Teksti integral i miratuar në Komisionin e Medias dhe me disa amendamente të kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste
- Postuar më, 17/12/2019
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, z. Taulant Balla, ka depozituar disa amendamente në projektligjin "PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.97/2013, “PËR MEDIAT AUDIOVIZIVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR, në versionin përfundimtar të miratuar nga komisioni përgjegjës.
Për transparencë të publikut po publikohet teksti integral i miratuar në Komisionin e Medias dhe me disa amendamente të kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste:
REPUBLIKA E
SHQIPËRISË
Kuvendi
P R O J E K T L I GJ
Nr.______/2019
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.97/2013, “PËR MEDIAT AUDIOVIZIVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr. 97/2013, “Për mediat audiovizive në
Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Titulli i ligjit ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Për
shërbimet e medias në Republikën e Shqipërisë”.
Neni 2
Neni 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 1
Objekti
Ky ligj rregullon të
drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e personave
fizikë dhe juridikë, që ofrojnë shërbime audio, audiovizive dhe
shërbime të publikimeve elektronike, nëpërmjet rrjetit të komunikimeve elektronike, si dhe promovimin e pluralizmit të medias dhe çështjeve të tjera me rëndësi për shërbimet mediatike, në përputhje me
konventat dhe standardet ndërkombëtare.”.
Neni 3
Neni 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 2
Fusha e
zbatimit
Ky ligj zbatohet për transmetimet audiovizive lineare, transmetimet
audiovizive jolineare, shërbimet mbështetëse të tyre dhe për shërbimet e publikimeve elektronike. Ky ligj nuk zbatohet për shtypin e shkruar.”.
Neni 4
Në nenin 3 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në pikën 3, emërtimi “Autoriteti i Mediave Audiovizive” zëvendësohet me “Autoriteti i Mediave
Shqiptare”.
2. Pas pikës 17 shtohet pika 17/1, me këtë
përmbajtje:
“17/1. Ofruesi i Shërbimit të Publikimeve
Elektronike (OSHPE) është personi fizik ose juridik, pavarësisht nëse është i regjistruar ose jo si i tillë në Regjistrin e
Ofruesve të Shërbimeve Mediatike, i cili ofron shërbimet e
publikimeve elektronike, siç
janë përcaktuar në pikën 26/1 të këtij neni.”.
3. Pika 22 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“22. “Përgjegjësi editoriale”, nënkupton ushtrimin e kontrollit efektiv si për përzgjedhjen e
programeve dhe për organizimin e tyre në:
a) një listë dhe orar, në rastin e shërbimeve të transmetimit
të drejtpërdrejtë audioviziv;
b) një katalog, në rastin e shërbimeve të programit audioviziv, sipas kërkesës;
c) një publikim në rastin e publikimeve elektronike.”.
4. Pika 23 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“23. “Prodhime të pavarura”, nënkuptojnë aktivitetet e
prodhimit të veprave mediatike, të
cilat plotësojnë një nga kushtet e mëposhtme:
a) Kur nuk janë të kontrolluara ose të lidhura me transmetuesit me licencë ose me autorizim për transmetim ose me ofruesit e shërbimeve të regjistruara në Regjistrin e Ofruesve të Shërbimeve
Mediatike;
b) Kur për një periudhë prej tri vitesh, të paktën 90 për qind e këtyre prodhimeve nuk janë të destinuara për një transmetues të vetëm.”.
5. Pika 24 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“24. “Prodhues i pavarur”, është personi fizik a juridik, i regjistruar për prodhimin e veprave audio dhe audiovizive me vendndodhje në Republikën e Shqipërisë ose në një shtet anëtar të Bashkimit Evropian, ose në ndonjë vend tjetër, që është nënshkrues i një marrëveshjeje ndërkombëtare të detyrueshme për zbatim për Republikën e Shqipërisë, që nuk është i lidhur me një ofrues të shërbimit
të medias, pjesëmarrës në treg, në kuptim të ligjit që rregullon
mbrojtjen e konkurrencës.
24/1. “Prodhimi personal”, është një program ose publikim që
është prodhuar për herë të parë nga ofruesi i shërbimit të medias ose një person tjetër nën drejtimin
dhe në emër të ofruesit të shërbimit të medias.
24/2. “Bashkëprodhimi”, është një prodhim ose
publikim i përbashkët i ofruesve të shërbimeve mediatike ose ofruesit të shërbimit mediatik dhe një
prodhuesi të pavarur.”.
6. Pas pikës 26 shtohen pikat 26/1 dhe 26/2, me këtë përmbajtje:
“26/1. “Publikimi elektronik”, nënkupton faqe interneti me përmbajtje të formësuar editoriale dhe/ose portale që përmbajnë versione elektronike të
medias së shkruar dhe/ose informacione mediatike të ofruara për publikun, me qëllim argëtimin, informimin dhe edukimin. Publikimet
elektronike të bëra nga individë, të cilat nuk kanë përmbajtje të formësuar editoriale dhe nuk kanë qëllim edukimin, argëtimin, apo informimin për publikun, nuk
konsiderohen publikime elektronike në kuptim të këtij ligji.
26/2. “Media elektronike”, është program ose përmbajtje programi audio dhe audioviziv, përmbajtje programi e ofruar për publikun, nëpërmjet mjeteve
elektronike të komunikimit dhe përmbajtje e
publikimeve elektronike.”.
