Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi në parim projektligjin “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar
- Postuar më, 18/02/2019
Komisioni i Ekonomisë dhe Financave mori
sot në shqyrtimin projektligjin për disa
shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin
publik privat”, të ndryshuar.
E ftuar në komision ishte Ministrja e Financave dhe Ekonomisë,
znj. Anila Denaj, së bashku me dy zëvendësministrat e kësaj ministrie znj.
Albana Shkurta dhe z. Erjon Luçi.
Në hapje të mbledhjes, kryetari i komisionit z. Ahmetaj, u shpreh se themeli
i ndryshimeve në lidhje me PPP, ka të bëjë me heqjen e propozimeve të pa
kërkuara në disa sektorë. Sipas Ahmetaj, kjo është iniciativë e kësaj
mazhorance.
Kryetari Ahmetaj tha se me anë të këtij
projektligji që nga data 1 korrik 2019 , do të hiqen ofertat e pa kërkuara
kryesisht në infrastrukturë, si dhe do të hiqet
bonusi për propozimet e pa kërkuara. Gjithashtu, ai tha se Ministria e
Financave do të luaj një rol të rëndësishëm, atë kontrollues.
“Deri më sot janë bërë 217 konçensione, nga të cilat 183 janë bërë para vitit 2013. 99% janë bërë në formën e ofertës se pa kërkuar dhe shumë prej tyre janë bërë me kosto të drejtpërdrejtë buxhetore, për sektorin privat. Me ndryshimet ligjore rritet niveli i transparencës”, sqaroi z. Ahmetaj.
Në prezantimin e saj, Ministrja e
Financave dhe Ekonomisë, znj.Anila Denaj, tha se synimi i këtij projektligji
është përmirësimi i kuadrit ligjor për dhënien e koncesioneve dhe PPP.
“Synimi është të përmirësojmë kuadrin ligjor
për dhënien e koncesioneve dhe PPP. Duhet të theksojmë se në hartimin e këtij projekti janë marrë në konsideratë edhe
opinionet e ndërkombëtarëve si FMN, BB, SIGMA. Të lejohen propozimet e pa
kërkuara vetëm për realizmin e porteve, aeroporteve dhe të energjisë. Për
ndërtimin, operimin e rrugëve nacionale me rëndësi të veçantë nuk do të ketë
propozime të pa kërkuara. Përmes këtij projektligji hiqet bonusi për propozimet
e pa kërkuara dhe do kompensohen me vlerë monetare që nuk do jetë me e lartë se
1% e investimit”- tha ministrja.
Ajo tha se Ministria e Financave do të luaj një rol të rëndësishëm, lidhur me vlerësimin dhe miratimin e të gjithë projekteve të konçensionit të PPP, në pikëpamjen e implikimeve fiskale, për shpenzimet buxhetore, etj.
Gjithashtu, ministrja Denaj u shpreh se është
parashikuar dhe krijimi i Komitetit të Përzgjedhjes së Projekteve të konçensionit
të PPP, me qëllim rritjen e cilësisë së studimeve të fizibilitetit, i cili do të jetë organ
kolegjial për zgjedhjen e këtyre projekteve.
Roli
i Ministrisë së Financave, tha Denaj është dukshëm i shtuar për të
minimizuar risqet fiskale dhe buxhetore, si dhe për të sjellë kundërshtime, që
të mos merren përsipër vendime që mund të
vënë në rrezik këto element.
Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e
votuan këtë projektligj në parim.