Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi nen për nen dhe në tërësi projektligjin për koncesionet dhe PPP-të

  • Postuar më, 26/02/2019

26 shkurt 2019


Komisioni për Ekonominë dhe Financat, në drejtimin e kryetarit, z. Arben Ahmetaj, shqyrtoi dhe miratoi sot nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik-privat”, të ndryshuar””, nismë e Këshillit të Ministrave. E pranishme në komision ishte zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Albana Shkurta dhe përfaqësues të tjerë të ministrisë.

 “Ndryshimet që janë sjellë nga qeveria e përmirësojnë kuadrin duke hequr propozimet e pakërkuara për një sërë shërbimesh dhe kontratash në infrastrukturë, duke filluar nga 1 korriku i vitit 2019 dhe sigurisht që përmirëson rolin e Ministrisë së Financave në aspektin e monitorimit fiskal dhe një sërë elementësh të tjerë proceduriale, duke përfshirë edhe atë detyrim të administratës për të filtruar në bazë të prioriteteve të gjitha projektet e mundshme të partneritetit publik-privat në një komitet të përbashkët ndërministerial me pesë funksione”, - tha kryetari i komisionit parlamentar, z. Ahmetaj, në një analizë paraprake të projektligjit.

Z. Arben Ahmetaj theksoi se instrumenti i koncesioneve dhe i partneritetit publik-privat ka ekzistuar edhe përpara vitit 2013 dhe se 75% e kontratave, përkatësisht 183 nga 217 në total, janë dhënë përpara kësaj periudhe. Z. Ahmetaj kritikoi shembuj kontratash të mëparshme koncesionare dhe ppp-sh, me ndikim direkt në buxhet shteti: “Vetëm nëpërmjet prodhimit të energjisë me bazë marrëveshjen për blerjen e energjisë, ne vitin 2018, prodhues energjie, koncesione të viteve 2005-2013 kanë goditur indirekt buxhetin e shtetit dhe direkt bilancin e OSHEE me 39 milionë euro”. Gjithashtu, ai përmendi edhe rastin e koncesionimit të shërbimit të skanimit doganor, me goditje direkte në buxhet të shtetit në shifrën 19 milionë dollarë. Si kundërshembuj kontratash të mirënegociuara e mirëstudiuara z. Ahmetaj solli check up-in, sterilizimin e pajisjeve mjekësore dhe ndërtimin e “Rrugës së Arbrit”. Kryetari i komisionit, në fjalën e tij, shprehu bindjen se kjo qeveri do të vazhdojë për shumë gjatë nën nivelin e 4%-it të të ardhurave të vitit paraardhës si standard fiskal dhe financiar, sakaq theksoi se në momentin e tanishëm është 3%.  

Më tej komisioni vijoi me shqyrtimin nen për nen të projektligjit, duke marrë në shqyrtim propozimet e ardhura nga komisionet e tjera për dhënie mendimi dhe propozimet e deputetëve të komisionit. Në përfundim, komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi në parim dhe në tërësi projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar” 


Share