7. Pas pikës 53 shtohen pikat 54 dhe 55, më këtë përmbajtje:
“54. “Regjistri i Ofruesve të
Shërbimeve Mediatike”, është një regjistër kombëtar ku regjistrohen ofruesit e shërbimeve audio, audiovizive
dhe ofruesit e publikimeve elektronike.
55. “Përmbajtje e programit”, janë informacionet, idetë, shprehje mendimesh si dhe vepra të autorësisë në
formë audio (në vijim
referuar si përmbajtje audio), ose në
formën e imazheve të lëvizshme, me
ose pa tinguj (në vijim referuar si përmbajtje audiovizive) që përbën një element individual brenda një liste apo katalogu të krijuar nga
ofruesi i shërbimit, i cili bëhet i
disponueshëm për publikun përmes mediave elektronike me
qëllim për të informuar, argëtuar, edukuar.”.
Neni 5
Në nenin 4 bëhen këto ndryshime:
1. Titulli i nenit 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Parimet themelore të veprimtarisë së ofruesve të shërbimeve mediatike”.
2. Në pikën 2, të nenit 4, fjala “... audioviziv ...”
zëvendësohet me fjalët “... të medias elektronike ...”.
Neni 6
Pas nenit 4 shtohet neni 4/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 4/1.
Interpretimi
i ligjit
1. Dispozitat e këtij ligji nuk mund të interpretohen në mënyrë të tillë që të japin të drejtën për të censuruar apo kufizuar të
drejtën për lirinë e fjalës ose lirinë e shprehjes.
2. Ky ligj interpretohet dhe zbatohet në përputhje me
parimet e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, sikurse zbatohet në praktikat
ligjore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”.
Neni 7
Titulli i kreut II ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Autoriteti i Mediave
Shqiptare (AMA)”.
Neni 8
Në nenin 6 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. AMA është autoriteti rregullator në fushën e shërbimeve të transmetimeve audio dhe
audiovizive, shërbimeve të tjera mbështetëse të tyre, si dhe shërbimeve të medias elektronike në
territorin e Republikës së Shqipërisë”.
2. Pas pikës 3 shtohet pika 4, me këtë
përmbajtje:
“4. Organet vendimmarrëse të AMA-s
janë Bordi dhe Këshilli i Ankesave.”.
Neni 9
Kudo në tekstin e këtij ligji bëhen këto ndryshime:
1. Fjalët “Kryetari i AMA-s” dhe “Kryetarit të AMA-s” zëvendësohen me fjalët “Kryetari i
Bordit të AMA-s” dhe “Kryetarit të Bordit të AMA-s”;
2. Fjalët “Zëvendëskryetari i AMA-s”
zëvendësohet me fjalët “Zëvendëskryetari i Bordit të
AMA-s”;
3. Fjalët “anëtarët e AMA-s” dhe “anëtari i AMA-s” zëvendësohen me fjalët “anëtarët e Bordit të AMA-s” dhe “ anëtari i Bordit të AMA-s”.
Neni 10
Në nenin 8 bëhen këto ndryshime:
1. Titulli i nenit 8 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Përbërja e Bordit të AMA-s”
Neni 11
Në nenin 9 bëhen këto ndryshime:
1. Titulli i nenit 9 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Zgjedhja e anëtarëve të bordit të
AMA-s”;
2. Në nenin 9, kudo në tekst, para fjalëve “AMA-s”, të vendosen fjalët “Bordit të” .
Neni 12
Në nenin 13 bëhen këto ndryshime:
1. Titulli i nenit 13 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Kuoromi dhe vendimmarrja e
Bordit të AMA-s”
2. Në nenin 13 kudo në tekst, fjalët “mbledhjet e AMA-s” dhe “vendimet e AMA-s zëvendësohen me fjalët “mbledhjet e Bordit të AMA-s” dhe “vendimet e Bordit të AMA-s”.
Neni 13
Në nenin 18 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në pikën 1 bëhen këto ndryshime dhe shtesat e mëposhtme:
a) Në shkronjën “a”, fjala “... audiovizive ...”
zëvendësohet me fjalët “... mediatike, të cilat janë në fushën e veprimit të këtij ligji ...”.
b) Në shkronjën “c”, pas fjalës “… shërbimeve …” shtohen fjalët “… mediatike, të cilat janë në fushën e veprimit të këtij ligji …”.
2. Në pikën 2 bëhen shtesat, me këtë përmbajtje:
a) Në shkronjën “a”, pas fjalës “… programeve …” shtohen fjalët “… dhe publikimeve …”.
b) Pas shkronjës “dh” shtohet shkronja “e”, me këtë përmbajtje:
“e) nxitjen e përmbajtjes së përgjegjshme në publikimet
elektronike dhe nxitjen e zbatimit të një Kodi Etike ndërmjet operatorëve dhe ofruesve të këtyre shërbimeve në këtë drejtim.”.
