Në Kuvendin e Shqipërisë ka filluar puna për hartimin e planit strategjik të institucionit

  • Postuar më, 04/10/2019

Prej disa muajsh, në Kuvendin e Shqipërisë, administrata dhe deputetët kanë filluar punën për hartimin e të parit dokument strategjik në rrafsh institucional. Plani strategjik i Kuvendit, do të hartohet nga vetë administrata dhe deputetët me asistencën e partnerëve ndërkombëtarë OSBE dhe NDI, në kuadër të Projektit “Për Mbështetjen e Kuvendit dhe Edukimin Qytetar” (PACEP), që po zbatohet në Kuvend pas nënshkrimit të Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe Konfederatës Zviceriane, përfaqësuar nga Agjencia Zviceriane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, dhe OSBE, nëpërmjet Prezencës së saj në Tiranë.

 Plani Strategjik do të përcaktojë për herë të parë vizionin e Kuvendit si dhe deklaratën e misionit, si dy elemente qendrore që i kanë munguar dokumenteve parlamentare si dhe fushat fushat prioritare, qëllimet e objektivat strategjike tek të cilat duhet të synojë institucioni ynë si maja e pushtetit ligjvënës.

Grupi i punës, ngritur me urdhër të Sekretarit të Përgjithshëm, ka hartuar një program pune të detajuar e gjithëpërfshirës për të gjitha fazat e zhvillimit të procesit të hartimit të planit strategjik. Pjesë e këtij procesi janë edhe konsultimet e brendshme, zhvilluar me të gjithë punonjësit dhe shërbimet e administratës, në takimet e datave 25, 26 dhe 27 shtator 2019. Në këto takime u bë një vlerësim i punës së bërë nga niveli drejtues për hartimin e fushave prioritare, qëllimeve dhe objektivave strategjikë të planit për zhvillimin e institucionit të Kuvendit në aspektin e përmirësimit të imazhit, rritjes së efektivitetit të funksioneve të Kuvendit, forcimit të kapaciteteve administrative dhe rritjes së transparencës e të pjesmarrjes qytetare në ushtrimin e funksioneve të Parlamentit. Nga punonjësit e administratës u paraqitën sugjerime dhe ide konkrete për përmirësimin e dokumentit të planit strategjik si dhe u dhanë mendime për plotësimin e planit të masave me aktivitete konkrete, ndër të cilat mund të përmendim punën që duhet bërë në aspektin e sigurimit të pavarësisë financaire të Kuvendit dhe të administratës së tij, përmirësimit të punës së zyrave të deputetëve, përmirësimit të komunikimit të brendshëm mes shërbimeve por edhe mes shërbimeve e deputetëve për kryerjen e detyrave dhe përcjelljen e informacionit në një kohë sa më të shpejtë, të përmirësohen mekanizmat e raportimit të brendshëm e të jashtëm, të mirëpërcaktohet e ridimensionohet roli i Kuvendit në marrëdhëniet ndërkombëtare në kuadër të diplomacisë parlamentare si dhe të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, të forcohen e përmirësohen kapacitetet në aspekt të kërkimit parlamentar e të punohet për krijimin e institutit parlamentar, etj.

 Procesi i konsultimit të brendshëm u përmbyll në takimin e datës 4 tetor 2019 me pjesmarrjen e deputetëve, të sekretarëve dhe anëtarëve të sekretariateve të Kuvendit, të stafit politik të kabinetit e të grupeve parlamentare dhe të Sekretarit të Përgjithshëm.

Takimi u përshkua nga një frymë e lartë përgjegjshmërie dhe gadishmërie nga ana e deputetëve për të dhënë kontribute konkrete për përmirësimin e draftit fillestar të planit strategjik si dhe pasurimin me shumë elemente të tjera. Diskutimet e deputetëve Besnik Baraj, Ralf Gjoni, Eglantina Gjermeni, Anastas Angjeli, Vasilika Hysi, Evis Kushi dhe Enver Roshi si dhe mbështetja nga deputetët Edlira Hyseni, Alban Zeneli, Arlind Çaçani e Arben Elezi krijuan një mjedis bashkëpunues e miqësor, veçanërisht në çështjet që u adresuan. Me interes ishin mendimet e sugjerimet për rritjen e eficencës dhe efektivitetit të rolit të deputetit, koordinimin e aspekteve financiare për marrjen e ekspertizës së jashtme, gjetjen e mekanizmave për zvogëlimin e hendekut ndërmjet deputetit e publikut, rritjen e transparencës e të aksesit të publikut në vendimmarrjen e Kuvendit, afrimin e shoqërisë civile tek deputetët dhe Kuvendi, hartimin e një plani veprimi për zbatimin e planit strategjik sa më konkret, të detajuar e të realizueshëm dhe rritjen e besueshmërisë tek publiku, trainimin e vazhdueshëm të stafit, aspektet e ndjeshmërisë gjinore duhet të jenë pjesë e planit strategjik, harmonizimin e planit strategjik me planin afatmesëm të buxhetit të Kuvendit, përmirësimin e raporteve parlament-qeveri, rritjen e transparencës, përfshirjen në planin strategjik të detyrimeve që rrjedhin nga ndryshimet më të fundit në Rregulloren e Kuvendit si dhe vlerësimin ex-post të legjislacionit, përcaktimin e një ndarjeje sa më të mirë të detyrave, objektivat strategjikë të jenë të matshme e me afate kohore konkrete etj. Nga ana e deputetëve pjesmarrës në takim gjeti mbështetje sugjerimi që ata, të udhëheqin grupin e punës në çdo fushë prioritare të planit strategjik që do të zhvillohet e plotësohet në qëllimin e objektivat strategjikë si dhe planin e veprimit.  

 Vlen të përmendim se u konstatuan pika të përbashkëta në shumë nga mendimet e sugjerimet  që u dhanë nga deputetët dhe administrata në të gjitha takimet e procesit të konsultimit të brendshëm. Ky është një tregues për rëndësinë e pasjes së një dokumenti strategjik, i cili do të adresojë punën e instituciononit në vitet e ardhshme për një Kuvend sa më pranë qytetarëve, drejt integrimit evropian, në përmbushje të parimeve të demokracisë.

 Në procesin e konsultimit të brendshëm u përfshinë në këtë proces rreth  13 deputetë, 150 punonjës të administratës e 15 pjestarë të stafit politik.