U zhvillua Konferenca Shkencore kushtuar 100-vjetorit të parlamentarizmit shqiptar

  • Postuar më, 21/01/2020


Ruçi: Mirënjohje parlamentarëve për kontributin në zhvillimin, përparimin e demokratizimin  e Shqipërisë. 


Sot  u zhvillua në Pallatin e Kongreseve Konferenca Shkencore kushtuar 100-vjetorit të themelimit të parlamentarizmit shqiptar. Në këtë veprimtari, morën pjesë ish-drejtues të Kuvendit, të grupeve parlamentare dhe të qeverive të Shqipërisë, deputetë dhe ish-deputetë, anëtarë të kabinetit qeveritar, drejtues e përfaqësues të komuniteteve fetare, drejtues të  qeverisjes vendore dhe institucioneve kushtetuese, akademikë e historianë nga Shqipëria, Kosova e ShBA,  përfaqësues të medias etj.


Në Konferencë përshëndeti Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi:


“Në përfundim të  Luftës së Parë Botëtore, tre nga gjashtë Fuqitë e Mëdha evropiane, vendosën të  ricoptonin Shqipërinë.

Kombi shqiptar u ndodh në një nga udhëkryqet më të vështira të ekzistencës së tij. Kishte ardhur ora e rizgjimit, e mobilizimit të energjive për shpëtim kombëtar.

Kësaj thirrjeje iu përgjegj pararoja e ndërgjegjes kombëtare, burrat prijës atdhetarë.

Këta burra, në 21 janar 1920, u mblodhën në Kuvendin Kombëtar të Lushnjës dhe morrën vendime të mëdha historike për të mos lejuar copëtimin e mëtejshëm të trungut kombëtar. 

Ata përsosën dhe plotësuan vendimet e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, ringritën institucionet përfaqësuese e qeverisëse të shtetit dhe u dërguan kancelarive evropiane dhe ShBA mesazhin se shqiptarët janë të vendosur të luftojnë deri në fund për të qënë të lirë e të pavarur. 

Por ishte vetëm zëri shpëtimtar i Presidentit Udro Uillson që ndali projektin famëkeq evropian për coptimin e Shqipërisë. 

Parlamentarizmi shqiptar ka një histori tashmë shekullore. Këtë histori mund ta periodizojmë në disa etapa: Themelimi i parlamentarizimit shqiptar nga Kongresi i Lushnjes; Veprimtaria parlamentare pluraliste e viteve 1920-1924;  Veprimtaria parlamentare formale gjatë viteve 1925-1939, e cila shërbeu si notere që çertifikonte vendimet e projektligjet e paravendosura të regjimit; Trupat e ashtuquajtura të zgjedhura kolaboracioniste gjatë periudhës 1939-1944, të cilat u vunë hapur në shërbim të pushtuesve Parlamentarizmi komunist, i cili u krijua dhe përfundoi si një institucion fasadë i regjimit, për të ruajtur të ashtuquajturin legjitimitet të tij; Jeta parlamentare pluraliste demokratike pas vitit 1990.

Ndryshimet demokratike që nisën në dhjetor 1990 hapën një kapitull të ri edhe për parlamentarizmin shqiptar. 

Parlamentet e gati 30 viteve të Shqipërisë pluraliste e demokratike kanë dhënë kontribute të çmuara në ndërtimin e forcimin e rendit demokratik, të shtetit ligjor, qeverisjes së mirë dhe në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit.

Meritë e veçantë e parlamentarizmit të këtyre viteve janë hartimi dhe miratimi i Kushtetutës së vitit 1998, korpusi i ligjeve shqiptare të harmonizuara në frymë e në përmbajtje me legjislacionin evropian, e sidomos diskutimi dhe aprovimi vitet e fundit i paketës ligjore për reformën në drejtësi.

Në këtë 100 vjetor të parlamentarizmit, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time dhe të Kuvendit të sotëm të Shqipërisë për veprimtarinë dhe kontributin e të gjithë parlamentarëve shqiptarë në zhvillimin, përparimin e demokratizimin  e Shqipërisë. 

Kuvendi i Shqipërisë do vazhdojë të punojë me përkushtim për të afruar sa më shpejtë të jetë e mundur hapjen e negociatave për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian. 

Një detyrë tepër të rëndësishme ka Kuvendi ynë gjatë vitit që sapo nisi. Shqipëria sapo ka marrë Kryesinë e rradhës të OSBE për vitin 2020. Kjo përgjegjësi është një nder, por edhe një sfidë e madhe.”,- nënvizoi në përshëndetjen e tij Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.