Miratohen në tre komisione parlamentare ndryshimet në ligjin “Për të huajt”

  • Postuar më, 04/02/2020

4 shkurt 2020

Në cilësinë e komisioneve për dhënie mendimi, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ai për Politikën e Jashtme, si dhe Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, shqyrtuan dhe miratuan nen për nen e në parim, projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 108/2013, “Për të huajt”, të ndryshuar”

Të ftuar në komisionet parlamentare për të prezantuar projektligjin ishin z. Etjen Xhafaj, zëvendësministër në Ministrinë për Evropën dhe Punët e jashtme, znj.Rovena Voda, zëvendësministre e Brendshme, znj.Dajna Sorensen, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë, të cilët bënë një ekspoze të ndryshimeve të propozuara.

Zëvendësministri Xhafaj në fjalën e tij sqaroi se projektligji i propozuar synon disa ndryshime në politikën e vizave për të huajt, në kuadër të liberalizimit dhe de-regulimit të të gjitha procedurave, duke mundësuar lëshimin e vizave elektronike on-line.

 “Në kuadër të forcimit të  bashkëpunimit me vendet e rajonit, po në këtë ligj është propozuar gjithashtu që të përjashtohen nga detyrimi për pajisje me leje pune dhe certifikatë regjistrimi shtetasit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, konkretisht: Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Serbia dhe Maqedonia e Veriut dhe kjo është edhe në funksion të të gjithë politikave të deregulimit dhe marrëveshjeve bilaterale që janë nënshkruar në tre vitet e fundit me këto vende”, u shpreh z.Xhafaj.

Zëvendësministrja e Brendshme, znj. Rovena Voda, vlerësoi si risi të këtij ligji uljen e afatit  të lëshimit të lejes së qëndrimit për shtetasit e huaj. “Për të përshpejtuar procedurën e lëshimit të vizave kemi një ndryshim afati nga 60 ditë në 30 ditë”, theksoi znj.Voda. 

Ndërsa zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë,  znj. Dajna Sorensen gjatë prezantimit të saj u fokusua tek elementet që ndryshohen në ligj lidhur me dhënien e lejeve të punës për të huajt në Shqipëri. “Një element shumë i rëndësishëm është reduktimi i kohës së nevojshme për një shtetas të huaj që aplikon në Shqipëri për tu pajisur me leje pune. Aktualisht procedura kërkon që 30 ditë të bëhej nga punëdhënësi  shpallja e vendit vakant, e ndjekur nga 30 ditë të tjera procedurë nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit për të dhënë lejen e punës. Aktualisht  gjithë ky proces reduktohet në vetëm 10 ditë dhe këto dy procese ecin paralelisht  me njëri-tjetrin” , theksoi znj.Sorensen.

Në përfundim të pyetjeve dhe diskutimeve nga komisionet parlamentare, projektligji në fjalë u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi.


Share