Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti Ambasadorin e Kosovës, z. Nait Hasani Ruçi: Shqipëria dhe Kosova kanë një bashkëpunim vëllazëror

  • Postuar më, 06/11/2019

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti Ambasadorin e Kosovës, z. Nait Hasani, me rastin  e fillimit të misionit të tij në Shqipëri. 

Kryetari Ruçi e uroi Ambasadorin Hasani për fillimin e detyrës së re dhe shumë të rëndësishme. “Të jesh Ambasador i Kosovës në Shqipëri, është një punë e lehtë, por edhe e vështirë. E lehtë sepse ne kemi mirëkuptim të plotë, por e vështirë sepse je ambasador në një pjesë të kombit tënd. Shqipëria dhe Kosova kanë një bashkëpunim vëllazëror. Një gëzim në Prishtinë ndihet edhe në Tiranë dhe anasjelltas. Një dhimbje në Kosovë ndihet edhe në Shqipëri dhe anasjelltas. Ne kemi pasur marrëdhënie të shkëlqyera me Kuvendin e Kosovës, z. Kadri Veseli dhe bashkëpunëtorët  e tij dhe të njëjtat marrëdhënie do të kemi edhe me Kuvendin e ri dhe mezi presim konstituimin e tij. Edhe midis dy qeverive ka bashkëpunim të shkëlqyer.”, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi. 

Kryetari i Kuvendit shprehu besimin se Kuvendi i ri dhe Qeveria e re e Kosovës do të caktojnë objektiva ambiciozë për çuarjen përpara të një sërë procesesh të rëndësishme për popullin e Kosovës. “Shqipëria mbështet progresin e Kosovës në konsolidimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit, lobon për anëtarësimin e Kosovës në nismat rajonale dhe organizatat ndërkombëtare,  inkurajon liberalizimin e shpejtë të vizave për qytetarët e Kosovës dhe inkurajon qeverinë e re të Kosovës të vazhdojë dialogun me Serbinë, si alternativa që jep zgjidhje të qëndrueshme dhe i shërben paqes në rajon. Gjithëpërfshirja në këtë proces mbetet një element shumë i rëndësishëm.”, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi. 

Ambasadori Hasani falenderoi Kryetarin Ruçi për mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë dhe të tijën personale për nxitjen, zgjerimin dhe fuqizimin e bashkëpunimit vëllazëror midis Shqipërisë dhe Kosovës si edhe kontributin e Kuvendit  dhe qeverisë së  Shqipërisë për shtimin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, pranimin e saj në organizatata dhe nismat rajonale e ndërkombëtare dhe fuqizimin e rolit të Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare.