Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi nen për nen ndryshimet në Kodin Penal

  • Postuar më, 10/06/2019

10 qershor 2019

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarit, z. Ulsi Manja, shqyrtoi sot nen për nen projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.01.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”. Të pranishëm në komision ishin ekspertë nga EURALIUS, Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, ARSA, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe nga Avokati i Popullit.

Komisioni shqyrtoi dy draftet e paraqitura, njërin si iniciativë e zgjedhësve për mbrojtjen e kafshëve nga dhunimi dhe tjetrin si nismë deputetësh. Ndryshimet e draftit të parë u relatuan për komisionin nga z. Adnor Shameti, ndërsa z. Xhina relatoi propozimet e ardhura nga një grup deputetësh. Të dy draftet e ndryshimeve të propozuara do të integrohen në një të vetëm, përpara se t’i paraqiten seancës plenare për votim. Komisioni ndërpreu punimet për të vijuar në mbledhjen e radhës me shqyrtimin nen për nen të neneve të mbetura të padiskutuara nga propozimet e grupit të deputetëve.

Po sot, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, e miratoi nen për nen dhe në tërësi projektligjin e ardhur me ndryshimet e propozuara nga një grup deputetësh.