Nënkomisioni për Administratën Publike zhvilloi seancë dëgjimore me zëvendëskryeministren znj. Senida Mesi

  • Postuar më, 19/12/2018

Nënkomisioni për Administratën Publike zhvilloi një seancë dëgjimore me zëvendëskryeministren znj. Senida Mesi, lidhur me procesin e rekrutimeve dhe punën e realizuar në Administratën Publike.

Të ftuar në këtë seancë dëgjimore mbi realizimin e objektivave të punës për vitin 2019 dhe aktivitetin e punës të zhvilluar për vitin 2018 sa i përket DAP, ishte edhe drejtoresha e këtij institucioni znj. Albana Koçiu.

Kryetari i këtij nënkomisioni, z. Alket Hyseni theksoi rëndësinë e reformës së administratës publike ku pa këtë reformë nuk mund të ketë një zhvillim normal të jetës shoqërore të vendit, ashtu sikurse s’mund të ketë dhe integrim.

Gjatë prezantimit, zëvendëskryeministrja foli për përmbushjen e vizionit të qeverisë shqiptare për administratën publike, për procesin e ristrukturimit të institucioneve të varësisë në ministri, me qëllimin dhe fokusin për të pasur një administratë publike profesionale të depolitizuar, të aftë dhe të qëndrueshme.

“Duke qenë se reforma në administratën publike është një nga pesë prioritetet në lidhje me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, për këtë arsye merr një rëndësi edhe më të veçantë”, u shpreh znj. Mesi

Gjithashtu, ndër të tjera theksoi reformimin e shërbimeve publike nga administrata, reformim ky i cili ka pasur fokus shërbimin korrekt për qytetarët por edhe luftën kundër korrupsionit në administratë, forcimin e integritetit dhe profesionalizmit, e mbështetur kjo në realizimin e trajnimeve të ndryshme për nëpunësit civil.

Më tej, znj Mesi vuri në dukje finalizimin e planit të ri të veprimit të strategjisë ndër sektoriale të reformës së administratës publike, për periudhën 2018-2020 dhe e cilësoi si të vetmen ndër këto strategji e cila ka pasur edhe një rishikim afatmesëm të strategjisë duke analizuar kështu çfarë është realizuar gjatë dy viteve të para, si është situata aktuale duke mos cënuar objektivat e vendosura në fillim të kësaj strategjie.




Për më tepër, znj. Mesi foli për implementimin e programit të ri, fokusuar në ndërgjegjësimin e administratës publike ndaj vizionit, misionit, prioriteteve, politikave dhe objektivave strategjike të qeverisë, trajnimi dhe ngritja e kapaciteteve të administratës me njohuritë dhe aftësitë thelbësore për të garantuar performancën e kërkuar, rritja e motivimit të administratës në mënyrë që të arrihet niveli i duhur i angazhimit dhe llogaridhënia, rritja e ndërveprimit në administratë me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet strukturave administrative dhe atyre publike, si dhe lehtësimin e komunikimit dhe rritjen e efikasitetit në gjetjen e zgjidhjeve optimale që kënaqin aktorët e ndryshëm dhe sigurojnë ndikimin e synuar etj.

Kryetari i nënkomisionit z. Hyseni, në fjalën e tij, sa i përket reformës në administratë, siguroi mbështetje për realizimin e këtyre objektivave të vendosura për përmirësimin dhe reformimin e saj.

“Jo më kot në të gjitha raportet e Komisionit Evropian i kushtohet një rëndësi të madhe administratës publike, performancës së nëpunësit publik, mënyrës sesi rekrutohet nëpunësi publik dhe shërbimi ndaj qytetarit me profesionalizëm dhe përkushtim.

Është një reformë ligjore që po vazhdon me përmirësimin e një sërë ligjesh, me përafrimin e tyre më Bashkimin Evropian, dhe një sërë ligjesh të reja. Kjo reformë është strukturore dhe patjetër që është edhe integruese, kështu që jemi të detyruar ta bëjmë këtë reformë në kuadër të kushtëzimeve apo etapave të ngarkuara nga organizmat ku ne synojmë të aderojmë.”, theksoi z. Hyseni.

Pas diskutimeve mes anëtarëve të komisionit dhe të ftuarve, kryetari i nënkomisionit falenderoi znj. Mesi për punën e bërë deri tani dhe garantoi mbështetjen e nënkomisionit, në ndihmë të këtij misioni të rëndësishëm.