DEKLARATË PËR MEDIAT E KRYETARIT TË KUVENDIT TË SHQIPËRISË, Z. GRAMOZ RUÇI

  • Postuar më, 20/02/2019

DEKLARATË PËR MEDIAT E KRYETARIT TË KUVENDIT TË SHQIPËRISË, Z. GRAMOZ RUÇI

20 shkurt 2019

 

Të nderuar bashkëqytetarë,

Si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, kam ndjekur dhe ndjek nga afër dhe me preokupim maksimal situatën dhe zhvillimet politike në vend.

Ndoqa nga afër, nga fillimi në fund, për pesë orrë rresht, protestën e datës 16 shkurt.

Po ndjek me vëmendje e shqetësim veprimet politike të kolegëve të opozitës pas protestës dhe vendimin e grupeve parlamentare të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për “djegie të mandateve parlamentare”.

Po ndjek me vëmendje dhe përgjegjësi të lartë vendimin dhe përgatitjet e opozitës për protestën e datës 21 shkurt, pranë sallës së seancave të Kuvendit dhe në të njëjtën orë me zhvillimin e seancës parlamentare.

Pra, jemi të gjithë dëshmitarë të një momenti acarimi politik, që javën e fundit i ka kushtuar shumë Shqipërisë. Pamjet e trishtueshme të dhunës mbi godinën e qeverisë, bënë xhiron e botës.

Kush nuk na e do të mirën, me siguri fërkoi duart. Kush na ka ndihmuar e mbështetur gjithnjë, padyshim u ndje keq.

Ndërsa kush bënte plane për të ardhur në Shqipëri këtë verë, natyrshëm u step.

Ndërkohë, sigurisht ato pamje nuk janë aspak inkurajuese as për investitorët, por as për konsumatorët. 

Sidoqoftë, duke patur parasysh historinë e afërt, jo gjithçka që ndodhi në atë shfaqje të trishtueshme ishte për t'u hedhur poshtë.

Janë për t'u përshëndetur ata qytetarë që e demonstruan pakënaqësinë e tyre me vetëpërmbajtje dhe padyshim, janë për t'u përshëndetur djemtë e vajzat nën uniformë, si edhe drejtuesit e Policisë së Shtetit.

 

Qëllimi aspak ogurmirë i nxitësve të dhunës, nuk u përmbush, institucioni u mbrojt me një profesionalizëm shembullor dhe asnjë protestues nuk u lëndua fizikisht.

E kam falenderuar personalisht edhe ministrin e brendshëm, sepse lidershipi i tij i urtë e i vendosur, ka bërë diferencën e madhe mes protestës së javës së shkuar dhe asaj të disa viteve të shkuara, që u kthye në një tragjedi kombëtare.

Nuk duhet harruar aspak që pamjet e dhunës patën edhe një pasojë të dëmshme mbi procesin e integrimit.

Mbi objektivin madhor kombëtar të çeljes së negociatave në Qershor, u vu pikëpyetja e cënimit të rëndë të kriterit politik.

Që negociatat të jenë në pikëpyetje për arsye të rrethanave dhe qëndrimeve politike të një vendi a një tjetri, kjo është e kuptueshme. Por që negociatat të vihen në pikëpyetje për rrethana dhe qëndrime politike brenda vendit tonë, kjo është e pajustifikueshme! 

Më vjen keq që partnerët tanë ndërkombëtarë, janë detyruar të mbajnë qëndrime të forta ndaj opozitës së vendit në këto ditë të ngarkuara, por e vlerësoj lart angazhimin e tyre dhe i falenderoj për interesimin konstant për të mirën e këtij vendi. 

Si kryetar i Kuvendit e jo si deputet apo si pjesë e lidershipit politik të shumicës qeverisëse, jam seriozisht i shqetësuar për këtë situatë.

Nuk do ta doja kurrë realizimin e skenarit të paralajmëruar nga vetë opozita, për të ashtuquajturën djegie mandatesh, sepse një opozitë që vetëvritet politikisht i bën vendit një dëm të madh.

Mesazhet e djeshme të SHBA dhe BE, më kanë lënë shijen e hidhur të një të vërtete shumë të papëlqyeshme. Një skenar i tillë, i padëgjuar, në dijeninë time, në asnjë rast të historisë së parlamentarizmit, është një lloj kamikazllëku politik që hedh në erë të zotët e punës, por dëmton  padyshim rëndë të tërë mjedisin tonë, si edhe raportet e të tjerëve me këtë mjedis. 

Nuk është ky momenti dhe as është detyra ime si Kryetar Kuvendi, të komentoj mbi këtë skenar nga këndvështrimi i shumicës qeverisëse, por mund të them se ultimatumet nuk janë demokratike, pushteti nuk merret në tavolinë dhe populli sovran nuk është një turmë, sado e madhe qytetarësh që vijnë në një protestë, por tërësia e qytetarëve që na gjykojnë me votë e na mandatojnë po me votë. 

Ndërsa si Kryetar i Kuvendit dhe si dikush, që për fat të mirë apo për fat të keq, kam parë shumë nën atë çati, duhet të them sot se opozitë më të garantuar në lirinë e saj të shprehjes, sesa kjo e sotmja ky vend nuk ka patur.

