Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti sot Ambasadorin e ri të Sllovenisë në Shqipëri, z. Peter Japejl

  • Postuar më, 08/10/2019


Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti sot ambasadorin e ri të Sllovenisë në Shqipëri, z. Peter Japejl.

Kryetari i Kuvendit Ruçi vlerësoi se: “Marrëdhëniet politike në mes dy vendeve janë shumë të mira, të qëndrueshme, pa asnjë çështje të hapur dhe me ecuri pozitive ndër vite. Megjithatë, nevojitet intensifikimi i bashkëpunimit ekonomik, të cilin duhet të punojmë për ta sjellë në nivelin e bashkëpunimit politik. Sllovenia është  një partner i rëndësishëm rajonal e evropian, me shumë karakteristika te përbashkëta, si afërsia, madhësia, historia e lidhjeve dhe prania e një komuniteti shqiptarësh në këtë vend. Bizneset sllovene janë të mirë pritura për të investuar në Shqipëri në fushat e turizmit, teknologjisë së lartë, energjisë dhe mjedisit.”

Kryetari Ruçi vlerësoi  rolin proaktiv të Sllovenisë, e cila ka lobuar fuqimisht për hapjen e negociatave të pranimit në takimin e KE me 18 tetor 2019. Presidenti Borut Pahor, në samitin e Grupit të Vishegradit me 3 tetor 2019, bëri thirrje që vendimi i Këshillit Evropian të jetë në favor të hapjes të bisedimeve të anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, falënderoi gjithashtu Slloveninë për qëndrimin e vazhdueshëm pozitiv ndaj Kosovës dhe kërkoi ndihmën e saj për mbështetjen e anëtarësimit në INTERPOL dhe Këshillin e Evropës.

Ambasadorin Peter Japejl falenderoi Kryetarin e Kuvendit për vlerësimin e lartë të marrëdhënieve, bashkëpunimit dhe miqësisë me Slloveninë dhe vuri në dukje se edhe pala sllovene ka vlerësime të njëjta. “Unë e kam të lehtë të punoj për thellimin, zgjerimin dhe fuqizimin e bashkëpunimit dypalësh sepse midis vendeve tona nuk ka asnjë pengesë. Uroj që mbledhja e Këshillit Evropian e 18 tetorit të vendosë hapjen e negociatave me Shqipërinë.”, -theksoi Ambasadori Japejl.