Në drejtimin e kryetares,znj.Mimi Kodheli, komisioni për Politikën e Jashtme, në cilësinë e komisionit për
dhënie mendimi, shqyrtoi dhe miratoi projektrezolutën “Për ndërhyrjet e huaja
në proceset elektorale dhe dezinformimin në proceset demokratike kombëtare”.
Projekt-rezoluta, e propozuar nga Grupi Parlamentar i
Partisë Socialiste vjen si konkluzion i vlerësimit se ndërhyrjet e huaja në
mënyrë të parregullt në proceset elektorale, dezinformimi dhe lajmet e rreme
minojnë demokracinë, zbehin besimin publik në proceset demokratike, duke
përbërë një rrezik serioz për shoqerinë dhe institucionet demokratike
shqiptare, të drejtat dhe liritë themelore, sundimin e ligjit, sigurinë,
mirëqenien ekonomike dhe, në fund të fundit, përbëjnë një sfidë për
sovranitetin e Shqiperisë.
Përpara se kjo projekt-rezolutë të kalojë për shqyrtimin dhe
votimin e Kuvendit të Shqipërisë ajo do të paraqitet për shqyrtim edhe në
Komisionin për Sigurinë Kombëtare, i cili, në rastin konkret është edhe
komisioni përgjegjës.