Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, miratoi në parim një paketë projektligjesh

  • Postuar më, 05/06/2019

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, shqyrtoi një paketë projektligjesh. Projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.157/2013, “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, të ndryshuar,  projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar dhe projektligji “Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara”.

Të ftuar në mbledhjen e sotme të komisionit ishin zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë z. Elton Haxhi, z. Elvis Koci drejtor i Përgjithshëm i DPPP-së, z. Agron Muslia drejtor i Analizës së Përputhshmërisë në DPPP dhe z. Artur Kala drejtor i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Zëvendësministri Haxhi gjatë prezantimit të paketës së projektligjeve u shpreh se ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka kryesuar punën për hartimin e projektligjeve.

“Paketa e ndryshmeve ligjore që ne kemi përgatitur apo jemi duke përgatitur përfshin edhe ndryshimet në vijim, kemi bërë disa ndërhyrje ligjore në ligjin për Qendrën Kombëtare të Biznesit. Disa ndryshime në ligjin për procedurat tatimore të cilat në mënyrë të përmbledhur synojnë forcimin e detyrimit për deklarimin e të dhënave të pronarëve përfitues në regjistrin tregtar, si edhe detyrimin specifik të personave juridik për të pasur llogari bankare.”, theksoi ndër të tjera z. Haxhi.

Pas prezantimit të hollësishëm të projektligjeve dhe diskutimeve dhe pyetjeve si edhe komenteve mes anëtarëve të komisionit dhe të ftuarve, komisioni e miratoi paketën e projektligjeve të paraqitura në parim.