Zëvendëskryetarja e Kuvendit, znj. Vasilika Hysi, priti përfaqësues të Fondacionit Federal për studimin e diktaturës komuniste në ish- Gjermaninë Lindore

  • Postuar më, 22/05/2019

22 maj 2019

Zëvendëskryetarja e Kuvendit, znj. Vasilika Hysi, priti në mjediset e Kryesisë së Kuvendit përfaqësues të Fondacionit Federal për studimin e diktaturës komuniste në ish- Gjermaninë Lindore. Në këtë vizitë bashkëpunëtor ishte edhe Fondacioni Konrad Adenauer. Të pranishëm në takim ishin ambasadorja e Gjermanisë, znj. Susanne Schutz; drejtorja ekzekutive e Fondacionit Federal, znj. Anna Kaminsky, deputetë të komisionit parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe nga nënkomisioni parlamentar për të Drejtat e Njeriut.

Zëvendëskryetarja Hysi e konsideroi takimin e sotëm si mundësi të mirë për të diskutuar e shkëmbyer përvoja, si edhe theksoi që Kuvendi përpiqet të luajë vazhdimisht rolin e tij në ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe pa diskriminim. “Nuk duhet ta harrojmë historinë, jo si revansh e hakmarrje, por që të mos përsëritet”, - u shpreh znj. Hysi. Gjithashtu ajo listoi institucionet e pavarura që raportojnë në Kuvendin e Shqipërisë, bashkëpunimi me të cilat do të ishte i frytshëm për kërkime të ngjashme si ai i Fondacionit Federal.

Ambasadorja Schutz dhe drejtorja e Fondacionit Federal, znj. Kaminski, vlerësuan rëndësinë e kujtesës historike dhe të shkëmbimit të përvojave mes vendeve. Të pranishmit shtruan pyetje dhe diskutime lidhur me të shkuarën diktatoriale të Shqipërisë.