Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi përshëndet ish partizanët e Brigadës XXIV: 20 korriku, si Dita e Veteranëve

  • Postuar më, 04/10/2019

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, u ka dërguar sot një përshëndetje ish partizanëve të Brigadës XXIV të Ushtrisë partizane.
“Të dashura veterane, veteranë e pasardhës të luftëtarëve Brigadës XXIV Sulmuese heroike,
Të dashura veterane, veteranë e pasardhës të partizanëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare,
Motra dhe vëllezër nga Luma, Gora, Dibra, Shkodra, Lezha dhe gjithë Shqipëria,
Ju përshëndes në 75 vjetorin e krijimit të Brigadës XXIV Sulmuese, këtij reparti të fuqishëm të Ushtrisë dhe të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare.
Brigada XXIV Sulmuese u krijua 75 vjet më parë, në Bicaj të Lumës, nga bashkimi i çetës dhe batalionit partizan të Lumës si edhe me vullnetarët e të mobilizuarit nga të gjithë krahina. 650 luftëtarët e saj, në mbarim të Luftës u dyfishuan dhe arritën në 1.185 ushtarë të rregullt të Ushtrisë Partizane, aleates së vlersuar të Ushtrisë së Kuqe, Ushtrisë dhe Mariëns Amerikane, Ushtrisë dhe Flotës Britanike dhe të gjitha ushtrive çlirimtare të frontit të madh antifashist.
Pagëzimi i parë i zjarrit i Brigadës XXIV ishte beteja kundër kolonës gjermane në rrugën Kukës-Prizren, në bashkëveprim me Brigadën XVIII të Dibrës.
Kurora e lavdisë së Brigadës XXIV, ashtu si e shumë Brigadave të tjera partizane, ishte lufta fitimtare për çlirimin e Tiranës, në vigjilje të çlirimit të plotë të Shqipërisë. 
Pas çlirimit të Tiranës, më 24–27 nëntor, Brigada XXIV zhvilloi dhe fitoi betejën e njohur në Beltojë-Bërdicë-Bahçallëk, që i parapriu çlirimit të Shkodrës.
Pas çlirimit të Shqipërisë, në dhjetor 1944, së bashku me Brigadën XXVII të  Shkodrës, Brigada XXIV luftoi në Ulqin dhe Tivar,  duke shënuar një pjesë të kontributit internacionalist të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare.
Brigada XXIV dërgoi në altarin e lirisë 43 dëshmorë. 
Motra dhe vëllezër,
Në 75 vjetorin e çlirimit të Shqipërisë, është koha të rrisim respektin e nderimin tonë për veteranët e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, dhe jo të debatojmë për numrat e tyre. Debati për numrat e teknikalitetet nuk mund të errësojnë kontributin e shkëlqyer të tyre në çlirimin e vendit dhe vendosjen e Shqipërisë në krahun e forcave antifashiste e progresiste të kohës.
Unë jam i lumtur që në seancën e djeshme plenare, Kuvendi i Shqipërisë miratoi propozimin e qeverisë për një shtesë në ligjin “Për statusin e veteranit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar” dhe caktoi 20 korrikun si Dita e Veteranëve, një ditë e nderimit dhe respektimit të veteranëve dhe pasardhësve të tyre.
Ne u jemi dhe do tu jemi përjetë mirënjohës partizanëve, këtyre patriotëve dhe çlirimtarëve të Shqipërisë. Vepra e këtyre kalorësëve të lirisë nuk mund as të mohohet, as të errësohet në asnjë rrethanë dhe për asnjë arsye.
Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe vlerat patriotike e antifashiste qëndrojnë në themel të lirisë, të Shqipërisë demokratike, të përparimit, të kontributit tonë në NATO, për paqen, sigurinë e stabilitetin në rajon e në botë, në themel të rrugëtimit europian të Shqipërisë.”, shkruhet në përshëndetjen e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, dërguar ish partizanëve të Brigadës XXIV të Ushtrisë partizane.