Mblidhet komisioni hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë"

  • Postuar më, 03/12/2019

Komisioni hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore” u mblodh sot për të shqyrtuar  projektvendimin “Për zgjatjen e afatit të veprimtarisë së Komisionit Hetimor”.Mbledhja u drejtua nga zëvendëskryetari i këtij komisioni, z. Alban Zeneli, i cili pasi kërkoi mbajtjen e një minute heshtjeje në respekt të viktimave të tërmetit,  parashtroi përpara anëtarëve të komisionit arsyet dhe nevojën e thirrjes së kësaj mbledhjeje.Kuvendi me vendimin nr.112/2019, ka miratuar zgjatjen e afatit të veprimtarisë së komisionit  hetimor deri më 8.12.2019, afat i cili i shërbeu komisionit për administrimin e  dokumentacionit  të  ardhur nga institucionet  si dhe  pritjen e  opinionit zyrtar të Komisionit të Venecias.

Aktualisht komisioni është në  fazën e shqyrtimit të dokumentacionit të ardhur nga institucionet,  si dhe të opinionit zyrtar të Komisionit Venecias,  të përgatitjes së  projektraportit e më pas të raportit  që do t’i dërgohet seancës plenare. Në zbatim të  ligjit nr.8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, rregullores së brendshme “Për organizimin dhe funksionimin e veprimtarisë së komisionit hetimor”, Rregullores së Kuvendit si dhe për të përmbushur realizimin e veprimtarisë së komisionit, është e domosdoshme zgjatja e afatit të veprimtarisë së tij.Në këto rrethana, komisioni hetimor, me vendimin e ndërmjetëm nr. 9, datë 3.12.2019, vendosi t’i drejtohet kryetarit të kuvendit, z. Gramoz Ruçi me një kërkesë për zgjatjen me 4 muaj të afatit të veprimtarisë së komisionit hetimor.