Shtyhet afati i veprimtarisë së komisionit hetimor

  • Postuar më, 18/09/2019

18 shtator 2019 


Komisioni hetimor për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të Presidentit lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, në drejtimin e kryetarit Ulsi Manja, zhvilloi sot mbledhjen e radhës sipas planit të paracaktuar hetimor. Mbledhja miratoi shtyrjen e afatit të veprimtarisë të komisionit hetimor për 2 muaj të tjerë. 

Pas miratimit të procesverbalit të mbledhjes së komisionit datë 09.09.2019, mbledhja shqyrtoi projektvendimin e komisionit “Për zgjatjen e afatit të veprimtarisë së Komisionit Hetimor  të Kuvendit “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”. 

Nevojën për shtyrjen e afatit të veprimtarisë së komisionit përmes projektvendimit të paraqitur në komision, z. Manja e argumentoi si vijon: “Nga takimi që zhvilluam javën e shkuar si komision hetimor me misionin faktmbledhës të delegacionit të Komisionit të Venecias, na u tha që opinioni i Komisionit të Venecias do të diskutohet në mbledhjen e Komisionit të Venecias në datat 11-12 tetor. Jemi dakordësuar që në fillim dhe e kemi pjesë të planit të hetimit, që ky komision do të presë opinionin e Komisionit të Venecias për ta administruar në dokumentacionin e komisionit hetimor, sepse jemi dakordësuar bashkërisht që Komisioni i Venecias të na ofrojë ekspertizën e nivelit më të lartë në lidhje me objektin e hetimit, që ka ky komision. Meqenëse veprimtaria e këtij komisioni, sipas vendimit të Kuvendit nr. 84 të vitit 2019 kohëzgjatja e veprimtarisë së këtij komisioni mbaron më 8 tetor, lind nevoja që ne t’i drejtohemi Kuvendit të Shqipërisë, pra seancës plenare, për të pasur një afat shtesë, që ky komision të përfundojë me sukses detyrën që i ka ngarkuar Kuvendi me vendimin nr. 84 te vitit 2019.”

Z. Manja la të hapur mundësinë që, në varësi të vendimmarrjes së vetë Kuvendit të Shqipërisë, afati mund të jetë edhe më i shkurtër ose me i gjatë se sa dy muaj. Në përfundim të pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni hetimor e miratoi projektvendimin për zgjatjen e afatit të veprimtarisë së vetë komisionit.