Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi seancë dëgjimore me Asamblenë e Pedagogëve

  • Postuar më, 11/02/2019

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi seancë dëgjimore me Asamblenë e Pedagogëve, për të diskutuar në lidhje me problematikat e krijuara nga ligji për arsimin e lartë, situatën në universitete gjatë dhe pas protestës studentore, “Paktin për universitetin”, vakumi i krijuar nga mos nxjerrja e akteve nënligjore në zbatim të ligjit për arsimin e lartë, aktet nënligjore të fundit, të miratuara nga Këshilli i Ministrave.

Të ftuar në këtë seancë dëgjimore ishin pedagogët z. Klejdi Këllici nga fakulteti i Shkencave Sociale, z.Altin Shegani nga fakulteti Juridik, z. Mark Marku nga fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, z. Rezart Prifti nga fakulteti Ekonomik dhe z. Jani Marka nga fakulteti i Shkencave të Natyrës.

Kryetarja e komisionit znj. Albana Vokshi tha se pedagogët janë ftuar në këtë seancë dëgjimore për të folur mbi shqetësimet që kanë prodhuar këto vendime në botën akademike si edhe për çështje të tjera në lidhje me arsimin e lartë.

Gjatë prezantimeve që pedagogët mbajtën në këtë seancë dëgjimore, çështja kryesore që u prek nga të gjithë, ishte diskutimi mbi Ligjin e Arsimit të Lartë, të cilin e konsideruan me vakume dhe se ka nevojë t’u riparë. Më pas, ata dhanë sugjerimet e tyre, të cilat i konsideruan të përshtatshme sa i përket këtij ligji gjithëpërfshirës për pedagogët dhe studentët.

Pjesë tjetër, e cila u diskutua nga përfaqësuesit e universiteteve ishte buxheti për arsimin e lartë, ku u kërkua përgjithësisht rritje e tij, thënë kjo nga ana e tyre se është i pamjaftueshëm për të plotësuar të gjitha kërkesat.

Gjithashtu, në seancën dëgjimore pedagogët shtruan problematika të tjera, si për tarifat e studimit, rolin e pedagogut, financimin për kërkim shkencor “që akoma nuk ka një të tillë”, metodologjitë e ndryshme që përfshijnë arsimin etj.

Më tej, të ftuarit kërkuan edhe njëherë rishikimin e Ligjit për Arsimin e Lartë duke bërë vlerësim të tij në përgjithësi dhe duke e rishikuar specifikisht në disa nene, të cilat i shpalosën  gjatë prezantimit.

Gjatë seancës dëgjimore, gjithashtu anëtarët e komisionit i ‘u drejtuan pyetje pedagogëve mbi disa çështje të caktuara në lidhje me arsimin e lartë, me protestën e studentëve, vijimësinë e procesit mësimor etj.