Komisioni për Ekonominë dhe Financat rrëzoi dy dekrete të Presidentit dhe zhvilloi seancë dëgjimore me kandidatët për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë

  • Postuar më, 18/12/2018

Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi dekretin e Presidentit të Republikës nr. 10997, datë 13.12.2018 Për kthimin e ligjit  nr. 99/2018 “Për Buxhetin e vitit 2019.”

I ftuar për këtë çështje ishte ministri i Financave dhe Ekonomisë z. Arben Ahmetaj, i cili u shpreh se kontributi më i madh sesa të kthesh buxhetin është dialogu mes studentëve dhe qeverisë. “Dekreti është kthyer pa referuar asnjë detaj, në aspektin e financimit të arsimit apo kërkesë specifike. Praktikisht e ka kthyer buxhetin në parim. Çdo refuzim ndaj dialogut është ti bësh një tradhti kauzës së studentëve”, tha ai.

Më tej, komisioni shqyrtoi edhe dekretin e dytë nga Presidenti i të Republikës nr. 10929, datë 05.11.2018, për propozimin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Sa i përket këtij dekreti, z. Brace tha se znj.Tusha nuk ka eksperiencën e duhur për auditimet financiare.

“Znj. Tusha është e angazhuar në organet e reja të drejtësisë dhe duhet të ushtrojë të gjitha kompetencat lidhur me verifikimin e përmbushjes së kushteve ligjore dhe vlerësimin e kritereve profesionale të kandidatëve për anëtarë të gjykatës Kushtetuese dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë”, sqaroi Braçe. Pas diskutimeve, komisioni  hodhi në votim dy dekretet, të cilat u rrëzuan nga anëtarët e komisionit dhe iu kaluan për miratim seancës plenare.

Gjithashtu po sot, komisioni zhvilloi një seancë dëgjimore me kandidaturat e propozuara nga Këshilli i Ministrave me vendim nr. 711, datë 23.11.2018, për tre anëtarë për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, z. Ridvan Bode, znj. Suela Popa dhe znj. Edlira Luçi.

Të tre kandidatët bën një prezantim të jetës së tyre akademike dhe u shprehen se do japin kontributin e tyre në përmbushje të detyrimeve ligjore të Bankës së Shqipërisë.

Në vijim, komisioni dëgjoi dhe  dy anëtarë  për KMBSH, z. Artan Hoxha dhe znj. Luljeta Minxhozi, kandidatura  të propozuara nga 28 Deputetë të Kuvendit të Republikës, kurse  z. Arben Malaj nuk ishte i pranishëm. 

 Të peste kandidaturat do t’i kalojnë për miratim seancën plenare.


Share