Kryetarja e KPJ-së znj.Kodheli nderohet me çmimin Ambasadore e Preshevës

  • Postuar më, 04/10/2019

Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, znj. Mimi Kodheli vizitoi Preshevën me ftesë të Kryetarit të kësaj Komune, z. Shqiprim Arifi. Znj. Kodheli shoqërohej nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Pavarur z. Nimet Musaj dhe znj. Edlira Bode, anëtare e Komisionit parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë. Delegacioni i Kuvendit të Shqipërisë u prit në takim nga Kryetari i Komunës Preshevë, z. Arifi, i cili i akordoi znj. Kodheli çmimin "Ambasadore e Preshevës" me motivacionin:"Për angazhimin e vazhdueshëm në realizimin e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, për bashkëpunimin reciprok me institucionet komunale dhe politike të shqiptarëve në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë, për avokimin dhe përfaqësimin brenda qeverisë dhe politikës në Shqipëri."Çmimi Ambasador i Preshevës, jepet si respekt dhe angazhim në vazhdimësi për shqiptarët e Luginës. Gjatë fjalës së saj znj. Kodheli tha se ishte e nderuar dhe veçanërisht e emocionuar për këtë vlerësim. Duke vijuar ajo nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit në terma konkretë sidomos në fushën ekonomike si dhe nevojën e optimizmit në bisedimet mes dy vendeve. "Ne mbështesim përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës në administratën publike dhe mundësinë e tyre për të qenë pjesë e jetës institucionale", tha znj. Kodheli. Kryetari i Komunës së Preshevës njohu deputetët me çështjet që shqetësojnë shqiptarët që jetojnë në zonë si dhe kërkoi vëmendje më të madhe nga Shqipëria. Ai njohu delegacionin me propozimin e tij për krijimin e Fondit Kombëtar të Solidaritetit, me anë të të cilit Komuna e Preshevës do të mund të konkurrojë për të fituar investime për projekte të prekshme për qytetarët e saj.Gjatë qendrimit në Preshevë delegacioni parlamentar i shoqëruar edhe nga Kryetari Arifi vizitoi shkollën fillore "Prof. Ibrahim Kelmendi" dhe u njoh me procesin e rikostruksionit të kësaj shkolle. Në Miratoc deputetët vizituan shkollën "Abdullah Krashnica" dhe dhuruan libra artistikw për nxënësit. Deputetët u ndalën edhe në Qendrën e Shëndetit dhe Maternitetin e qytetit, objekt i ndërtuar edhe me kontributin e qeverisë shqiptare dhe asaj kosovare. Vizita e delegacionit parlamentar në Preshevë u konkretizua pas takimeve që z. Armend Aliu, nënkryetar i Komunës së Preshevës zhvilloi në Tiranë disa muaj më parë.