Anëtarë të Komisionit për Sigurinë Kombëtare kryen sot një vizitë informuese pranë ambjenteve të Drejtorisë për Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe të Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë

  • Postuar më, 04/10/2019

Anëtarë të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, kryen sot, më datë 04.10.2019, një vizitë informuese/njohëse pranë ambjenteve të Drejtorisë për Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe të Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë ku u pritën nga Zëvendësministri i Brendshëm z.Besfor Lamallari dhe drejtori i kësaj drejtorie z. Ardian Çipa, i cili shprehu mirënjohjen e tij për këtë vizitë. Z. Çipa bëri një prezantim të shkurtën mbi punën e drejtorisë, misionin e saj, përgjegjësitë, strukturën dhe institucionet me të cilat ajo bashkëpunon. Ai u shpreh se Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, si strukturë e posaçme qendrore e Policisë së Shtetit, pranë Departamentit për Hetimin e Krimeve, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, është organi përgjegjës për përgatitjen, ndjekjen dhe zbatimin e programit të mbrojtjes dhe e shtrin veprimtarinë e vet në të gjithë territorin e Republikës se Shqipërisë. Kryetarja e Komisionit të Sigurisë znj. Ermonela Felaj u kërkoi të pranishmëve në takim, që të parashtrojnë nevojat dhe problematikat që kanë në mënyrë që gjatë diskutimit të projektbuxheti për vitin 2020 këto problematika dhe nevoja të adresohen drejtë, si dhe nevojave që ata kanë në përmirësimin e quadrit ligjor mbi bazën e të cilit kjo drejtori ushtron funksionin e saj. Midis të pranishmëve pati diskutime dhe pyetje të ndryshme për të kuptuar më shumë rreth punës së kësaj drejtorie.