Mblidhet Komisioni për Ekonominë dhe Financat
- Postuar më, 20/11/2019
Komisioni për Ekonominë dhe Financat zhvilloi, ditën e sotme, mbledhjen e radhës në vijim të shqyrtimit të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2020” ku u diskutua për konçensionet.
Të pranishëm në këtë diskutim ishin Ministrja e Financave, znj. Anila Denaj e shoqëruar edhe nga Z. Elton Haxhi, Zëvendës Ministër, Znj. Mimoza Dhëmbi, Drejtoreshë e Përgjithshme, Drejtoria e Përgjithshme e Buxhetit, Z. Gentian Opre, Drejtor, Drejtoria e Përgjithshme e Buxhetit, Znj. Alda Klosi, Drejtore e Drejtorisë së Koncensioneve dhe PPP-ve.
Ministrja, në fjalen e saj, sqaroi bazën ligjore se çfarë parashikon ligji organik i buxhetit për Konçensionet dhe PPP-të, në të cilin shprehet qartë se shuma e përgjithshme e pagesave vjetore neto, nuk duhet të tejkalojë kufirin prej 5% të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor.
Po ashtu, Kuvendi, në ligjin vjetor të buxhetit miratoi tavanin e vlerës totale të kontratave në % të PBB për të gjitha projektet konçensionare egzistuese dhe ato të kontraktuara rishtazi.
Thënë kjo, në prezantimin e saj ministria theksoi se në këtë ligj organik është respektuar dukshëm kufiri i të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor, pasi kap shifrën e 3.3 %
Në vijim, pas shpjegimit të detajuar të ministres për kontratat konçensionare apo PPP –ve anëtarët e Komisionit ngritën pyetje të cilat u sqaruan me hollësi.