Prezantohet në komisionin për Ekonominë dhe Financat raporti vjetor i Autoritetit të Konkurrencës. Komisioni miratoi edhe një projektligj
- Postuar më, 19/03/2019
19 mars 2019
Komisioni për Ekonominë dhe Financat, në drejtimin
e kryetarit, z. Arben Ahmetaj, u njoh sot me raportin vjetor të Autoritetit të
Konkurrencës për vitin 2018. Në mbledhjen e sotme komisioni miratoi në parim,
nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes,
ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së
Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin teknik 2017 për projektin
“Zhvillim i qëndrueshëm i zonave rurale””.
E pranishme në komision për prezantimin e raportit
vjetor për vitin 2018 të Autoritetit të Konkurrencës ishte znj. Juliana Latifi,
kryetare e autoritetit. “Aktiviteti ynë ka qenë shumëdimensional. Ai është
materializuar në një numër të konsiderueshëm vendimesh të marra nga ana e
Komisionit të Konkurrencës, organit vendimmarrës të Autoritetit. Më
konkretisht, gjatë vitit 2018 u morën 87 vendime, ose thënë ndryshe dy herë më
shumë se në vitin 2017. Në mënyrë të përmbledhur, vendimmarrja ka konsistuar në
një sërë gjetjesh në formën e rekomandimeve, autorizimeve, vlerësimeve ligjore,
masave të përkohshme përfshirë dhe vendimet e natyrës penalizuese”,- u shpreh
kryetarja Latifi, që gjithashtu theksoi në fjalën e saj se gjatë vitit 2018 u
vendosën 6 gjoba, vlera e të cilave shkon në 3.5 herë më e lartë se buxheti i
institucionit.
“Autoriteti ka arritur të adresojë të gjithë
rekomandimet e lëna, nga ku duhet veçuar monitorimi në vazhdimësi i aktivitetit
të ndërmarrjeve, që u janë dhënë nga shteti të drejta ekskluzive dhe të
veçanta, për të evidentuar dhe shmangur situatat monopolistike”,- tha znj.
Latifi lidhur me rezolutën “Për vlerësimin e Autoritetit të Konkurrencës për
vitin 2017”, përmes së cilës Kuvendi i jepte disa rekomandime autoritetit. “Autoriteti
do të mbetet një avokat i përkushtuar i konkurrencës së lirë dhe interesave të
konsumatorit duke besuar se vetëm në këtë mënyrë do të përmbushë synimin final
për më shumë zhvillim dhe mirëqenie për të gjithë”,- mbylli fjalën e saj
kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës. Znj. Latifi iu përgjigj pyetjeve të
deputetëve të komisionit për çështje të caktuara.
Projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes,
ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së
Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin teknik 2017 për projektin
“Zhvillim i qëndrueshëm i zonave rurale”” në komisionin e Ekonomisë dhe
Financave e prezantoi zëvendësministrja e Bujqësisë, znj. Ermira Gjeçi. Komisioni
dha dakordësinë e tij në parim, nen për nen dhe në tërësi. Lidhur me raportin e
veprimtarisë së Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2018, komisioni do të
përgatisë një projektrezolutë.