Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi aktin normativ për buxhetin e vitit 2018-të.
- Postuar më, 28/01/2019
Komsioni për Ekonominë dhe Financat u
mblodh sot, nën drejtimin e kryetarit z. Arben Ahmetaj, për të diskutuar mbi aktin
normativ nr. 2, datë 19.12.2018 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 109/2017,
“Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar. E pranishme në Komision ishte Ministrja e Ekonomisë dhe Financave,
znj. Anila Denaj.
Në prezantimin e saj, ministrja znj.
Denaj u ndal në objektivat kryesore që
synon ky akt.
“Objektivi i parë ishte të sigurojë
hapësirën financiare shtesë për njësitë e vetëqeverisjes vendore, përmes
rritjes së tavanit të shpenzimeve tyre me 3.4 miliardë lekë. Kjo, në përputhje
me ecurinë pozitive të mbledhjes së të ardhurave vendore, të cilat në fakt për
të gjithë vitin 2018 rezultuan me një tejkalim prej rreth 3 miliard Lekë. Tek
pushteti vendor, zhvillim tjetër gjatë vitit 2018 dhe i reflektuar në
ndryshimet e këtij Akti Normativ ka të bëjë me faktin se njësitë e
vetëqeverisjes vendore gjatë 2018-ës kanë shlyer detyrime të prapambetura për
një shumë prej rreth 2.1 miliardë lekë. Njësitë e vetëqeverisje vendore kanë
trashëguar fonde nga vitet e mëparshme duke krijuar nga viti në vit një stok që
ka rritur presionin për të kryer shpenzime. Në këto kushte, ishte e domosdoshme
edhe krijimi i hapësirës fiskale për mbulimin me plan buxhetor të shpenzimeve
me financim të huaj për pushtetin vendor në vlerën prej 1.3 miliard Lekë”, tha
ministrja.
Gjatë fjalës së saj, znj. Denaj, theksoi
faktin se për vitit 2018 ekonomia u rrit
me rreth 4.4% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.
“Konsumi final total, i cili përbën
peshën më të madhe në ekonomi, u rrit me rreth 2.83% në terma real vjetorë
përgjatë nëntë muajve të parë të 2018, ndërsa konsumi final i popullatës u rrit
me rreth 3.41%. Investimet totale u rritën me rreth 3.89% në terma real vjetorë
përgjatë të njëjtës kohë. Ndërkohë vetëm për tremujorin e tretë të vitit 2018
norma e rritjes për investimet u zgjerua në 5.40%. Sektorët e bujqësisë dhe të
ndërtimit patën një rritje dhe kontribut të qenësishëm pozitiv”, sqaroi ndër të
tjera ministrja.
Relatori, z. Ervin Bushati tha se akti normativ që po diskutojmë sot,
ruan të pandryshuar treguesit makroekonomikë e fiskalë të parashikuar në fillim
të vitit, duke vijuar tendencën e konsolidimit fiskal, me qëllim ruajtjen e
stabilitetit makroekonomik të vendit dhe menaxhimin me efektivitet të financave
publike.
“Gjatë vitit 2018 ekonomia shqiptare
vijoi tendencën pozitive. Rritja reale e PBB, nga 3.8 për qind në vitin 2017,
arriti 4.2 për qind në vitin 2018. Defiçiti buxhetor mbetet 2 për qind e PBB,
ndërsa sufiçiti primar mbetet në terma pozitivë, 8.6 miliardë lekë ose 0.5 për
qind e PBB”, tha z. Bushati.
Më pas fjalën e mori, zëvendëskryetarja e komisionit znj. Jorida Tabaku, e cila u shpreh se ky akt normativ thekson mungesën e investimeve publike dhe rënia e besimit në ekonomi, që është kambanë alarmi.
“Besimi i biznesit ka rënë me 1.2 pikë
dhe shqetësim është kur ky besim bie për 3 mujor me radhë. Kjo ndodh prej
pesimizmit ne ekonomi, mungesës së investimeve publike, bizneset sot paguajnë
1.9 miliardë më shumë euro taksa dhe e kanë të pamundur të rrisin punësimin.
Borxhi publik nuk është llogaritur si
duhet dhe nuk janë shifra të drejta,
pasi nuk janë llogaritur TVSH dhe detyrimet e prapambetura. Nuk e di
nëse Ministrja e Financave ka një llogari për koncesionet dhe PPP. Nuk kemi
regjistër të plotë për kontratat dhe nuk kemi një regjistër të plotë të
detyrimeve dhe kontratave që janë nënshkruar.
Procedurat për tenderat bëhen pa garë. Janë ulur shpenzimet për ish të
përndjekurit”, theksoi znj. Tabaku.
Për sa i takon PPP, z. Ahmetaj tha se ka një iniciativë të
ndërmarrë nga qeveria, një ligj të dorëzuar në parlament në dhjetor të këtij
viti që rishikon kuadrin e koncesione.
“Ne nuk do heqim dorë nga zhvillimi i
investimeve publike dhe nëpërmjet instrumenteve të koncesionit dhe PPP. Ju i
thoni popullit të Dibrës që nuk meritoni rrugë, i thoni popullit shqiptar që
nuk duhet të ketë aeroport etj. Përpjekje juaj për të demonizuar PPP shkon në
kundërshtim me interesin publik dhe me zhvillimin ekonomik të vendit”, tha
Ahmetaj, ndërsa shtoi se ekonomia shqiptare
ka konkurrueshmëri dhe
produktivitet të lartë. Sipas tij, në buxhetin 2018 ka një rritje të ekonomisë
në 4.4%, ka një rritje të eksportit me 15%, ka një ulje të
taksës për biznesin e vogël, etj.
Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e
miratuan aktin normativ për buxhetin e
vitit 2018-të dhe ia kaluan për shqyrtim seancën plenare.
Më tej, komisioni vijoi mbledhjen me
shqyrtimin e propozimeve për disa shtesa
dhe ndryshime, në ligjin “Për buxhetin e vitit 2019”, nismë e dy deputeteve të
LSI-së znj. Kejdi Mehmetaj dhe znj. Floida Kërpaçi. Deputetet nismëtare në
prezantimin e tyre, kërkuan dyfishimin e zërave për Arsimin Universitar dhe
Kërkimin Shkencor, duke e çuar rreth 1% të PBB, me vlerë 14.909.916.000Lek për AU
dhe 124.000.000 Lek KSH, me qëllim përgjysmimin e tarifave deri në
zerimin e tyre, pajisjen e studentëve me Kartën e Studentit, ngritjen e
Bibliotekës Online. Gjithashtu,
deputetet propozuan dhe krijimin e fondit të Emergjencës në Arsimin e Lartë, i cili do të orientohet drejt
rikonstruksionit të konvikteve , ndërtimin e kapaciteteve të reja duke krijuar
kushte bazike, për një jetesë normale të studentëve gjatë viteve të tyre të
studimit. Relatorja znj. Blerina Gjylameti tha se ky projektligj adreson një
sërë problematikash që janë adresuar dhe grupi i punës i ngritur nga Kryeministri
për Universitetin dhe 8 kërkesat e tyre janë të formalizuara në vendime të
Këshillit të Ministrave dhe kanë dhënë efekt që nga data 1 janar 2019. Në
përfundim, kryetari z. Ahmetaj u shpreh se propozimet do ti dërgohen Këshillit
të Ministrave dhe më pas do të
diskutohen sërish në komision për këtë çështje.