Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, seancë dëgjimore me ministren e Arsimit znj. Shahini, për diskutimin e projektligjit “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë”

  • Postuar më, 11/07/2019

Në drejtimin e kryetares Fatjona Dhimitri, komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, në cilësinë e komisionit përgjegjës, zhvilloi një seancë dëgjimore me ministren e  Arsimit Sportit dhe Rinisë, znj. Besa Shahini.

Znj Shahini, në fjalën e saj bëri prezent dy propozime: "Çdo institucion i ri, që krijohet apo rirregullohet me ligje të reja duhet të ketë parasysh barazinë gjinore. Akademia  e Shkencave deri tani ka qenë një institucion që ka promovuar kryesisht burrat dhe në fakt duhet t’i kushtohet vëmendje dhe promovimit shkencor të më shumë grave dhe kjo të shprehet në ligj në mënyrë të qartë. Propozimi i dytë, që duhet të reflektohet në projektligj, është që të shkojmë drejt krijimit të një Akademie Shkencash Shqiptare  dhe të gjithë profesorët dhe akademikët duhet të punojnë bashkë , në mënyrë që mos të kemi tre fjalorë , apo tre dokumenta për të njëjtat tema , por të njehsohen duke   marrë  mendjet më të ndritura të të gjitha trevave . Por kjo, natyrisht nuk rregullohet me ligj.Ajo, që  rregullohet me ligj, është synimi" theksoi znj Shahini

 Më tej, komisioni vijoi me pyetje, diskutime dhe sugjerime nga anëtarët.