Prej pesë vjetësh e gjysëm, kjo opozitë gëzon atë, për të cilën shumica e sotme kur ishte në opozitë, luftoi katër vjet e nuk e mori dot: Kohën e barabartë të fjalës mes shefit të qeverisë dhe shefit të opozitës.

Prej pesë vjetësh e gjysëm, kjo opozitë shpenzon kohë parlamentare më shumë se sa shumica qeverisëse dhe askush nuk i ka thënë plaç.

Prej një viti e gjysëm, kjo opozitë ka konsumuar akte të pandodhura më parë në Kuvendin e Shqipërisë, e megjithatë ka gjetur tolerancën më të plote për to, sepse shumica ka qenë më shumë se njëherë në të drejten e saj për të kërkuar rishikim të Rregullores po s'e ka bërë këtë. 

Që opozita të synojë karriget e qeverisë kjo është mëse normale. Që opozita të kërkojë t'i marrë ato pa pritur zgjedhjet e radhës, edhe kjo është normale.

Por që opozita të synojë pushtetin në tavolinë dhe për këtë të hedhë në erë rrugët e jetës demokratike kjo nuk është normale. 

Si mundet opozita të kërcënojë parlamentin dhe të organizohet për ta dhunuar atë?

Si mundet opozita të braktisë detyrën dhe të lerë zgjedhesit e saj pa zë në tempullin e demokracisë?

Si mundet opozita të pretendojë se debati mund të zhvillohet në rrugë dhe me mjetet e rrugës? 

Këto natyrisht janë pyetje, që unë i bëj si garanti i palëve në Kuvendin e Shqipërisë dhe jo si palë e kundërt me kolegët e opozitës.

Si Kryetar i Kuvendit dhe njëkohësisht si i zgjedhur i këtij vendi, unë pyes: 

Si mundet opozita të bëhet objekt mesazhesh tejet kritike nga partnerët tanë, në pikën që aleati ynë i madh, Shtetet e Bashkuara, të bëjnë një thirrje aq të fortë sa ajo e mbrëmshmja?

Ajo thirrje mua si kundërshtar politik i kësaj opozite mund të më vijë për mbarë në pamje të parë, por si Kryetar i Kuvendit e si qytetar i këtij vendi, më shqetëson seriozisht e sinqerisht. 

Natyrisht opozita është sovrane në vendimet e saj dhe përgjegjëse para zgjedhësve e para ligjit për veprimet e saj.

Nëse ajo vendos t'i bjerë murit me kokë dhe i merr përsipër të tëra pasojat, me idenë se do ta detyrojë shumicën të dorëzojë pushtetin në tavolinë apo se do të ndalë reformën në drejtësi, kjo është ekskluzivitet i saj.

Por shumica qeverisëse, ka detyrën të mbrojë sa të jetë e mundur vendin nga goditjet e imazhit dhe pasojat e dhunës e të të ashtuquajturit "debat të rrugës", mbi procesin e integrimit të Shqipërisë, mbi qytetarin, turistin, investitorin e konsumatorin dhe mbi të ardhmen.

Po ashtu, është detyra jonë t'i krijojmë opozitës hapësira kohore reflektimi dhe mundësi rikthimi në rrugën e arsyes. 

Në këto kushte, duke pasur parasysh apelin e partnerëve tanë strategjikë,

Duke pasur parasysh informacionet e organeve ligjzbatuese dhe të inteligjencës,

Duke ndjekur qëllimin më të lartë të ruajtjes së integritetit të Kuvendit të Shqipërisë, të deputetëve dhe të sallës së Kuvendit,

Ftoj kolegët deputetë, anëtarë të të gjithë grupeve parlamentare, të mirëkuptojnë vendimin tim për të mos zhvilluar seancën plenare të ditës së enjte, datë 21 shkurt.

Si shqiptar, si deputet, si qytetar, si një njeri që e dua këtë vend, ashtu si edhe të gjithë ju, me të gjithë fuqinë e shpirtit, nuk e gjykoj të udhës dhe ndjej dhimbje e trishtim që një pjesë e deputetëve të jenë në sallë dhe një pjesë tjetër jashtë sallës.

Salla është e të gjithëve, por edhe përgjegjësitë parlamentare u takojnë dhe janë detyrim për të gjithë.

Përgjegjësia ime si Kryetar i Kuvendit, si një institucion mbi palët, por edhe si qytetar i këtij vendi, nuk më lejon t’u japë mundësi keqbërësve, të cilët mund të përfitojnë nga kultura dhe dinjiteti i qytetarëve e deputetëve protestues, për të sulmuar institucionet e shtetit dhe për të nxirë imazhin e Shqipërisë.

Le të shërbejnë këto ditë për të na ndihmuar të reflektojmë dhe të bëhemi më të matur, më bashkëpunues, duke i vendosur platformat, ambicjet dhe objektivat tona politike dhe elektorale në shërbim të të gjithë shiptarëve.

Ju faleminderit. 


Share