Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z.Talat Xhaferi

  • Postuar më, 14/02/2019

14 shkurt 2019

 

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, u takua sot me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z.Talat Xhaferi. Z. Xhaferi ishte i ftuar i Kuvendit të Shqipërisëë me rastin e miratimit të projektligjit “Për ratifikimin e Protokollit të Traktatit të Atlantikut Verior për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”.  Në takim ishte i pranishëm edhe z. Taulant Balla, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

Në fillim të takimit, Kryetari i Kuvendit Ruçi i shprehu mikut dhe kolegut Xhaferi ngushëllimet për humbjen e 15 jetëve në aksidentin e Gostivarit dhe solidaritetin e simpatinë e popullit shqiptar, Kuvendit të Shqipërisë dhe të tijën personale për familjet që humbën njerëzit e tyre të dashur në këtë ngjarje tragjike.

Gjatë takimit të dy kryetarët biseduan mbi rëndësinë që ka për Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe të gjithë rajonin aderimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, si një hap i sigurt drejt forcimit të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit.

Kryetari i Kuvendit Ruçi falenderoi z. Xhaferi edhe për kontributin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe forcave politke që i përfaqësojnë ata në këtë proces. “Ne kemi të qartë se aderimi i Maqedonisë së Veriut në NATO nuk do të ishte arritur pa vullnetin, guximin politik dhe emancipimin e  shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Partitë politike shqiptare në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut votuan me vetëdije të plotë ndryshimet kushtetuese që i hapën Republikës së tyre dritën jeshile për në NATO. Ky votim u krye duke kapërcyer polarizimin politik, dallimet ideologjike dhe pozicionin e tyre në qeverisje apo në opozitë, duke u treguar europaistë dhe auroatlantikas të vërtetë.”, vuri në dukje z. Ruçi.

Z. Talat Xhaferi i përcolli z. Ruçi mirënjohjen për mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë, të Qeverisë dhe të popullit të Shqipërisë për mbështetjen e tyre të pakushtëzuar për integrimet euroatlantike të Republikës së Maqedonisë së Veriut. “Sot jam dëshmitar i reflektimit të drejtpërdrejtë të  miqësisë së vërtetë, fqinjësisë së sinqertë dhe mbështetjes së pakushtëzuar të një shteti vëllazëror siç është Republika e Shqipërisë. Ju siguroj se ne këtë do mbajmë mend gjithmonë dhe gjithmonë kemi ditur t’i respektojmë dhe vlerësojmë miqtë tanë të vërtetë Shqipërinë dhe popullin shqiptar.”, nënvizoi z. Talat Xhaferi.

Z. Ruçi dhe z. Xhaferi shprehën dakordësinë dhe bindjen e tyre se zhvillimi, prosperiteti, integrimi euroatlantik dhe paqja e stabiliteti në rajon mund të arrihen vetem në partneritet e mirëkuptim të plotë me aleatët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian.