Kuvendi mblidhet në seancë plenare

  • Postuar më, 07/02/2019

Në drejtimin e Kryetarit z. Gramoz Ruçi, kuvendi u mblodh në seancë plenare, ku miratoi 3 projektligje, rrëzoi dekretin e Presidentit për noterinë dhe miratoi  dekretin e Presidentit për kadastrën.

Për projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.64, datë 31.5.2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar”, në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste foli deputeti z. Besnik Baraj, i cili tha se objektiv i rëndësishëm i këtij projektligji është përcaktimi i parimeve  dhe kushteve, që duhet të plotësojnë organizatat e peshkimit, për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës së peshkimit.

“Në përfundim ne duhet të kemi kurajën të reflektojmë kur një ligj apo amendimet e tij nuk shkojnë në drejtim të zhvillimit të sektorit, ose prekin interesat e grupeve të caktuara, ndaj do kërkonim monitorim e bashkëpunim të kujdesshëm me subjektet artizanale, të cilët nga pikëpamja sociale janë  bashkësi mjaft sensitive. J ‘u ftoj ta votojmë!”, theksoi z. Baraj.

Ky projektligj u miratua me 75 vota pro.

Për projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 124/2015, “Për efiçencën e energjisë”, në emër të grupit parlamentar të partisë Socialiste, foli deputeti z. Arben Pëllumbi, i cili u shpreh se energjia ka qenë dhe do jetë një aset i çmuar edhe në të ardhmen, burim i zhvillimit dhe përparimit teknik dhe teknologjik mbi të cilin ecën dhe do të eci shkenca, si edhe faktori bazë për çfarë përfaqëson sot si shoqëri globale.

“Bashkimi Evropian por jo vetëm, prej disa vitesh tashmë, kanë aprovuar strategji dhe mbështetur me ligjet përkatëse pikërisht rritjen e eficencës së përdorimit të energjisë elektrike. Në këtë kuadër, edhe ne kemi bërë hapa të rëndësishëm përpara duke aprovuar në vitin 2015 ligjin nr.124 “Për eficencën e energjisë”, tha ndër të tjera z. Pëllumbi.

Ky projektligj u miratua me 75 vota pro.

Sa i përket projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes statusore, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, mbi veprimet e ndërmarra nga Agjencia e Rojes Bregdetare dhe Kufirit Evropian në Republikën e Shqipërisë”, në emër të grupit parlamentar të partisë Socialiste foli deputeti z. Xhemal Qefalia, i cili theksoi se nënshkrimi i kësaj marrëveshje ka qenë një nga detyrat e Shqipërisë në kuadër të procesit të hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në kuadër të kapitullit FRONTEX.

“Është një agjenci e cila promovon, koordinon dhe zhvillon menaxhimin e integruar të kufirit në linjë me të drejtat themelore të BE dhe në linjë me konceptin e menaxhimit të integruar të kufijve,” u shpreh z. Qefalia.

Ky projektligj u miratua me 91 vota pro.

Gjithashtu, seanca e sotme plenare shqyrtoi dekretin e Presidentit të Republikës nr. 11054, datë 14.01.2019, “Për kthimin e ligjit nr. 110/2018 “Për noterinë”. Në emër të grupit parlamentar të partisë Socialiste, u shpreh deputeti z. Ulsi Manja, i cili tha se ky projektligj përmirëson mekanizmat e transparencës, duke digjitalizuar shërbimet noteriale.

“Ligji për noterinë është bashkëkohor, i mirë konsultuar me grupet e interesit ku një rol thelbësor ka pasur edhe Dhoma Kombëtare e Noterisë dhe është hartuar me konsulencën më të mirë të ekspertëve vendas”, theksoi z. Manja.

Dekreti i Presidentit u rrëzua nga Kuvendi duke u votuar me 75 vota kundër.

Shqyrtim  tjetër i seancës së sotme plenare, ishte dekreti  i Presidentit të Republikës nr. 11055, datë 15.01.2019, “Për kthimin e ligjit nr. 111/2018 “Për kadastrën”. Në emër të grupit parlamentar të partisë Socialiste u shpreh deputetja znj. Klotilda Bushka, ku theksoi se ligji për kadastrën është pjesë e ligjit të reformës për pronën dhe se kjo reforme synon regjistrimin përfundimtar të titujve të pronësisë  dhe dhënien fund të një periudhe të gjatë tranzicioni për regjistrimin e të gjithë titujve të pronësisë dhe të gjithë problematikave në lidhje me këto tituj.

Dekreti u pranua me propozimet e presidentit dhe propozimet e komisionit përgjegjës, të cilat u votuan me 75 vota pro.

Seanca i mbylli punimet rreth orës 19:30.