Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi seancë dëgjimore me rektorët e Universiteteve publike dhe Ministrin e Brendshëm z. Sandër Lleshaj, për të diskutuar rreth situatës së krijuar në universitete

  • Postuar më, 06/02/2019

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi sot një seancë dëgjimore me rektorët e Universiteteve publike,  për të diskutuar rreth situatës së krijuar në universitete gjatë dhe pas protestës studentore, menaxhimin e situatës rast pas rasti, situatën financiare në Universitete,  si edhe qëndrimin e rektorëve ndaj VKM-ve.

Duke marrë fjalën gjatë mbledhjes së komisionit, Rektori i Universitetit të Tiranës, z. Mynyr Koni mbështeti kërkesat e studentëve dhe ngriti shqetësimin se mungesa e fondeve po cenon kërkimin shkencor.

“Në këto akte të Ligjit të Arsimit të Lartë që kemi analizuar dhe ajo që vihet re është cenimi i autonomisë së Universiteteve dhe parimi i sigurisë juridike. Senati ka mbajtur një qëndrim. Në janar, Universiteti i Tiranës në fakultetin e Histori-Filologjisë, Drejtësisë, Shkencave Sociale, Shkencave të Natyrës, përmes asamblesë kanë paraqitur qëndrimet e tyre, që unë si rektor i mbështes plotësisht. Kërkesat e asamblesë kanë marrë në analizë situatën që solli protestën. Universiteti i Tiranës ka një buxhet të vogël për tarifat e studentëve dhe kam kërkuar edhe me parë mbulimin nga buxheti i shtetit 100%. Në këto vite kërkimi shkencor lë për të dëshiruar”, - deklaroi z. Koni.

Ndërsa, Rektori i Mjekësisë, z. Arben Gjata tha se protesta e studentëve ishte një periudhë e vështirë, që i bëri të gjithë të reflektojnë.

“Jemi përpjekur të menaxhojmë duke bashkëbiseduar me studentët. Kemi biseduar me studentët dhe ata kanë paraqitur një sërë kërkesash, ku një pjesë i kishte në dorë Universiteti dhe një pjesë që kërkonin ndërhyrje ligjore. Në pjesën më të madhe të kërkesave të studentëve, ne morëm vendimin për të hequr tarifat për vërtetime. Do i drejtohemi qeverisë me një paketë propozimesh për të përmirësuar cilësinë e arsimit të lartë. Kemi realizuar edhe takimin me Ministren e Shëndetësisë dhe bashkërisht kemi përgatitur një paketë të studentëve që diplomohen. Kemi kërkuar të bëhet rivlerësim i tarifave që paguajnë studentët sidomos në ciklin e dytë, sepse këto tarifa ne i kemi gjetur, nuk janë bërë ndryshime. Një tjetër kërkesë e studentëve ka qenë edhe ndryshimi i mënyrës së mësimdhënies”, - u shpreh z. Gjata në seancën dëgjimore.

Gjatë mbledhjes e mori fjalën edhe Rektori i Universiteteve të Arteve, z. Kastriot Çaushi, i cili theksoi se problemet që dalin sot në pah, janë akumulim i problemeve të mbartura ndër vite.

“Të gjitha këto probleme janë në fakt probleme të akumuluara që kanë vite që ndodhin. kemi bërë takime masive me studentët. Ne vazhdojmë të financohemi jo në raport 1/6 apo 1/8 për mësimin individual siç ndodh në botë. Mësimi në Arte bëhet individual ose me grupe shumë të vogla. Kostoja jonë është maksimale. Kam gjithë jetën në një ambient dhe në një vend që i di shumë mirë plagët ndaj kërkoj statusin për Universitetin e Arteve dhe formën e financimit që është e qartë si drita e diellit”, - u shpreh z. Çaushi.

Më tej, komisioni Medias zhvilloi seancë dëgjimore edhe me Ministrin e Brendshëm z. Sandër Lleshaj, lidhur me dhunën  që është ushtruar nga Policia e Shtetit, në ambientet universitare.

Fillimisht, kryetarja e komisionin znj. Albana Vokshi tha se  ky është një akt i pa precedent. Në përgjigje të pyetjes  së znj. Vokshi “Kush e ka dhënë urdhrin për të ndërhyrë në mjediset e Universitetit dhe a është bërë një raport mbi këtë ngjarje”, ministri z. Lleshaj raportoi se  strukturat e Policisë së Shtetit nuk kanë ushtruar asnjë lloj dhune ndaj studentëve. “Duke filluar nga data 5 dhjetor policët janë mobilizuar për  mbarëvajtjen   e protestës së studentëve. Nuk ka pasur asnjë  urdhër për të ushtruar dhunë ndaj studentëve. Janë angazhuar 5634 policë në të gjithë vendin  që  protesta të shkojë mirë. Kemi patur pothuajse zero incidente. Sigurisht ka parur incidente të vogla, por dhe të nxitura që janë menaxhuar me kujdes. Nuk kemi kallëzim  nga askush për ushtrim dhune dhe nuk di të kemi një reference”, shpjegoi z.Lleshaj.

Sipas tij, ndërhyrja  e Policisë së Shtetit  në protestën e zhvilluar brenda ambienteve të Fakultetit Ekonomik është bërë me qëllimin për të penguar dhunën. "Janë konstatuar tentativa të personave të caktuar për të marrë peng protestat, duke vendosur  kyçjen e  universiteteve”, tha  ai.

Mbledhja vijoi me një sërë pyetjesh të deputetëve drejtuar ministrit të Brendshëm z. Lleshaj.