Neni 14
Në nenin 19 bëhen ndryshimet dhe
shtesat, si më poshtë vijon:
1. Në pikën 1 bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
a) Shkronja “h” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“h) zgjidhja e mosmarrëveshjeve ndërmjet ofruesve të shërbimeve të transmetimeve audio ose audiovizive, përfshirë mosmarrëveshjet me transmetuesin publik dhe mosmarrëveshjet ndërmjet subjekteve fizike/juridike dhe ofruesve të shërbimeve mediatike;”.
b) Shkronja “j” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“j) bashkëpunimi dhe këshillimi me
Autoritetin Kombëtar të Certifikimeve
Elektronike dhe Sigurinë Kompjuterike (AKCESK), AKEP-in, Autoritetin e Konkurrencës,
autoritetin përgjegjës për mbrojtjen nga diskriminimi, autoritetin përgjegjës për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale, autoritetin përgjegjës për mbrojtjen e
të drejtave të fëmijëve, autoritetin përgjegjës për mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me të si dhe
organet e tjera në përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara në këtë ligj;”.
c) Pas shkronjës “j” shtohen shkronjat “k” dhe “l”, me këtë përmbajtje:
“k) miraton rregulloren e
organizimit dhe të funksionimit të Këshillit të Ankesave (në vijim referuar si KA), ku përcaktohen
rregulla specifike për trajtimin e ankesave të parashtruara pranë KA-së së bashku me përcaktimin e kritereve të qarta për zbatueshmërinë e sanksioneve
të parashikuara nga ky ligj, me qëllim respektimin e parimit të proporcionalitetit.
l) administron dhe përditëson Regjistrin e Ofruesve të Shërbimeve Mediatike;”.
2. Në pikën 2 bëhen këto ndryshime:
a) Në shkronjën “a”, fjalët “... mediave audiovizive ...” zëvendësohen me fjalën “ ... transmentimit
...”.
b) Shkronja “b” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“b) mbikëqyr zhvillimin e veprimtarisë së medias
elektronike në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar;”.
c) Në shkronjën “c”, fjalët “... mediave audiovizive ...” zëvendësohen me fjalën “ ... medias elektronike...”.
ç) Në shkronjën “ç”, fjalët “... mediave audiovizive, ...” zëvendësohen me “... mediave elektronike ...”.
3. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. AMA mbikëqyr zbatimin
e këtij ligji nga subjektet që ushtrojnë veprimtari në fushën e mediave elektronike dhe, në rast
shkeljesh, vendos sanksione.”.
4. Pika 8 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“8. AMA jep mendim për veprimtarinë e medias
elektronike në përgjithësi, dhe në mënyrë të veçantë për perspektivën e veprimtarisë së mediave audiovizive, sipas kërkesës, apo kryesisht.”.
5. Pika 10 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“10. AMA merr pjesë në veprimtari ndërkombëtare, në lidhje me strategjinë dhe
perspektivat e zhvillimit të
mediave audiovizive në veçanti dhe shërbimeve të medias elektronike në
përgjithësi, duke përfaqësuar Republikën e Shqipërisë dhe mbështet pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin e subjekteve, publike e private, me organizata homologe evropiane
dhe botërore. AMA përgatit studime me rekomandime për qëndrimin e Republikës së Shqipërisë në bisedimet ndërkombëtare zyrtare mbi median elektronike.”.
Neni 15
Në nenin 20 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 1, ndryshohet si më poshtë vijon:
“1. Këshilli i Ankesave është organ kolegjial vendimmarrës, i cili përzgjidhet nga
Bordi i AMA-s me shumicë të cilësuar dhe përbëhet nga kryetari dhe katër anëtarë, specialistë të fushës së medias dhe juriste, të cilët emërohen për një periudhë 3-vjeçare, me të drejtë riemërimi jo më shumë se një herë. Procedurat e përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Ankesave, që bazohen në rregullat e
konkurueshmërisë, dhe rregullorja e organizimit dhe funksionimit
të tij përcaktohen me vendim të Bordit të AMA-s”.
2. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Objekti i punës së Këshillit të Ankesave është mbikëqyrja e
zbatimit të parashikimeve të këtij ligji, atyre të
Kodit dhe rregulloreve
të miratuara nga AMA, që kanë të bëjnë me respektimin e dinjitetit dhe të të
drejtave themelore të njeriut.”.
3. Në pikën 3 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Në shkronjën “a”, pas fjalës “… OSHMA-të…” shtohet “… OSHPE-të …”.
b) Shkronja “b” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“b) të shqyrtojë ankesat sipas neneve 51, 51/1, 52, 53 dhe 53/1, të këtij ligji.”.
4. Pas pikës 3 shtohet pika 3/1, me këtë përmbajtje:
“3/1. Vendimet e Këshillit të Ankesave
sipas pikës 3/b të këtij neni ankimohen në Bordin e AMA-sipas parashikimeve të këtij ligji.”.
5. Vendimet e Bordit të AMA ankimohen në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
Neni 16
Pas shkronjës “dh”, të pikës 2, të nenit 21, shtohen shkronjat “e”
dhe “ë”, me këtë përmbajtje:
“e) të marrë masa dhe veprime për të nxitur lirinë e medias në përputhje me rregullat dhe detyrimet etike.
ë) të nxisë vetërregullimin e medias.”.
Neni 17
Në nenin 22 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në pikën 2, pas fjalëve “... transmetimi audioviziv ...” shtohen “... së bashku me
publikimin elektronik …”.
2. Në pikën 4, fjalët “... transmetimet audio dhe/ose audiovizive ...” zëvendësohen me “... shërbimet e medias elektronike ...”.
Neni 18
Në pikën 1, të nenit 23, pas shkronjës “ç” shtohen shkronjat “d”
dhe “dh”, me këtë përmbajtje:
“d) mbikëqyr zbatimin e të drejtave dhe
detyrimeve që rrjedhin nga dispozitat e këtij ligji.
dh) mban dhe publikon Regjistrin e Ofruesve të Shërbimeve
Mediatike.”.
