Mblidhet Këshilli i Legjislacionit. Konstituohet përbërja e tij e re

  • Postuar më, 24/05/2019

24 maj 2019


Këshilli i Legjislacionit, në drejtimin e kryetarit të ri, z. Bashkim Fino – sipas Rregullores së Kuvendit do ta drejtojë Këshillin e Legjislacionit për 5 muaj – zhvilloi sot mbledhjen e radhës.

Në mbledhjen e sotme z. Bashkim Fino u prezantua si kryetari i radhës, përmes rotacionit, si edhe u konstitua përbërja e re e Këshillit, pjesë e të cilit u bënë deputetet e opozitës parlamentare: znj. Fatjona Dhimitri, znj. Rudina Hajdari dhe znj. Aurora Mara.

Lidhur me dispozitat e dy projektligjeve të kthyera nga Gjykata Kushtetuese, (përkatësisht “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”" dhe "Për disa ndryshime në ligjin nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”"), procesi i shqyrtimit të të cilit kishte mbetur pezull që nga 27 shkurti i 2019-s, kohë prej së cilës ekspertët e mazhorancës dhe të opozitës, me përjashtim të vetëm të disa neneve, kishin sjellë propozime të përbashkëta, z. Fino, për të vijuar më tej me procedurën e shqyrtimit kërkoi nga përfaqësuesit e rinj të opozitës në Këshill caktimin e relatores së projektligjeve dhe të ekspertit juridik të opozitës.

Relatore e opozitës për projektligjet në shqyrtim u caktua znj. Dhimitri, ndërsa në një moment të dytë opozita do t’i paraqesë shërbimeve të Kuvendit emrin e ekspertit përfaqësues të saj.