Kuvendi mblidhet në seancë plenare

  • Postuar më, 08/07/2019

Në drejtimin e Kryetarit , z Gramoz Ruçi, Kuvendi u mblodh sot në seancë plenare.Kuvendi shqyrtoi raportin e  Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe propozimin  e këtij  komisioni për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar, bazuar në kërkesën e një grupi deputetësh, për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës, z.Ilir Meta.Raportin e komisionit përgjegjës për Çështjet Ligjore,Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar , për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës, z.Ilir Meta, e lexoi kryetari i komisionit për Çështjet Ligjore,Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut z Ulsi Manja.Ky raport u miratua me 102 vota pro,7 kundër dhe 2 abstenim.Gjatë fjalës së tij , z.Manja, u shpreh se Presidenti i Republikës së Shqipërisë,z. Ilir Meta  me anulimin e datës së zgjedhjeve ka kryer një shkelje të rëndë kushtetuese. “Një grup prej 55 deputetësh ka paraqitur një kërkesë për shkarkimin e Presidentit , bazuar ne nenin 90/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenit 112 të Rregullores se Kuvendit, që normon procedurën që ndjek Kuvendi për shkarkimin e Presidentit. Këta deputetë çmojnë se dekreti i Presidentit për anulimin e datës së zgjedhjeve vendore, është në kundërshtim të hapur me parimet kushtetuese të një Republike Parlamentare, të funksioneve të Presidentit të parashikuara nga Kushtetuta dhe të funksionimit e të ushtrimit normal të sovranitetit të popullit”,- tha Manja.Sipas z. Manja, Komisioni i Ligjeve ka vënë në dijeni z.Meta lidhur me datën e mbledhjes së komisionit, por në përgjigje të kësaj ftese ka ardhur një shkresë më gjuhë jo zyrtare, ironike dhe fyese presidenti përmes sekretares refuzoi pjesëmarrjen.Në emër të grupit parlamentar socialist,kryetari i këtij grupi z.Taulant Balla u bëri thirrje deputetëve, qe ta miratojnë ngritjen e këtij komisioni hetimor.“Nuk ka shumë për të diskutuar më sot në këtë seancë, por si kryetar i grupit të shumicës dhe si një pre 55 firmëtarëve të kërkesës, e cila në 28 vite të këtij kuvendi është hera e parë që Kuvendi i Shqipërisë ngre një komision hetimor për të hetuar ligjshmërinë e veprimeve të kryetarit të shtetit që shkojnë në kushtet e shkeljes së rëndë të Kushtetutës.Do t’i kërkoja të gjithë deputetëve, ta ngremë këtë Komision Hetimor me konsensus të plotë, e t’i kërkojmë këtij komisionit hetimor të përmbushë detyrën e vet brenda 3 muajve e me transparencë për publikun me qëllim që, përfundimet e këtij komisioni të përmbushin pritshmëritë e kërkuesëve, por i takon komisionit hetimor që të qartësoje këtë situatë. Të gjithë e pranojmë, edhe nga fjalimet këtu në sallë, jemi në kushtet e një shkleje të rëndë të Kushtetutës” tha z.Balla.Më pas,në emër të grupit parlamentar të pavarur z. Nimet Musai, tha se kapërcimi i këtij moment politik, duhet të jetë prioriteti i klasës sonë politike."Unë bëj pjesë tek ata njerëz, që besojnë se hetimi parlamentar i një Presidenti, apo qoftë edhe shkarkimi i tij për shkelje kushtetuese, nuk e ç'tensionojnë plotësisht situatën politike në vend. Është hap i duhur, por jo i mjaftueshëm, për kapërcimin e momentit të tanishëm politik" tha z Musai.Projektvendimi “Për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij, lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore” u miratua me 101 vota pro, 6 kundër dhe 3 abstenim.Seanca i mbylli punimet rreth orës 19.30