Komisioni për Ekonominë dhe Financat zhvilloi një seancë dëgjimore mbi raportin e veprimtarisë vjetore të Bankës së Shqipërisë për vitin 2018
- Postuar më, 23/04/2019
Komisioni për
Ekonominë dhe Financat, në drejtimin e kryetarit z. Arben Ahmetaj, zhvilloi një
seancë dëgjimore mbi raportin e veprimtarisë vjetore të Bankës së Shqipërisë,
për vitin 2018. Raportin e paraqiti Guvernatori I Bankës së Shqipërisë, z.Gent Sejko, i cili që në krye të herës paraqitjen e këtij raporti e konsideroi
një mundësi për të forcuar dialogun.
“Puna e Bankës së Shqipërisë, për vitin 2018, është bazuar në tri premisa kryesore” – tha z. Sejko,- “së pari në objektivat e përcaktuara në kuadrin ligjor, i cili rregullon punën e këtij institucioni; së dyti në objektivat e përcaktuara në strategjitë tona afatmesme të zhvillimit dhe së treti në rekomandimet e dhëna nga Kuvendi në rezolutën për vlerësimin e Bankës së Shqipërisë për vitin 2017. Rezultatet e punës së Bankës së Shqipërisë kanë rezultuar të suksesshme në të tri drejtimet. Bazuar në informacionin e disponuar Banka e Shqipërisë konstaton se viti 2018 ishte vit progresi për ekonominë dhe financat shqiptare. Treguesit kryesor të shëndetit të sektorit bankar shënuan përmirësim dhe një sërë indikatorësh të balancave të brendshme dhe të jashtme ekonomike, erdhën drejt forcimit”.
Guvernatori Sejko, ndër të tjera theksoi se deficiti buxhetor dhe borxhi publik, përgjatë 2018-ës, vijuan të shënojnë një tendencë rënëse.
Mbi raportin
relatoi për komisionin deputetja e Partisë Socialiste, znj. Evis Kushi, e cila vlerësoi
pozitivisht veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë dhe politikat e ndjekura prej
saj, për vitin 2018. Njëkohësisht, znj. Kushi, u ndal edhe te rekomandimet që
komisioni i Ekonomisë dhe Financave jep për veprimtarinë e Bankës së
Shqipërisë, gjatë punës së saj në vazhdimësi.
“Kuvendi vlerëson
pozitivisht në mënyrë të veçantë përmbushjen me përkushtim të veçantë të detyrave
kushtetuese dhe ligjore, zbatimin e një politike monetare me synime stimuluese
në funksion të përmbushjes së objektivit të saj primar dhe administrimit të
rezervës valutore. Për vitin 2019 Kuvendi i rekomandon BSH-së të zbatojë
strategjinë e politikës makroprudenciale, e cila synon ndërmarrjen e veprimeve
për parandalimin e rrezikut sistemik në funksion të garantimit të një sistemi
financiar të qëndrueshëm” – përfundoi znj. Kushi.
Mbledhja e
komisionit vijoi me pyetje dhe diskutime nga deputetët e pranishëm rreth çështjeve
të caktuara që i takonin raportit të paraqitur nga z. Sejko.