Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi një marrëveshje
- Postuar më, 25/03/2019
Komisioni për Ekonominë
dhe Financat, mori sot në shqyrtim projektligjin “Për ratifikimin e
marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së
Shqipërisë, Republikës së Malit të Zi dhe Komisionit Evropian, për programin e
veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, Mali i Zi – Shqipëri, alokimet e
vitit 2017”
Relatorja, znj. Blerina
Gjylameti tha se marrëveshja është nënshkruar në nëntor të vitit 2018
dhe ka për qëllim kryesor të kontribuojë në, zhvillimin
social-ekonomik të zonave ndërkufitare, që lidhin Shqipërinë me Malin e Zi,
nëpërmjet projekteve të përbashkëta shkëmbimit të përvojës dhe
njohurive ndërmjet përfituesve, si dhe përmirësimit të politikave publike
ndërmjet autoriteteve kombëtare, rajonale e lokale në zonën ndërkufitare. Kjo
marrëveshje parashikon financimin nga granti i BE-së nëpërmjet instrumentin IPA
II, në vlerën 1 190 000 euros, për të dyja vendet.
“Programi do të fokusohet në prioritetet e
mëposhtme tematike: 1. Nxitja e turizmit dhe e trashëgimisë kulturore e
natyrore; 2. Mbrojtja e mjedisit, nxitja e përshtatjes dhe e lehtësimit ndaj
ndryshimeve klimatike, parandalimi dhe menaxhimi i rrezikut; 3. Nxitja e
punësimit, lëvizjes gjeografike të punonjësve dhe e përfshirjes sociale e
kulturore përtej kufirit. Zonat shqiptare, që do të përfitojnë nga kjo
marrëveshje janë: Shkodra, Lezha, Rrethi i Tropojës”, sqaroi ndër të tjera znj.
Gjylameti.
Po sot, dhe Komisioni për
Integrimin Evropian shqyrtoi marrëveshjen e sipërpërmendur. Në
përfundim, të dyja komisionet e miratuan në parim, nen për nen dhe
tërësi marrëveshjen, duke ia kaluar për shqyrtim seancës
plenare.