Neni 19
Neni 30 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 30
Ofruesit e shërbimeve mediatike në
juridiksionin e Republikës së Shqipërisë
1. Ofruesi i shërbimit të medias që është nën juridiksionin e Republikës së Shqipërisë është i detyruar të respektojë rregullat që zbatohen për shërbimet e medias në Republikën e Shqipërisë.
2. Ofruesi i shërbimit të medias
konsiderohet nën juridiksionin e Republikës së Shqipërisë nëse:
a) është themeluar në Republikën e Shqipërisë;
b) nuk është themeluar në Republikën e Shqipërisë, por:
i. përdor një stacion transmetimi
satelitor tokësor që ndodhet në Republikën e Shqipërisë; dhe/ose
ii. përdor kapacitetin satelitor që i përket Republikës së Shqipërisë;
iii. përdor domain-et e administruara nga AKEP-i.
3. Ofruesi i shërbimit të medias
konsiderohet, gjithashtu, nën juridiksionin e Republikës së Shqipërisë nëse:
a) zyra ose struktura e saj e menaxhimit është në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe vendimmarrja editoriale realizohet brenda këtij territori;
b) zyra ose struktura e saj e menaxhimit është në territorin e Republikës së Shqipërisë, por vendimmarrja
editoriale për shërbimet e medias bëhet në një vend të BE-së, konsiderohet se ofruesi i shërbimit të medias është nën jurisdiksionin e Republikës së Shqipërisë, me kusht që pjesa më e madhe e personelit të angazhuar në aktivitetet e
shërbimeve mediatike të operojë në Shqipëri;
c) një pjesë e konsiderueshme e stafit të angazhuar në aktivitetet e
shërbimeve të medias vepron në Republikën e Shqipërisë dhe në një vend të BE-së, ofruesi i shërbimit të medias
konsiderohet të jetë i vendosur në Republikën e Shqipërisë, nëse selia e tij ndodhet në
Republikën e Shqipërisë;
ç) një pjesë e konsiderueshme e
personelit në aktivitetet e shërbimeve mediatike nuk operon
as në Shqipëri as në një shtet anëtar të BE-së, ofruesi i shërbimit të medias konsiderohet të
jetë i vendosur në Republikën e Shqipërisë, nëse aktiviteti i tij filloi për të parën herë në këtë vend, në përputhje me
legjislacionin shqiptar, me kusht që ai të mbajë
marrëdhënie të qëndrueshme dhe
efikase me ekonominë shqiptare;
d) interesat e saj fitimprurëse kryesore lidhen me subjektet tregtare të themeluara sipas ligjit shqiptar ose që veprojnë në
territorin e Republikës së Shqipërisë;
dh) mbi 50% e përdoruesve/ndjekësve/abonentëve janë rezidentë të Republikës së Shqipërisë;
e) komunikimi/publikimi i tij i parë ndaj publikut të gjerë po bëhet në Shqipëri/për Shqipërinë.
4. Dispozitat e këtij ligji zbatohen edhe për ato shërbime të medias që, edhe pse nuk përfshihen në pikat 2 e 3, të këtij neni:
a) përdorin një lidhje satelitore nga territori i Republikës së Shqipërisë;
b) nuk përdorin lidhje satelitore nga territori i Republikës së Shqipërisë, por përdorin hapësirën transmetuese
satelitore dhe burimet që i përkasin Republikës së Shqipërisë.
5. Kur një ofrues i shërbimit të medias elektronike ka selinë në
Republikën e Shqipërisë, por vendimet për shërbimet e kësaj media bëhen në një vend të tretë ose
anasjelltas, ofruesi konsiderohet të jetë i vendosur në Republikën e Shqipërisë, me kusht që shumica e stafit/fuqisë punëtore të angazhuar në aktivitetet e shërbimeve të medias funksionon në
Republikën e Shqipërisë.
6. Nëse juridiksioni nuk mund të përcaktohet sipas pikave 2 deri 6, të këtij neni, shteti anëtar kompetent është ai në të cilin ndodhet OSHMA-ja, në
kuptim të neneve 49 dhe 50, të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet
Republikës së Shqipërisë dhe BE-së e shteteve anëtare të saj.
7. Në datën e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, çështja e juridiksionit, në përputhje me
pikën 6, të këtij neni, do të zgjidhet në përputhje me nenet 49 deri 55, të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian.”.
Neni 20
Në nenin 31 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Titulli i nenit 31 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Llojet e ofruesve të shërbimeve mediatike”.
2. Pas pikës 2 shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
“3. Në përputhje me mënyrën e komunikimit me publikun e gjerë, ofruesit e shërbimeve të medias së shkruar janë, si më poshtë vijon:
a) Shtypi i shkruar;
b) Publikimet elektronike.”.
Neni 21
Në shkronjën “ë”, të pikës 1, të nenit 33, pas fjalëve “… të drejtat e autorit …” shtohen fjalët “ … transmetimit, ritransmetimit …”.
Neni 22
Pas nenit 33 shtohen nenet 33/1 dhe 33/2, me këtë përmbajtje:
“Neni 33/1
Detyrimet e
OSHPE-ve
1. Ofruesi i shërbimit të publikimit
elektronik duhet të bëjë lehtësisht të aksesueshëm, në mënyrë direkte dhe të përhershme për publikun e gjerë, të paktën, informacionin e mëposhtëm:
a) Emrin e ofruesit të shërbimit;
b) Vendndodhjen e zyrave qendrore ose vendqëndrimin e ofruesit të shërbimit, adresën e tij elektronike ose atë të
faqes së internetit;
c) Organin kompetent të
ofruesit të shërbimit.
2. Një ofrues i shërbimeve të publikimeve elektronike duhet të publikojë paralajmërim të përshtatshëm për përmbajtjen e
publikimeve, të cilat mund të dëmtojnë zhvillimin fizik, shëndetësor, moral, mendor,
intelektual, emocional dhe social të të
miturve.
3. E drejta e korrigjimit dhe e përgjigjes ndaj
informacionit të publikuar, nëpërmjet një ofruesi të shërbimeve të publikimeve elektronike, do të ushtrohet në përputhje me këtë ligj.
4. Ofruesi i shërbimit të publikimeve
elektronike nuk duhet të nxisë, të shtojë nxitjen ose të përhapë
urrejtje apo diskriminim në bazë të racës,
prejardhjes etnike, ngjyrës së lëkurës, gjinisë, gjuhës, fesë, prejardhjes kombëtare ose sociale, gjendjes financiare, arsimit, statusit social,
gjendjes martesore ose familjare, moshës, gjendjes shëndetësore, paaftësisë, trashëgimisë gjenetike, identitetit gjinor apo orientimit
seksual.
5. Publikimi i informacionit që zbulon identitetin e të miturit nën moshën 18
vjeç, i përfshirë në çdo rast të dhunës, pa marrë parasysh nëse është dëshmitar, viktimë, i dyshuar apo i dënuar, ose zbulimin e ndonjë veçantie të marrëdhënieve familjare dhe jetës
private të një fëmije, ndalohet.
Neni 33/2
Regjistrimi i
ofruesve të shërbimit të publikimeve elektronike
Një person fizik a juridik, i cili ofron shërbime të publikimeve
elektronike, do të aplikojë tek AMA për regjistrimin dhe përditësimin e të dhënave të tij në Regjistrin e
Ofruesve të Shërbimeve Mediatike. Ky regjistrim nuk është parakusht për të ofruar shërbimin.”.
Neni 23
Pas nenit 37 shtohet neni 37/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 37/1
Regjistri i
Ofruesve të Shërbimeve të Medias Elektronike
1. AMA mban, administron dhe
publikon një regjistër të ofruesve të shërbimit të medias, të licencuar, të autorizuar
ose jo.
2. Përmbajtja e aplikimit të
referuar në nenin 33\2
dhe mënyra e mbajtjes së
regjistrit të përditësuar miratohen nga AMA. Regjistri sipas pikës 1, të këtij neni, përmban, në veçanti:
a) emrin e shërbimeve të medias;
b) emrin e ofruesit të
shërbimit të medias dhe informacion
për shërbimin e ofruar;
c) numrin dhe datën e lëshimit të licencës, arsyet për ofrimin e shërbimeve nëse ofrohet pa
asnjë detyrim për të marrë autorizim ose licencë;
ç) llojin e shërbimeve të medias, në përputhje me këtë ligj;
d) periudhën për të cilën lëshohet autorizimi apo licenca;
dh) të dhëna për personin përgjegjës të ofruesit të shërbimit të medias elektronike;
e) informacion rreth masave të vendosura
ndaj ofruesit të shërbimit të medias elektronike.
3. Pas mbarimit të
afatit të parashikuar në licencën apo autorizimin e lëshuar, AMA kryesisht ose
me kërkesë nga subjekti i interesuar fshin nga regjistri
ofruesin e shërbimeve të medias elektronike dhe njofton autoritetet përgjegjëse, të cilat
kanë informuar AMA-n lidhur me këtë subjekt.
4. Ofruesit e shërbimeve të medias elektronike, që nuk janë regjistruar në këtë regjistër ose që nuk i kanë përditësuar të dhënat në përputhje me
rregullat e përcaktuara nga AMA, nuk përfitojnë lehtësira fiskale apo të ndonjë lloji tjetër.”.
Neni 24
Pas pikës 6, të nenit 42, shtohet pika 6/1, me këtë përmbajtje:
“6/1. Të gjitha format e komunikimeve me natyrë tregtare në transmetimet
audiovizive dhe publikimet elektronike për lojërat e fatit,
bastet sportive, kazinotë dhe bingot televizive, janë të
ndaluara.”.
Neni 25
Pas nenit 51 shtohet neni 51/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 51/1
Procedurat për trajtimin dhe shqyrtimin e ankesave
1. OSHPE-ja ka detyrimin të shqyrtojë çdo ankesë të arsyetuar të paraqitur me shkrim nga çdo person për programet e
publikuara prej tij, lidhur me zbatimin e kërkesave të nenit 33/1, të këtij ligji.
2. Ankesa i paraqitet OSHPE-së jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga data e publikimit/transmetimit të përmbajtjes,
ose në rastin e dy ose më shumë publikimeve të lidhura me njëra-tjetrën, nga data e
publikimit/transmetimit më të fundit.
3. Personi që pretendon shkeljen, ka të drejtë t’i kërkojë ofruesit të shërbimit
të publikimit elektronik, duke paraqitur arsyet dhe
faktet që mbështesin kërkesën, heqjen e përmbajtjes.
4. Ofruesi i shërbimit të publikimit
elektronik, brenda 72 orësh nga marrja e ankesës, shqyrton ankesën dhe informon ankuesin.
5. Nëse OSHPE-ja refuzon ankesën ose nuk kthen përgjigje
brenda 72 orësh nga marrja e saj, personi ka të drejtë të ankohet pranë Këshillit të Ankesave. Këshilli i Ankesave, brenda 72 orësh nga depozitimi/paraqitja e ankesës, vendos mbi ankesën përkatëse ose nga paraqitja e pretendimeve të OSHPE-së në rastet e
zbatimit të pikës 6, të këtij neni.
6. Këshilli i Ankesave, kur e çmon të nevojshme, ia kalon ankesën e paraqitur OSHPE-së për të paraqitur pretendimet e veta brenda 48 orësh.
7. Pas shqyrtimit të ankesës dhe/ose pretendimeve të
OSHPE-së, Këshilli i Ankesave, nëse çmon se ka
shkelje, merr masat përkatëse, duke përfshirë sanksionet në përputhje me këtë ligj. Në çdo rast, Këshilli i Ankesave njofton me shkrim personin që ka paraqitur
ankesën dhe OSHPE-në përkatëse mbi konkluzionet dhe
masat.
8. OSHPE-ja publikon konkluzionin e Këshillit të Ankesave, kur
ky konkluzion është në
favor të personit që ka kryer
ankesën, brenda 48 orësh nga marrja e njoftimit, në mënyrë të njëjtë me atë të publikimit, kundrejt të
cilit është bërë ankesa.”.
9. Vendimet e Këshillit të Ankesave
sipas këtij neni ankimohen në Bordin e AMA-s sipas parashikimeve të këtij ligji.Vendimet e Bordit të AMA ankimohen në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
Neni 26
Në nenin 52 bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 3, numri “ ... 7 ... ” zëvendësohet me “ ... 3 ...”.
2. Në pikën 6, pas fjalëve “... periudhë sa më të shkurtër ...” shtohen fjalët “ ... por jo më vonë se 5 ditë ...”.
Neni 27
Në nenin 53, pika 15 ndryshon si më poshtë vijon:
“15. Vendimi i AMA-s mund të kundërshtohet në Gjykatën Administrative, Tiranë.
Neni 28
Pas nenit 53 shtohet neni 53/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 53/1
E drejta e përgjigjes për OSHPE-të
1. Çdo person, reputacioni i të cilit është cënuar drejtpërdrejt nga
publikimi i fakteve dhe informacioneve të pavërteta dhe/ose
të pasakta prej OSHPE-së, ka të drejtën e përgjigjes.
2. Personi, që ka të drejtën e përgjigjes, duhet të
paraqesë një kërkesë me shkrim, drejtuar ofruesit të shërbimit të publikimit elektronik duke parashtruar arsyet dhe
faktet që mbështetin kërkesën e tij.
3. Kërkesa për të drejtën e përgjigjes
duhet të paraqitet tek OSHPE-ja, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga publikimi i fakteve dhe informacioneve që pretendohen të pavërteta dhe/ose të pasakta.
4. Brenda 48 orëve nga marrja e kërkesës, OSHPE-ja vendos për ushtrimin ose refuzimin e së drejtës së përgjigjes dhe për këtë
njofton me shkrim kërkuesin.
5. Ofruesi i shërbimeve të publikimeve
elektronike, nëse vendos për ushtrimin e së drejtës, publikon përgjigjen e çdo personi që është cënuar/përmendur nga publikimi, pa kosto financiare për personin e cënuar/përmendur. Përgjigjja duhet të publikohet e plotë, e dukshme dhe në të njëtën faqe ku është publikuar materiali që kontestohet.
Nëse publikimi hiqet nga faqja/portali përpara se përgjigjja e personit të cënuar/përmendur të publikohet, përgjigjja
duhet të jetë e vendosur në një pozicion të krahasueshëm dhe për të njëjtën kohëzgjatje si publikimi i mëparshëm.
6. Ofruesit e shërbimeve të publikimeve
elektronike nuk kanë detyrim të publikojnë përgjigjen siç parashikohet në pikën 1, të këtij neni, nëse:
a) pala e cënuar/përmendur nuk ka interes të ligjshëm për të dhënë përgjigje;
b) përgjigjja në mënyrë të papërshtatshme tejkalon shkallën e pohimit të fakteve që kontestohen;
c) përgjigjja nuk kufizohet vetëm në informacion faktik ose
përfshin përmbajtje që kanë të bëjnë me ndjekjen e një procedure penale.
Ofruesit e shërbimeve të publikimeve elektronike nuk kanë detyrim të publikojnë përgjigjen për lajmin/informacionin e kontestuar në lidhje me
raportimet direkte në sesionet e hapura të organeve të Kuvendit dhe organeve të tjera shtetërore.
7. Nëse kërkuesi nuk merr një përgjigje
brenda afatit të përcaktuar në pikën 3, të këtij neni, prezumohet se OSHPE-ja ka refuzuar kërkesën.
8. Këshilli i Ankesave, brenda 72 orësh nga paraqitja e një ankese për refuzimin e
së drejtës së përgjigjes nga një OSHPE, shqyrton çështjen dhe, nëse e gjen të drejtë ankesën e bërë, i kërkon OSHPE–së, korrigjimin e fakteve dhe informacioneve, në lidhje me personin e interesuar, në një mënyrë të ngjashme dhe kohë të njëjtë me atë të publikimit, objekt ankese, brenda 48 orëve nga marrja
e njoftimit:
a) në fillim të procedurës së shqyrtimit të ankesës, Këshilli i Ankesave i kërkon OSHPE-së, të cilit i adresohet ankesa, dhënien e
shpjegimeve në lidhje me këtë ankesë.
b) Këshilli i Ankesave i dërgon ankuesit dhe OSHPE-së përkatëse konkluzionet e arsyetuara për rastin.
9. Këshilli i Ankesave mund të refuzojë një ankesë kur:
a) vlerëson se ajo është abuzive dhe e pabazuar apo e bërë në keqbesim;
b) e drejta e kërkuar për përgjigje është opinion personal i personit dhe nuk ka të bëjë me rregullimin e ndonjë
lajmi me karakter fakti apo informacioni;
c) e drejta e kërkuar për përgjigje përmban parashtrimin e fakteve dhe informacioneve të rreme;
ç) e drejta e kërkuar për përgjigje është bërë për të kërkuar parandalimin e veprimeve të pritshme apo që nuk kanë ndodhur ende;
d) përmbushja e së drejtës për përgjigje përfshin një ndëshkim, kapërcen rregullat e mirësjelljes apo sjell dënimin e ofruesit të shërbimit mediatik në një proces gjyqësor civil;
dh) personi i dëmtuar nga
informacioni i kundërshtuar nuk ka interes të ligjshëm në momentin e kërkesës për ushtrimin e së drejtës së përgjigjes;
e) përmbajtja e publikimit të kundërshtuar përmban thënie apo deklarime të
personit të cënuar, që konsiderohen të barasvlershme me vetë përgjigjen e kërkuar ose kur personi ka dhënë
pëlqimin paraprak në
një mënyrë formale lidhur me përmbajtjen e
publikimit;
ë) një korrigjim i barasvlershëm i të dhënave të informacionit të kundërshtuar është bërë paraprakisht dhe për këtë
është njoftuar
personi i cënuar;
f) përmbajtja e përgjigjes së kërkuar dhunon të drejtat e një pale të tretë;
g) çështja objekt ankese lidhet me thëniet gjatë veprimtarive
parlamentare, zhvillimit të
seancave gjyqësore apo transmetimit të veprimtarive të subjekteve politike;
gj) publikimi i së
drejtës për përgjigje nuk është në interes të publikut;
h) kërkesa është paraqitur në tejkalim të afatit.
10. Vendimet e Këshillit të Ankesave
sipas këtij neni ankimohen në Bordin e AMA-s sipas parashikimeve të këtij ligji.Vendimet e Bordit
të AMA ankimohen në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
Neni 29
Neni 132 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 132
Masat për shkeljet
1. Në rastet e shkeljes së
dispozitave të këtij ligji, në përputhje me procedurat dhe parashikimet e këtij ligji dhe akteve nënligjore të tij, pas marrjes se mendimeve të organeve përgjegjëse, nëse parashikohen, AMA ( Bordi dhe/ose KA) vendos:
a) detyrimin e ofruesit të shërbimit të medias:
i. për të publikuar formulën e korrigjimit sipas formës
dhe përmbajtjes së parashikuar në nenin 53/1 të këtij ligji;
ii. për të kërkuar nëpërmjet AKEP-it vendosjen e një njoftimi të karakterizuar teknikisht si “pop up”;
b) gjobë, shuma e së cilës përcaktohet në përputhje me
parashikimet e këtij ligji dhe të akteve nënligjore të tij;
c) pezullim të përkohshëm të licencës dhe/ose
autorizimit për ofruesit e shërbimeve audio dhe audiovizive;
ç) uljen e kohëzgjatjes së vlefshmërisë së licencës dhe/ose autorizimit për ofruesit e shërbimeve audio dhe audiovizive;
d) heqje të licencës dhe/ose
autorizimit për ofruesit e shërbimeve audio
dhe audiovizive.
2. AMA në vendimin e saj merr në konsideratë masën dhe kohëzgjatjen e shkeljes së
kryer sipas rregullave
të përcaktuara në shkronjën “k”
të
paragrafit 1 të nenit 19 të këtij ligji.
3. AMA vendos sanksione të parashikuara në këtë ligj jo më vonë se një vit nga data e kryerjes së shkeljes.
4. Kur AMA vëren shkelje të dispozitave ligjore, për të cilat me ligj vendosin sanksione organet e tjera shtetërore, atëherë ajo njofton këto të fundit.
5. Në lidhje me përmbajtet e publikuara nga OSHPE-të, AMA vendos si më poshtë:
a) urdhëron heqjen e përmbajtjes ose pengon
aksesin në përmbajtjen që dyshohet se, sipas parashikimeve të
legjislacionit penal në fuqi, përbën veprën penale si mëposhtë:
i. Pornografi me fëmijë;
ii. Vepra me qëllime terroriste;
iii. Shkelje të sigurisë kombëtare;
b) vendosë, një njoftim “pop up” në faqen e internetit/domain-in e portalit i cili përmban informacion mbi vendimet e organeve vendimmarrëse të AMA-s.
c) AMA do të marrë vendim mbi bazën e një kërkese me shkrim nga AKCESK ose autoriteti kompetent. Këto kërkesa përbëjnë vlerësimin për dyshimin e kryerjes së një vepre penale. AMA do të vendosë cila është masa më e përshtatshme për të shmangur ndikimin negative të shpërndarjes
së përmbajtjes së dyshuar kriminale.
