Promovohet botimi parlamentar “Reforma në sistemin e drejtësisë”. Gramoz Ruçi: Demokracia nuk është kurrë e tradhëtuar nëse zhvillohet në shinat e Kushtetutës dhe ligjit

  • Postuar më, 22/07/2019

22 korrik 2019

Sot, në mjediset e Kryesisë së Kuvendit, u promovua botimi parlamentar “Reforma në sistemin e drejtësisë”. Në këtë ceremoni mori pjesë Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, anëtarë të komisionit ad hoc të rëformës në drejtësi dhe të komisionit të ligjeve të Kuvendit, përfaqësues të bordit editorial të botimit dhe të ekspertëve të nivelit të lartë të reformës, përfaqësues të organeve të reja të sistemti të drejtësisë si edhe të rivlerësimit kalimtar si edhe përfaqësues nga EURALIUS, OSBE, Fondacioni “Shoqëria e Hapur” dhe organizata të tjera ndërkombëtare, që kanë kontribuar e kontribuojnë me ekspertë në realizimin e reformës në drejtësi.

Në fjalën e mbajtur në këtë ceremoni, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, vuri në dukje se: “Promovimi i botimit parlamentar “Reforma në sistemin e drejtësisë”, përkon me trevjetorin e miratimit të ndryshimeve kushtetuese që i hapën rrugë reformës.Botimet janë fryt i një investimi profesional dhe dëshire për të hedhur bazat ligjore të reformës për një sistem drejtësie të pavaruar, profesional, të paanshëm, me drejtësi efikase dhe eficente, të shpejtë, jo të vonuar dhe as të mohuar, dhe ku të gjithë të jenë të barabartë para ligj. Reforma në drejtësi nuk është një reformë si gjithë të tjerat. Analiza e sistemit, pikat e forta dhe të dobëta, plani i veprimit për reformimin e sistemit, hartimi i ndryshimeve kushtetuese dhe 30 projektligjeve janë frut i përpjekjeve të shumta për të ndryshuar një sistem gjyqësor të korruptuar dhe për të krijuar bazën e një mentaliteti të ri, mbi të gjitha të atyre që ofrojnë drejtësi.Reforma në drejtësi është një meritë ekskluzive e Kuvendit të Shqipërisë, një arritje dhe shërbimi më i mirë për shoqërinë dhe qytetarët shqiptarë, për shtet-bërjen dhe të ardhmen e vendit. Gjej rastin të falenderoj EURALIUS-in, OPDAT-in, Ambasadën e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Europian, si edhe ambasadat, misionet dhe ekspertët nga të gjitha vendet partnere, pa mbështetjen e të cilëve reforma në drejtësi nuk mund të projektohej, realizohej e zbatohej.  Zbatimi i reformës është i nevojshëm dhe i mirëpritur nga qytetarët, por edhe nga miqtë e partnerët ndërkombëtare dhe kjo është lexuar qartë në të gjitha takimet që unë kam pasur me kryetarët e parlamenteve të vendeve të Bashkimit Evropian.Unë personalisht, si deputet, si Kryetar i Grupit Parlamentar të shumicës dhe, prej shtatorit 2017, si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, kam ndjekur e mbështetur reformën që në projektimin dhe hapat e saj të parë.

Botimet që promovojmë janë një vlerë e shtuar në jurisprudencën shqiptare, një përmasë e katërt e reformës, një libër i hapur për të gjithë ekspertët, studentët por edhe qytetarët, të cilët gjejnë në to një pjesë të betejës sonë për të rindërtuar sistemin e drejtësisë dhe për ta venë atë në shërbim të qytetarëve. Këto si edhe botimet që do të vijojnë janë një dhuratë e bukur që i bëjmë vendit në prag të 100 vjetorit të parlamentarizmit shqiptar.

Dëshiroj të rikonfirmoj qëndrimin tim personal dhe të Kuvendit të Shqipërisë se reforma në drejtësi është e pakthyeshme dhe e panegociueshme. Për arsyen e thjeshtë se ajo është e dëshiruar për të gjithë qytetarët dhe se destinacioni europian, fati dhe e ardhmja e Shqipërisë nuk mund të negociohen.” 

Në fund të fjalës së vetë, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, bëri edhe një parantezë të shkurtër sesi reforma në sistemin e drejtësisë na ndihmon për të kuptuar në mënyrë korrekte disa nga zhvillimet tona si edhe raportin midis demokracisë dhe kushtetueshmërisë.

Duket sikur demokracia liberale dhe kushtetueshmëria kufizojnë njera-tjetrën. Nuk kanë munguar as në realitetin shqiptar këto kohë interpretime mbi të ashtuquajturin kufizim të demokracisë për shkak të këmbënguljes për kushtetueshmëri e ligjshmëri.

Kushtetueshmëria dhe ligjshmëria nuk janë vargonj për demokracinë, por kolonat ku mbështetet ajo, janë kufizime që demokracia vendos ndaj vetes, me qëllim që të shpëtojë prej anarkisë, destabilitetit dhe pasigurisë.

Nga ana tjetër, në sistemin demokratik, kushtetuta është ndërtuar mbi logjikën demokratike dhe për këtë arsye ushqen e mbështet praktikat demokratike. Prandaj demokracia nuk është kurrë e tradhëtuar nëse zhvillohet në shinat e Kushtetutës dhe ligjit.

Demokracia është, padyshim, edhe arti i kompromisit. Por ndërsa kushtetueshmëria është themeli, kompromiset përbëjnë kthinat e demokracisë. Kushtetuta dhe ligjet janë rrënjët, ndërsa kompromiset politike degët e një sistemi demokratik.  Dhe të gjithë jemi të një mendimi që rrënjët dhe themelet prevalojnë mbi kthinat dhe degët.

Përvoja jonë në realizimin e reformës në drejtësi na ndihmon të reflektojmë dhe të pajtohemi me modelin demokratik, sipas të cilit udhëharta e veprimeve tona politike duhet të jenë Kushtetuta dhe ligjet.”

Kryetari i bordit editorial të botimit, z. Sokol Sadushi, bëri prezantimin e përmbajtjes së dy vëllimeve të botuara: “Analiza dhe Strategjia” dhe“Debati Kushtetues”.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Z. Ulsi Manja, nënvizoi se: “Kjo reformë është një sfidë, e cila na obligon të realizojmë me përpikmëri absolute atë arkitekturë institucionale të sistemit të drejtësisë, për të cilën dakordësuam në vitin 2014, në përmbushje të rolit kushtetues të Kuvendit të Shqipërisë, por edhe të një qasjeje me përgjegjshmëri të lartë politike ndaj shqiptarëve. Të diagnostikoje e të “kuroje” sistemin e drejtësisë dukej një mision gati i pamundur në atë kohë; fenomeni i koorporatizimit, mungesa e transparencës në vendimmarrje, mungesa e theksuar e llogaridhënies dhe niveli i lartë i korrupsionit në sistem, kishin cënuar rëndë besueshmërinë dhe parimin e shtetit të së drejtës. Sot, nuk mund të mos cilësoj dhe veçoj si një nga shtyllat kryesore të kësaj reforme me rezultatet më të prekshme, procesin e Vetting-ut. Gjithashtu, shumë organe të reja të sistemit të drejtësisë janë ngritur, KED, KLGJ, KLP tashmë janë realitete të implementuara.”  

Kryetari i Komisonit të ad hoc të reformës në drejtësi, z. Fatmir Xhafaj, nënvizoi se me reformën në drejtësi: “Ne po ngremë mbi një bazament të ri, jo thjesht një institucion, por një pushtet të tërë tërësisht të ri, që ngrihet paralelisht me funksionimin e pushtetit të vjetër e të korruptuar. Reforma në drejtësi tashmë është një realitet i prekshëm, një realitet në zhvillim frytet e para të së cilës tashmë janë të prekshme dhe të vlerësuara pozitivisht në mjedisin shoqëror, vendas e ndërkombëtar. Një sulm i egër e ka shoqëruar dje hartimin e reformës në drejtësi dhe sot procesin e zbatimit të saj. E sigurtë kështu do të vazhdoj edhe nesër. Do të jenë gjithmonë e më pak, por e sigurtë më të ashpër. Është ndeshja e dy botëve, një përballje e dy qëllimeve diametralisht të kundërta. Beteja midis drejtësisë dhe padrejtësisë, qëllimit për të ndërtuar një drejtësi të pavarur e funksionale dhe përpjekjeve për demotivimin ose kontrollin e saj. Padyshim që në themel të të gjithë këtij sulmi ka qënë dhe mbetet paranoja e pasiguria apo frika nga drejtësia, nga ndëshkimi. Prandaj sot dëshiroj tju them të gjithëve se kurajo për të bërë gjëra të mëdha në interes të vendit është më e fortë se çdo dhimbje e shkaktuar nga fronti i së keqes”.

Zëvëndëskryetari i Kuvendit, z. Myslim Murrizi, vuri në dukje dhe uroi: “Që sot, një vit nga kjo ceremoni, të mblidhemi këtu sërisht për të njoftuar përmbylljen e të gjithë proçesit. Të mblidhemi e të falenderojmë të gjithë kontribuesit që nga viti 2014 që me punën e tyre, idetë, debatet, përvojën e hedhur në ligj, kontribuan në reformimin e sistemit. E pa dyshim, një falenderim të veçantë do t’i kushtohet partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA dhe BE, pa kontributin, mbështetjen dhe këmbënguljen e tyre, ndoshta nuk do të mundeshim kurrë të ndërmerrnim një nismë të tillë. Uroj që, pas kësaj, koha të tregoj se vepruam mirë dhe qytetarët të kenë një drejtësi që e meritojnë. E në fund, edhe politika të ketë kurajon e të thote se i gjithë proçesi me plot luftë e beteja mes palëve, ia vlejti. E kundërta do t’i bënte shumë dëm Shqipërise dhe shqiptarëve. Ndaj me shpresën për më të mirën e mundshme dhe me besimin tek Zoti, uroj që më në fund edhe Shqipëria të ketë një sistem drejtësie si vendet e Perëndimit dhe të aleances euroatlantike.”