga organet kushtetuese, nga ngërçet e krijuara prej mungesës së mekanizmave të shpejtë dhe prej vonesës së krijimit të KLD, si edhe është pjese e iniciativës së mazhorancës per luftën ndaj elementeve te padenje ne sistemin e drejtësisë dhe pasqyron problematikat e paraqitura nga vetë institucionet gjatë zbatimit të reformës në drejtësi. Znj. Bushka, përgjatë shqyrtimit nen për nen, propozoi në cilësinë e relatores së nismave disa rregullime të teknikes legjislative dhe përmbajtjes, sipas konsultimeve me EURALIUS dhe Ministrinë e Drejtësisë. 

Lidhur me ndryshimin që i garanton ILD-së të ketë mundësinë e masave të menjëhershme për ngrirjen e veprimtarisë së zyrtarëve të caktuar, ministrja Gjonaj u shpreh: “Unë besoj se qartësimi i veprimeve dhe i masës që propozon ILD dhe po ashtu i vendimmarrjes nga të dy Këshillat, garantojnë jo vetëm rikthimin e besimit të qytetarëve te organet e drejtësisë, por po ashtu garantojnë edhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Do të jetë pikërisht Inspektori që, nëse do të nisë procedimin disiplinor ndaj një magjistrati, do të jetë ai që do të vendosë nëse veprimet e ndërmarra nga një magjistrat, gjyqtar apo prokuror, diskreditojnë figurën e gjyqtarit, prokurorit apo kompromentojnë qëndrimin e tij në detyrë, derisa të merret një vendim përfundimtar lidhur me masën disiplinore ndaj këtij magjistrati. Padyshim, është ILD-ja që propozon, por në fund të fundit, ashtu sikurse Kushtetuta dhe ligji parashikojnë, do të jetë vendimmarrje e të dy këshillave edhe për këtë masë të përkohshme, e cila padyshim është parashikuar me qëllim që të parandalojë më tej shkeljen nga këto subjekte, të cilat evidentohen nga ILD”.

Znj. Gjonaj shtoi se së bashku me EURALIUS dhe nismëtarët, konsulta ka qenë e vazhdueshme, ajo gjithashtu dha dakordësinë e saj lidhur me nismën dhe ndryshimet e sjella. Sa i takonte mekanizmit zhbllokues të kryerjes së betimit, ministrja e Drejtësisë shtoi: “Besimi është aspekt formal, e drejtë e subjektit që duhet të kryejë betimin. Gjithashtu, duhet ta kemi të qartë, se institucioni i parashikuar në Kushtetutë apo ligj, lidhur me përgatitjen e kësaj ceremonie, para të cilit bëhet formula e betimit, nuk e ka një të drejtë, e ka një detyrim. Duke parë që ka patur problematika, sidomos në prezantimin e mekanizmave zhbllokues, për herë te parë, në paketën e reformës në drejtësi, është menduar dhe besoj që është vlerësuar mjaft mirë nga nismëtarët parashikimi i një mekanizmi zhbllokues në formulën e betimit, që nuk bie në kundërshtim me nenin 129 të Kushtetutës sa u takon anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, apo me parashikimet ligjore për anëtarët e tjerë të Gjykatës së Lartë dhe subjektet e tjera të parashikuara në këto ndryshime”. Ministrja shtoi gjithashtu se lidhur me këtë mekanizëm është mbajtur parasysh edhe rekomandimi i Komisionit të Venecias në vitin 2006 për Ukrainën, që parashikonte edhe një forme ndryshe sa i takon aktit të betimit, duke propozuar mekanizmin zhbllokues përmes formës se shkruar, që propozimi i nismëtarëve e sillte.

Në përfundim të pyetjeve dhe diskutimeve nga deputetët e pranishëm, Komisioni për Çështje Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në cilësinë e komisionit përgjegjës, së bashku me shtesat dhe sugjerimet e paraqitura nga relatorja e projektligjit, znj. Bushka, miratoi në tërësi dy projektligjet, që përplotësojnë dhe përmirësojnë paketën e reformës në drejtësi. 




Share