Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë zhvilloi një seancë dëgjimore me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

  • Postuar më, 11/02/2019

11 shkurt 2019


Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, në drejtimin e kryetarit, z. Petrit Vasili, me kërkesë të deputetes së Partisë Demokratike, znj. Grida Duma, zhvilloi sot një seancë dëgjimore me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu, me objekt dëgjese skemën e ndihmës ekonomike dhe asistencës sociale.


Në parashtrimin e kërkesës për dëgjesë deputetja e Partisë Demokratike paraqiti shqetësimin për përjashtimin nga skema e ndihmës ekonomike të familjeve në varfëri ekstreme. Deputetja Duma shtroi gjithashtu shqetësimin e saj për transparencën e munguar në mënyrën e përzgjedhjes. Si problematikë, deputetja Duma vuri në dukje gjithashtu mospublikimin e formatit të unifikuar të pikëzimit të aplikantëve.  


Ministrja Manastirliu u shpreh se skema e re e ndihmës ekonomike është një skemë transparente, shmang përfitimet e padrejta dhe funksionon përmes një sistemi të ri elektronik të ndihmës ekonomike, duke qenë i lidhur me regjistrat elektronik të disa institucioneve publike mundëson kryerjen e verifikimeve reale të deklaratave për gjendjet social-ekonomike të aplikantëve.  “Përditësimi i formulës së pikëzuar me akte nënligjore është një tjetër risi e skemës së re, e cila do të bëhet në varësi të nivelit të varfërisë. Me skemën e re është dyfishuar fondi i kushtëzuar për bllokndihmën ekonomike nga 3 % në 6%”,- u shpreh ministrja Manastirliu, që gjithashtu theksoi se në fazën e aplikimit, numri i dokumenteve të kërkuara për aplikantin nga 8 është bërë 1, duke qenë i mundur aplikimi vetëm përmes kartës së identitetit. Ndër risitë e tjera të skemës së re të ndihmës ekonomike ministrja listoi: përzgjedhjen e përfituesve përmes sistemit të regjistrit elektronik, që lehtëson procedurat për aplikim; rritjen e saktësisë së të dhënave; shmangien e kritereve përjashtuese; ndarjen e qartë të kompetencave të njësive administrative vendore; shmangien e pagesave të pjesshme të ndihmës ekonomike; ofrim i kalkulimit automatik të masës së përfitimit të ndihmës për çdo familje.


Znj. Manastriliu njoftoi komisionin se 18,730 familje aplikuan për herë të parë, 14,086 familje në nevojë përfituan për herë të parë ndërsa 15 mijë familje u trajtuan për herë të parë me ndihmë ekonomike të plotë. Numri i përfituesve përgjatë vitit 2018 është rritur me 16%, referuar fjalës së ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Gjithashtu, sipas raportimit të ministres, është rritur numri i grave kryefamiljare përfituese me rreth 50% krahasuar me muajin janar 2018, duke shënuar 6,463 gra kryefamiljare në skemën e ndihmës ekonomike. Të dhëna të tjera për përfituesit nga skema ishin: 652 jetimë përfitues, 340 fëmijë me AK, 103 familje me trinjakë dhe 416 viktima dhune dhe trafikimi. 98 % e aplikuesve, sipas znj. Manastirliu, rezultojnë përfitues në këtë skemë. 


Në dëgjesë, nisur nga pyetjet e deputetëve të komisionit, ministrja raportoi edhe për kontrollet e kryera nga ministria, ecurinë e politikave të punësimit dhe formimit profesional, si edhe mbi ecurinë e projektit të Bankës Botërore.