Mblidhet Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut

  • Postuar më, 12/12/2019

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut gjatë mbledhjes së ditës së sotme shqyrtoi dhe miratoi disa projektligje të rëndësishme. 

Në hapje të mbledhjes antarët e komisionit miratuan procesverbalin e mbledhjeve të dative 14 dhe 18 nëntor 2019. 

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, shqyrtoi projektligjin "Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme". 

Nismëtari i këtij projektligji, z. Arben Ahmetaj u shpreh: “Thelbi i këtij projektligji është tu japë një mundësi qytetarëve për të rivlerësuar pasuritë e patundshme, pronën e tyre me vlerën historike prej 3%. Komisioni për Ekonominë dhe Financat ka propozuar që kjo vlerë të ulet në 2%. Ky projektligj do tu japë mundësinë rreth 60 mijë familjeve të përfitojnë dhe gjithashtu është edhe një përfitim për buxhtin e shtetit. Mendojmë që për tu ardhur në ndihmë qytetarëve tanë por edhe grupeve të interesit, shtrirja e periudhë së rivlerësimit të jetë 30 gusht 2020 po edhe mundësia e zgjatjes së kësaj periudhe deri më 30 shtator 2020 është një tjetër propozim në mënyrë që të përfitojnë edhe emigrantët të cilët gjatë kësaj periudhe kthehn në shtëpitë e tyre. Mendoj që ky projektligj duhet të prekë edhe qytetarët që janë në proces legalizimi por kjo i takon ligjvënësit të vendosë.”

Relatori i këtij projektligji, z. Bashkim Fino, duke falënderuar z. Ahmetaj për këtë propozim tha: “ky propozim është një risi pozitive për shtimin e të ardhurave duke patur parasysh faktin se edhe në të shkuarën ky projektligj ka patur një interes të madh së pari nga qytetarët por edhe për buxhetin e shtetit. Ky prjektligj është i domosdoshëm e duhet të realizohet”

Pas diskutimeve anëtarët e komisionit miratuan në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin "Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme" e vendosën t’ja përcjellin atë komisionit përgjegjës dhe seancës plenare. 

Më pas, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi dhe miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 2018 për projektin “Programi për infrastrukturën komunale V””

Pika e fundit e rendit të ditës ishte shqyrtimi dhe miratimi në parim i “paketës penitenciare” konkretisht: projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8331, datë 21.4.1998, “Për ekzekutimin e vendimeve penale”, të ndryshuar, projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e shërbimit të proves”, projektligji “Për Policinë e Burgjeve” dhe projektligji “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.

E ftuar për të bërë prezaintimin e kësaj pakete, Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj tha: “projektligjet e kësaj pakete janë të lidhur me njëri-tjetrin dhe të nevojshëm. Zbatimi i Reformës në Drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit kanë qënë prioritetet e punës sonë dhe kjo paketë është po kaq e rëndësishme. Rritja dhe garantimi i sigurisë në institucionet penitenciare, vlerësimi i infrastrukturës së tyre, të drejtat e të dënuarve që ndodhen në këto institucione, garancia, mbrojtja dhe trajtimi i policisë së burgjeve janë objektivat kryesore të kësaj pakete.”

Pas diskutimeve, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi në parim “paketën penitenciare”.