Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, përshëndet Konferencën e 41-të Ndërkombëtare të Komisionerëve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Privatësisë

  • Postuar më, 21/10/2019

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, përshëndeti sot  Konferencën e 41-të Ndërkombëtare të Komisionerëve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Privatësisë, e cila organizohet nga zyra e Komisionerit të Shqipërisë,  në Pallatin e Kongreseve.

Konferenca Ndërkombëtare është forumi më i lartë  i bashkëpunimit të Autoriteteve botërore mbikëqyrëse të mbrojtjes së të dhënave personale.

“Fakti që Konferenca juaj zhvillohet në Shqipëri është  konfirmim i garancive që ofron dhe zbaton vendi ynë në mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë së qytetarëve.  

Shqipëria ka një legjislacion bashkëkohor për mbrojtjen e të drejtve të njeriut, por ç’është më e rëndësishmja, ka vullnet politik dhe institucional për respektimin, zbatimin dhe garantimin e tyre.  

Toleranca jonë e njohur për bashkëjetesën midis komuniteteve fetare e ka zgjeruar rrezen drejt tolerancës dhe respektit për të gjitha aspektet e të drejtave të njeriut, liritë dhe të drejtat ekonomike, politike, sociale dhe etnike të qytetarëve.

Sot po përballemi me sfida të rëndësishme të zhvillimeve globale. 

Demokratizimi i mediave dhe demokratizimi i teknologjisë, si të mira publike për qytetarët, mund të shndërrohen në të kundërtën e tyre dhe të sfidohen nga demokratizimi i dhunës.

Është kjo arsyeja që duhet të na nxisë të hartojmë, zbatojmë e monitorojmë politika dhe ligje që garantojnë të drejtat e privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave, si një premisë për mbrojtjen e qytetarëve dhe të individualitetit të tyre.

Kuvendi i Shqipërisë, në bashkëpunim me Komisionerin, po punojnë për harmonizimin e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale me Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave Personale në Bashkimin Evropian, e cila ka hyrë në fuqi së fundmi”, theksoi në përshëndetjen e tij Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.



Fjala e plote e Kryetarit të Kuvendit z. Gramoz Ruci në Konferencën e 41-të Ndërkombëtare të Komisionerëve të Mbrojtjes së të Dhënave Personale dhe Privatësisë 






Të nderuar Komisionerë,


Të nderuar pjesëmarrës,


Është kënaqësi të përshëndes në këtë forum të rëndësishëm të bashkëpunimit të autoriteteve mbikëqyrëse të mbrojtjes së të dhënave personale, organizuar nga Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Shqipëri.

Autoritetet që ju drejtoni janë një mburojë e rëndësishme dhe e domosdoshme për qytetarët, për mbrojtjen e lirivë të tyre.

Të dhënat dhe privatësia e individëve garantohen nga akte të rëndësishme ndërkombëtare, si Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, Konventa 108 e Këshillit të Evropës, akti i parë ligjor detyrues ndërkombëtar që trajton të posaçërisht mbrojtjen e të dhënave, dhe Direktiva e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e të dhënave.

Dëshiroj të sjell në vëmendjen e të gjithëve se kjo e fundit  e njeh dhe vlerëson mbrojtjen e të dhënave si të drejtë themelore të njeriut. 

Por asnjë konventë ndërkombëtare, Kushtetutë apo Kod, nuk ka vlerë nëse ju, autoritetet mbikëqyrëse të mbrojtjes së të dhënave nuk bëheni garantë e gardianë të tyre.

Vlerësoj dhe falenderoj Komisionerin e Shqipërisë, por edhe ju të gjithë, që kjo Konferencë zhvillohet në Shqipëri. Ky fakt është një konfirmim i garancive që ofron dhe zbaton vendi ynë në mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë së qytetarëve të saj.   

Shqipëria ka një legjislacion bashkëkohor për mbrojtjen e të drejtve të njeriut, por ç’është më e rëndësishmja, ka vullnet politik dhe institucional për respektimin, zbatimin dhe garantimin e tyre.

Mbrojtja e të dhënave  garantohet gjithashtu nga Kushtetuta dhe ligjet shqiptare, si një e drejtë me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e gjithsecilit.

Përfitoj nga ky rast të nënvizoj se toleranca jonë e njohur për bashkëjetesën midis komuniteteve fetare e ka zgjeruar rrezen e vet drejt tolerancës dhe respektit për të gjitha aspektet e të drejtave të njeriut, liritë dhe të drejtat  ekonomike, politike, sociale dhe etnike të qytetarëve.

Unë jam këtu për tju përshëndetur në Konferencën tuaj dhe shpreh bindjen se  ky forum do të nxisë dialogun, bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit, do të përmirësojë rolin tuaj mbikëqyrës në funksion të mbrojtjes së lirive qytetare.

Ju, por edhe ne, politikëbërësit dhe ligjvënësit,  po përballemi me sfida të rëndësishme të zhvillimeve të sotme globale.

Demokratizimi i mediave dhe demokratizimi i teknologjisë, si të mira publike për qytetarët, mund të shndërrohen në të kundërtën e tyre dhe të sfidohen nga demokratizimi i dhunës.

Është kjo arsyeja që duhet të na nxisë të hartojmë, zbatojmë e monitorojmë politika dhe ligje që garantojnë  të drejtat e privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave, si një premisë për mbrojtjen e qytetarëve dhe të individualiteitt të tyre.

Kuvendi i Shqipërisë, në bashkëpunim me Komisionerin,  po punojnë për harmonizimin e legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale me Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave Personale në Bashkimin Evropian, e cila ka hyrë në fuqi së fundmi.

Dëshiroj gjithashtu t'ju informoj se Konventa 108 Plus  e Keshillit te Evropes, është në proces miratimi në Qeverinë dhe Kuvendin e Shqipërisë.  

Kuvendi është i angazhuar të mbështesë me burimet e nevojshme  Zyrën e Komisionerit të Mbrojtjes së të Dhënave Personale për garantimin e kësaj të drejte kushtetuese të qytearëve.

Jam i bindur se  Konferenca Ndërkombëtare e Komisionerëve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Privatësisë do të kontribojë në ndërgjegjësimin e institucioneve, publikut, shoqerise civile, medias, botes akademike, biznesit, për të njohur dhe zbatuar të drejtën për mbrojtjen e të dhënave personale sipas standarteve më të larta.


Ju faleminderit dhe punë të mbarë.