Komisioni për Integrimin Europian zhvilloi seancë dëgjimore me ministrin ne detyre për Europen dhe Punët e Jashtme, Z. Gent Cakaj

  • Postuar më, 17/09/2019

Në drejtimin e kryetares znj.Rudina Hajdari , komisioni për Integrimin Europian zhvilloi sot një  seancë dëgjimore  me ministrin në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Z. Gent Cakaj, lidhur me çeljen e negociatave të Shqipërisë

Në fjalën e tij z. Cakaj theksoi se: “Publikimi I raportit të Komisionit Evropian në Maj të këtij viti nuk ka qenë thjesht nje publikim I zakonshëm i raportit të progresit , për shkak se në paragrafin 54 të konkluzioneve të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të 26 Qershorit të vitit 2018, Këshilli specifikisht kërkon nga Komisioni të bëjë verifikimin e kushteve shtesë që i janë vendosur Shqipërisë për hapjen e negociatave .Në Qershor të vitit të kaluar Këshilli ka vendosur që t’i përgjigjet pozitivisht reformave që ka ndërmarrë Shqipëria dhe arritjeve kryesore të saj duke hapur mundësinë për çeljen e negociatave këtë vit , por sidoqoftë ka kërkuar performancën e shtuar të Shqipërisë në tre faktorë kyç:  vazhdimin e proçesit të Vetting-ut, në ngritjen e Institucioneve të  reja të Drejtësisë me theks të veçantë ngritjen e SPAK-ut dhe Byrosë Nacionale të Hetimeve dhe kërkesa e tretë ka qenë shtimi I rezultateve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.Përgjigjen për performancën e Shqipërisë për këto tre kushte e ka dhënë vetë Këshilli I Çështjeve të Përgjithshme , vitin e kaluar për shkak se e ka autorizuar Komisionin Evropian të japë përgjigje specifikisht për përmbushjen e kushteve në fjalë. Kështu Komisioni ka thënë fjalën e tij duke ofruar dëshmi të vlerësimit pozitiv se të gjitha kushtet teknike janë plotësuar dhe si rrjedhojë Shqipëria meriton hapjen e negociatave”.

 Seanca vijoi me pyetje dhe diskutime nga anëtarët e pranishëm në komision.