Një delegacion i Kuvendit të Shqipërisë mori pjesë në Samitin Global të Partneritetit për Qeverisjen e Hapur në Kanada

  • Postuar më, 07/06/2019

Një delegacion i Kuvendit të Shqipërisë i përbërë nga Zëvendëskryetarja e Kuvendit znj. Vasilika Hysi dhe deputetja Fatjona Dhimitri, mori pjesë në Samitin Global të Partneritetit për Qeverisjen e Hapur, i mbajtur më datat 30-31 maj 2019, në Otavë, Kanada. 

Gjatë qëndrimit, delegacioni parlamentar i kryesuar nga znj. Hysi, Zëvendëskryetare, zhvilloi një takim pune me z. Bruce Stanton, Nënkryetar i Dhomës së Komunëve pranë Parlamentit të Kanadasë. Në takimin ku ishin të pranishëm edhe znj. Dhimitri dhe ambasadori i Shqipërisë, z. Ermal Muça, u bisedua për çështje të interesit të ndërsjellë me fokus në diplomacinë parlamentare dhe forcimin e mëtejshëm të saj.

Znj. Hysi vlerësoi ngritjen e grupit parlamentar të miqësisë Kanada- Shqipëri më maj 2019 dhe theksoi angazhimin e Kuvendit për të forcuar bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave; vlerësoi nënshkrimin e marrëveshjes për "Mbrojtjen Shoqërore med Shqipërisë dhe Kanadasë si dhe rregullores administrative"; rolin e diasporës shqiptare dhe mundësitë e krijuara për zhvillimin e kulturës dhe arsimimin në gjuhën shqipe.  Znj. Hysi vlerësoi  mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik, investimet  kanadeze në Shqipëri, mundësitë në fushën e energjisë, turizmit, investimet në infrastrukturë, bujqësi.

Në kuadër të diplomacisë parlamentare u diskutua mundësia e shkëmbimit të përvojave për fuqizimin e grave dhe vajzave edhe mes shkëmbimit të modeleve që zbatohen në Kanada për forcimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse.