Delegacioni i Kuvendit të Shqipërisë u prit sot nga Presidentja e Senatit të Holandës Znj. Ankie Brokers-Knol.Ruçi hap dyert e Senatit holandez për negociatat

  • Postuar më, 22/05/2019

Kryetari i Kuvendit, z.Gramoz Ruçi , në fjalën e tij, u shpreh se jemi në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, në Senatin e Holandës së Rembrandit, Van Gogut, Krujfit, Van Bastenit, mirëqenies, demokracisë, sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut, për të shpjeguar arritjet tona në pesë prioritetet kyçe të rekomanduara nga Këshilli Europian, në qershor 2018, si kushte për hapjen e negociatave në qershor 2019.  Jemi këtu, tha z. Ruçi, për të thënë që detyrat e shtëpisë i kemi realizuar plotësisht.

Ndërsa,Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, z.Taulant Balla tha se perspektiva europiane e Shqipërisë të mos dëmtohet nga interesat e fuqive joeruopiane, të cilat kërkojnë të devijojnë  perspektivën europiane të rajonit.

Presidentja e Senatit të Holandës Znj. Ankie Brokers-Knol, nënvizoi se Holandën dhe Shqipërinë i lidh një miqësi e hershme  dhe e fortë e bashkëpunimit për paqen dhe progresin. “Aktualisht marrëdhëniet dypalëshe janë shumë të mira dhe më një perspektivë akoma më të mirë. Jam e impresionuar nga vullneti dhe arritjet e Shqipërisë në reformat, sidomos reformës në drejtësi dhe vettingut, për të cilën kontribuojnë edhe ekspertët holandezë. Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor janë vende europiane dhe unë jam  e bindur për perspektivën europiane të Shqipërisë. Nisja sa më shpejt e negociatave nuk është vetëm në interesin e Shqipërisë, por edhe të BE-së. Për këtë keni mbështetjen tonë”, tha Znj. Brokers-Knol.

Të dy delegacionet  shkëmbyen mendime mbi situatën politike në Shqipëri, arritjet konkrete në  pesë prioritetet kyçe të rekomanduara nga Këshilli Europian, zhvillimet dhe perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor dhe rolin e  Shqipërisë, si një faktor paqeje e stabiliteti në rajon e më gjerë.