Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi një vizitë pune në Muzeun Historik Kombëtar dhe në Institutin e Zhvillimit të Arsimit
- Postuar më, 06/12/2018
.jpg)
Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik
zhvilloi një vizitë pune në Muzeun Historik Kombëtar, ku u prit dhe u shoqërua
nga drejtori i këtij muzeu, z. Dorian Koçi. Fillimisht deputetët vizituan
pavionin me punime të piktorëve të njohur shqiptarë me portrete të Skënderbeut
dhe pamje të kalasë së Krujës, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të
Skënderbeut.
Më pas u vijua me një bisedë, ku, nga ana e drejtorit
Koçi, u bë një prezantim i veprimtarisë së institucionet që ai drejton, duke
vënë në dukje rrezultatet e arritura në realizimin e programit me rastin e 550
– vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, nëpërmjet pjesëmarrjes aktive në
konferenca të zhvilluara në Tiranë, Prishtinë dhe aktivitete të tjera jashtë
vendit.
Drejtori Koçi u ndal dhe në realizmet konkrete të
aktiviteteve të ndryshme të Muzeut, si dhe në projektet për të ardhmen.
Nga ana e deputeteve të Komisionit u bënë një sërë
pyetjesh në lidhje me numrin e vizitorëve, rritjen e të ardhurave dhe
planifikimin e përdorimit të tyre në dobi të muzeut, nevojat për
investime në infrastrukturën e tij, ligjin e ri “Për trashëgiminë
kulturore dhe muzetë”, marrëdhëniet me muzetë homologe me vende të tjera,
sfidat për të ardhmen etj.
Po sot, komisioni zhvilloi një vizitë pune dhe në
Institutin e Zhvillimit të Arsimit, IZHA, ku u prit nga drejtori i këtij
instituti, z. Gerti Janaqi dhe stafi i tij.
Drejtori Janaqi fillimisht bëri një historik të
shkurtër të institucinit, i cili e ka fillesën që në vitin 1965, duke vijuar me
shpjegimin e misionit të IZHA –së, që është ofrimi Ministrisë së Arsimit,
Sportit dhe Rinisë dhe institucioneve arsimore të të gjitha niveleve ekspertizë
dhe këshillim me nivel të lartë profesional, mbështetur në rezultatet e punës
kërkimore - shkencore - studimore dhe praktikës së arsimit. Më tej u vijua me
prezantimin e fushave kryesore të veprimtarisë së IZHA-së: hartimi i kurrikulës
kombëtare për moshat 3-18 vjeç, zhvillimi profesional i drejtuesve dhe
mësuesve, mbështetja ndaj institucioneve arsimore, kurrikula e formimit të
mësuesve në IAL-të, nxitja dhe mbështetja e arsimit gjithëpërfshirës, fuqizimi
i përdorimit të TIK në procesin e mësimdhënie-nxënies.
Ndër pikat e diskutuar me anëtarët e komisionit ishin:
ristrukturimi në të ardhmen i institucioneve të varësisë, shkrimi i kurrikulës
kombëtare, nevojat për zhvillim profesional dhe kualifikim të mësuesve, rritja
e mbulimit me mësues të trainuar për nxënësit me nevoja të veçanta,
digjitalizimi, shkolla si qendër komunitare etj..