AMA do të duhet të zbatojë masën që ka ndikimin
më të vogël mbi të drejtën e lirisë së shprehjes në përputhje me parimet e domosdoshmërisë dhe
proporcionalitetit. Në çdo rast, vendimi duhet të tregojë një afat kohor të vlefshmërisë. AMA duhet të garantojë sa më shumë që të jetë e mundur që vendimet për heqjen e përmbajtjes të prekin vetëm pjesët e përmbajtjes që dyshohet si vepër penale dhe që pjesa tjetër e përmbajtjes së publikuar nga
ofruesi të mbetet online. Vendimi i AMA do t'i komunikohet AKEP për zbatim.
d) Me përjashtim të rasteve
kur interesi
publik e kërkon ndryshe, para marrjes së vendimit
AMA dëgjon OSHPE-në e prekur nga masa e propozuar dhe, nëse e nevojshme apo e mundur, autorin e pjesës së përmbajtjes të dyshuar. Në çdo rast, vendimet e AMA-s në këtë drejtim,
mund të ankimohen në gjykatën kompetente brënda 10 ditëve nga miratimi i tyre. Gjykata
kompetente do të vendosë nëse do të pezullojë ose do ta mbajë në fuqi vendimin e AMA-s gjatë procedurës së shqyrtimit.
dh) Në rast se ka arsye bindëse që ka interes publik për të proceduar ndryshe, para miratimit të vendimit të saj, AMA do të dëgjojë OSHPE-në e prekur nga masa e propozuar dhe, nëse është e mundur, autorin e përmbajtjes së dyshuar. Në çdo rast, vendimet e AMA-s mund të ankimohen ne gjykaten kompetente menjëherë pas miratimit
të tyre. Gjykata kompetente do të vendosë nëse do të pezullojë ose do ta
mbajë në fuqi vendimin e AMA-s gjatë procedures se shqyrtimit.
6.
Subjekti i ndëshkuar
mund të bëjë ankim pranë Bordit të AMA-s brenda 30 ditëve nga data e shpalljes
ose e njoftimit të vendimit të KA-së për vendimet sipas parashikimeve të këtij
ligji. Ankimi ndaj vendimit të KA-së nuk pezullon ekzekutimin e vendimit. Bordi
i AMA-s shqyrton ankesën dhe shpall vendimin jo më vonë se 10 ditë. Kundër
vendimit të Bordit të AMA-s mund të bëhet ankim në Gjykatën e Administrative të
Shkallës së Parë Tiranë.
7. Vendimet e AMA-s ekzekutohen nga shërbimi përmbarimor, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Civile. AMA nuk ka detyrim të parapaguajë taksën apo tarifën për shërbimin përmbarimor.
8. Vendimet e KA-së
së
AMA-s do të ekzekutohen nga Shërbimi i Përmbarimit Gjyqësor, në përputhje me
dispozitat e Kodit të Procedurës Civile. AMA nuk ka detyrim të parapaguajë tarifën ose tarifën për shërbimin përmbarimor.”.
Neni 30
Në nenin 133 bëhen këto ndryshime:
1. Fjalia e parë ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Shkeljet e mëposhtme, të kryera nga OSHMA-ja dhe
OSHPE-ja, kur ato nuk përbëjnë vepër penale përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen, si më poshtë:”
2. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
1. Me gjobë:
a) nga 100 000 Lekë
deri në 1 000 000 Lekë në
rastet kur OSHMA-të shkelin
detyrimet e parashikuara në
nenin 33 dhe 37 të këtij ligji;
b) nga 100 000 Lekë deri në 600 000 Lekë në rastet kur OSHPE-të
shkelin detyrimet e parashikuara në nenin 33/1 të këtij ligji;
c) Nga 40 000 Lekë
deri në 800 000 Lekë kur nuk respektohet vendimi i Këshillit të Ankesave ose e drejta për përgjigje sipas parashikimeve të nenit 53/1 të këtij Ligji.
Përsëritja e shkeljes më
shumë se 3 herë gjatë një viti dënohet me një rritje deri në 50% të shumës së gjobës të përmendur më lart. Në rast përsëritjeje më shumë se 5 herë gjatë vitit të kaluar,
subjekti nuk do të përfitojë lehtësira fiskale apo të
ndonjë lloji tjetër për një periudhë 3-vjeçare.”.
3. Pika 2 ndryshohet si më poshtë:
“2. Me gjobë nga 800 000 Lekë deri në 2 000 000 lekë, në rastet kur:
4. Në pikën 10, përpara fjalës “... inspektorët ...” shtohen fjalët “... Këshilli i Ankesave ...”.
5. Në fund të fjalisë së dytë, të pikës 11, shtohen fjalët, si më poshtë:
“....sipas parashikimeve të nenit 19, të këtij ligji, bazuar në parimin e proporcionalitetit.”
6. Në pikën 12, togfjalëshi “Gjykatën e Rrethit Gjyqësor ku
ka selinë organi adminstrativ” zëvendësohet me togfjalëshin “Gjykatën Administrative të Rrethit Gjyqësor Tiranë”.
Neni 31
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren
zyrtare”.
K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI