Mblidhet "Aleanca e Grave Deputete"

  • Postuar më, 15/05/2019

Aleanca e Grave Deputete, nën drejtimin e nënkryetares znj. Elona Gjebrea Hoxha, zhvilloi mbledhje për të prezantuar punën e kryer nga Aleanca vitin e kaluar si dhe për të prezantuar kalendarin e  aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë dy viteve të ardhshme. Të pranishme në mbledhje ishin gratë deputete të të gjitha forcave politike, përfaqësues nga organizata ndërkombëtare OSBE dhe UN Women dhe staf mbështetës i Kuvendit.Gjatë vitit 2018, Aleanca e Grave Deputete ka zhvilluar disa aktivitete si: organizimi i konferencës për shkallën e trafikimit të qenieve njerëzore ne rajonin e Ballkanit dhe roli i parlamentareve në këtë drejtim; pjesëmarrja në Samitin Botëror të Grave Parlamentare; nënshkrimi i Marrëveshjes së Bashkëpunimit me UN Women etj. Më tej, mbledhja vijoi me prezantimin dhe diskutimin e  kalendarit të aktiviteteve të Aleancës së Grave Deputete për vitin 2019 - 2020. 


Gjatë diskutimeve për kalendarin e aktiviteteve, znj. Milva Ekonomi theksoi rëndësinë e hartimit të një përmbledhje për gjetjet e Raportit Pekin +25. Mbi kalendarin e aktiviteteve, znj. Blerina Gjylameti pasi e vlerësoi atë u shpreh mbi përgatitjen e një rregulloreje që duhet të shoqërojë çdo nismë ligjore sa i përket buxhetimit gjinor. Në vijim, znj. Klodiana Spahiu theksoi se pjesë e kalendarit të aktiviteteve të AGD-së  duhet të jetë Raporti Treguesi i Shëndetit të Gruas dhe veçanërisht mbështetja e nënave të moshës së tretë. Znj. Antoneta Dhima sugjeroi që sugjerimet e deputeteve të reja të bëhen pjesë e kalendarit të aktiviteteve të AGD-së. Gjithashtu, znj. Elisa Spiropali vlerësoi kalendarin e aktiviteteve dhe nënvizoi organizimin e një aktiviteti lidhur me fyerjen dhe gjuhën që nxit urrejtjen.

Më tej, fjalën e morën edhe përfaqësuese të opozitës znj. Fatjona Dhimitri dhe znj. Aurora Mara të cilat shprehën konsideratën, gatishmërinë dhe falenderimet e tyre për Aleancën e Grave Deputete.